
Është e frikshme dhe e pakuptueshme njëkohësisht kur shikon qindra telefona të ngritur duke e kthyer një moment aq të dhimbshëm pre të klikimeve në rrjetet sociale. Në një vend ku mbi të gjitha duhet të ekzistojë njerzillëku dhe respekti, duket se ka “vdekur” prej kohësh. Në një shoqëri ku gjithçka shitet dhe blihet me shikueshmëri, pa kuptuar është krijuar ajo që quhet “nekrofili mediatike”. Është shfaqur një prirje e medias dhe shoqërisë për të ushqyer një lloj “tërheqjeje” ndaj tragjedive. Fotot nga varrimet, pamjet nga aksidentet, filmimet nga ngjarje aspak të këndshme, nuk shihen më si tabu, por si përmbajtje për të tërhequr klikime dhe shikueshmëri. Në këtë mënyrë, dhimbja njerëzore banalizohet, dhe kufiri mes respektit për jetën e njeriut dhe etjes për sensacion fshihet.
Vëllai i Gjestit, Eldion Kelmendi ndërroi jetë në një aksident tragjik vetëm 2 ditë më parë në fshatin Qungur të Pejës. Informacione të pafundme, foto dhe video janë postuar në rrjetet sociale. Fotoja e bërë në fshatin Bllagajë të Pejës ku po mbahej varrimi i të ndjerit, u ripostua masivisht nga shumë portale. Në ceremoni morën pjesë njerëz të njohur të ekranit shqiptar. Shumë të pranishëm, siç duket dhe në foto, ngritën telefonat lart dhe filluan të filmonin. Në vend që dhimbja të mbetet e shenjtë dhe private, ajo u ekspozua, u filmua dhe u shpërnda, duke u kthyer në një “ngjarje për rrjetet sociale”. Një varr, një familje e thyer nga dhimbja dhe një turmë që, në vend që të ulë kokën nga respekti, zgjodhi të regjistrojë “pamje ekskluzive”. Në atë moment kufiri mes ndjenjave njerëzore dhe spektaklit digjital, u zhduk plotësisht.
Gjesti është një personazh i prodhuar nga “Big Brother” në “Top Channel”, dhe fakti që emra të tillë të realitetit televiziv përdoren shpesh si referencë për të gjeneruar klikime, tregon se spektakli ka zëvendësuar përmbajtjen. Portalet online përpiqen në maksimum të rrisin audiencën e tyre duke postuar përmbajtje aspak etike, duke kthyer çdo ngjarje në një shfaqe dhe material për konsum masiv. Në vend që të ruhet dinjiteti i viktimës dhe të raportohet me seriozitet, shpërndahen tituj sensacionalë duke harruar ngjarjen që duhet të jetë në vend të parë. Ngjarja zhvishet nga konteksti, humbet kuptimin e saj dhe spektakli zgjerohet akoma dhe më shumë.
Ky fenomen ngre një pyetje të madhe: A duhet të sakrifikohet etika, dinjiteti dhe parimet themelore morale, për disa klikime më shumë?


