
Nga Klodian Tomorri
Publikimi i fotos së Belinda Ballukut me vartësit e saj nuk përbën asnjë interes publik. Po ashtu, ajo nuk është as indicie dhe aq më pak provë, që mund t’i shërbejë hetimit penal. Nxjerrja e saj në publik thjesht dhe vetëm dëmton SPAK-un dhe gjykimin e pavarur sepse u jep zë kritikave që SPAK përdor rrjedhje të kontrolluar informacioni për të diskretituar të hetuarit publikisht, aq më tepër kur foto të tilla pastaj interpretohen sipas qejfit. Dikush thotë jane tek shtëpia, dikush tjetër janë në ambient pune.
Në fakt, ky është një problem madhor që SPAK-u duhet ta korrigjojë. Dhe nuk është vetëm çështja e fotove. Në disa dosje transkriptohen përgjime që nuk kanë asnjë lidhje me hetimin, të cilat pastaj nxirren në publik për të denigruar. Rasti më flagrant kanë qenë disa mesazhe tërësisht private në dosjen e Erion Veliajt, të cilat jo vetëm që nuk kishin asnjë lidhje me hetimin, por u përdorën për ta denigruar familjen e kryebashkiakut publikisht. Kjo duhet të marrë fund. Mesazhet duhet të kenë filtër, para se të publikohen. Nuk e di si zgjidhet kjo, por ndoshta SPAK-u duhet të krijojë një komision etike brenda strukturës që të merret vetëm me këtë punë.


