
Pezullimi nga detyra i Ilir Babaramos në “Report Tv” ka sjellë një tjetër debat, kësaj radhe në distancë mes Carlo Bollinos dhe Andi Bushatit. Paradite Bushati kritikoi replikën e gazetares së “Report TV” Danjela Maloku me kreun e PD-së, Sali Berisha. Gjatë konferencës për mediet, ajo hodhi poshtë pretendimet e Berishës për shkaqet e largimit të Babaramos nga puna. Berisha sulmoi Bollinon duke e akuzuar për shkelje të etikës dhe e ka shpallur atë ”super mafiozin numër 1 të mediave shqiptare”. Sipas Berishës, Bollino e kishte pushuar nga puna Babaramon, me urdhër të Edi Ramës, sepse ai kishte sulmuar qeverinë.
“Ka të drejtë Andi Bushati kur ka bërë këtë postim, që nuk e ka menduar për të sulmuar një politikan që stigmatizon dhe fyen një gazetare, por për të sulmuar një gazetare që i përgjigjet një politikani. Servilizmi i këtij ish-pinjolli të bllokmenëve, që po kërkon “shpengim” nga adoleshenca e tij në luksin komunist duke i bërë furçe Sali Berishës dhe klanit të tij, është vërtet i pafytyrë”, -shkruan Bollino.
Danjela Maloku, gazetarja e “Report Tv” ka deklaruar në konferencë se Ilir Babaramo ishte larguar nga puna sepse kishte sulmuar televizionin dhe kolegun e tij, jo Edi Ramën. Analisti Andi Bushati ka komentuar situatën mes Berishës e gazetares Maloku duke shkruajtur: “Ofendon një gazetare profesioniste vetëm pse ka kurajon t’i thotë të vërtetën Sali Berishës”, -thekson ai.

Po sot ka reaguar ndaj postimit të Bushatit gazetarja Maloku. Ajo shkruan se: ”Nuk m’u desh shumë të informohesha mbi këtë status. Kolegët ma nisën në breshëri. Andi, unë nuk kam ndërmend të futem në vorbullën e betejës mes kolegësh, sidomos për hir të pronarëve apo edhe më keq, interesave politike. E kam treguar me kohë këtë dhe kjo është arsyeja pse respektohem nga të gjitha palët (përfshirë edhe kreun e PD që po, në këtë replikë më vlerësoi për profesionalizmin) e në këto vite në media (edhe pse karrierë modeste) nuk gjen dot një lajm ku mund të kem shpikur apo gënjyer. Ajo që bëra, është që ndjeva detyrim të pohoj një anë tjetër të medaljes. Unë e kuptoj që mbase në botën e ‘gazetarisë së madhe’ është interesante të japësh leksione profesionalizmi, sidomos nga ata që më herët e kanë bërë vetë këtë gjë.
(Kujtoj një deklaratë tuajën “Spak ka gazetarë papagaj”), por kam zgjedhur që aty ku besoj se ka një të vërtetë, ta them. Ky mund të jetë virtyt, por edhe e metë, varet cilën anë të medaljes zgjidhni të shihni”.


