
Mjaftoi një kukull si Labubu për të ndezur një tjetër debat në rrjete sociale. Ajo është ideuar si një përbindësh i shëmtuar, krejt e çuditshme dhe për më tepër një sensacion në marketing. Kina mundi ta “pushtojë” botën me vetëm një lodër me veshë të mprehtë, sy të mëdhenj dhe një buzëqeshje djallëzore që plotësohet nga 9 dhëmbë aspak miqësorë.
Labubu është krijuar nga artisti i lindur në Hong Kong, Kasing Lung i cili e ka kthyer në një fenomen duke u shfaqur në disa seri të “The Monsters”. Marka “Labubu” ka edhe personazhe të tjera nga koleksioni i saj të cilët kanë frymëzuar kukullat e tyre të njohura si udhëheqësja e fisit Zimomo, i dashuri i saj Tycoco dhe shoqja e saj Mokoko.

Në Shqipëri studiot televizive i kanë dhënë hapësirë debatit se sa i përshtatshëm është ky imazh për fëmijët. Pedagogia Nora Malaj e krahason emrin e kukullës Labubu me pasthirrmën në shqip, u bubu. “Ajo që unë ju këshilloj ka të bëjë me shëndetin mendor të fëmijës ! Çdo vizion i gabuar lë pasoja te shëndetin mental të fëmijëve! “-shprehet Malaj.

Përtej debatit, shitjet e Labubusë nxitën rritjen e Pop Martit dhe në dhjetor 2020, ajo filloi të shiste aksione që Bursën e Hong Kongut janë rritur me më shumë se 500% vitin e kaluar. Australia dhe Japonia kanë ndaluar shitjet për shkak të kërkesës së madhe dhe pamundësisë për t’iu përgjigjur blerësve.
Si një strategji e marketingut, shitja e kukullave Labubu bëhet në kuti sekrete. Klientët e kuptojnë se çfarë kanë blerë vetëm kur e hapin paketën. Kjo rezultoi e suksesshme dhe Pop Marti lançoi serinë e parë në vitin 2016, duke shitur kukulla Molly dhe figurina të ngjashme me fëmijë të krijuara nga Kenny Wongu. Po ashtu ajo është promovuar edhe nga personazhe të njohura si Rihanna, Dua Lipa, Kim Kardshian dhe Lisa e Blackpink.
Ashley Dudarenok themelues i firmës kërkimore “ChoZan” e fokusuar në Kinë, ia referon suksesin edhe periudhës kur kukulla u prezantua në treg në fund të pandemisë Covid-19, në vitin 2022. Sipas “BBC-së” ai jep një interpretim të misterit që mbështjell kukullën kur thotë se “Pas pandemisë, shumë njerëz në Kinë ndjenë se donin të shpëtonin emocionalisht… dhe Labubu ishte një personazh shumë simpatik, por kaotik dhe mishëronte atë antiperfeksionizëm”, duke i lënë të hapura polemikat mbi “pafajësinë” e Labubusë.


