
Ndërsa vendi është në pritje të fillimit të sesionit të ri parlamentar në shtator, një draft i ri i Kodit Penal ka ngritur jo pak shqetësim në publik, veçanërisht tek gazetarët, ekspertët e drejtësisë dhe aktivistët e të drejtave të njeriut. Bëhet fjalë për një seri nenesh që, në emër të mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe ruajtjes së sekretit hetimor, rrezikojnë seriozisht lirinë e shprehjes dhe të medias.
Në qendër të debatit është neni 536 i draftit, i cili ndëshkon me gjobë ose deri në 3 vjet burg “bërjen apo publikimin e komenteve që synojnë të ndikojnë në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet”. Me fjalë të thjeshta, nëse një gazetar, analist apo kushdo tjetër komenton një vendim gjyqësor që është në proces ose hedh dyshime mbi mënyrën si po zhvillohet një proces i rëndësishëm, rrezikon të shkojë në burg.
Po si do ta kuptojë gjykata nëse dikush “ka synuar të ndikojë” në një proces hetimi dhe më pas gjykimi? Kush e përcakton nëse një koment është “shtypës” ndaj gjykatës? Nëse një media zbulon se në një çështje të caktuar janë manipuluar prova apo është shkelur e drejta për mbrojtje, a do të konsiderohet kjo presion ndaj drejtësisë?
Në të njëjtën frymë, nenet 516 dhe 517 ndëshkojnë çdo lloj publikimi të informacionit që lidhet me hetime, bashkëpunëtorë të drejtësisë, dëshmitarë apo operacione të policisë. Edhe gazetarët përfshihen qartë në këto nene, duke i konsideruar të dënueshëm nëse publikojnë të dhëna të klasifikuara apo konfidenciale, edhe nëse këto informacione vijnë nga burime zyrtare.
Për shembull, neni 516 parashikon burg nga 2 deri në 6 vjet për zbulimin e të dhënave që lidhen me bashkëpunëtorët e drejtësisë. Nëse ato publikohen në ndonjë emision investigativ apo në ndonjë shkrim analitik, edhe pa përmendur emra konkretë, rreziku penal mbetet. Mjafton që një prokuror ta konsiderojë informacionin “konfidencial”, dhe gazetari mund të përfundojë në bankën e të akuzuarve.

“Zbulimi i të dhënave sekrete apo konfidenciale, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.”
“Publikimi me çfarëdo forme i akteve të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, shton dënimin deri në një të tretën e tij. Nëse kjo vepër kryhet nga personat juridikë, dënohet me gjobë ose me një nga dënimet sipas nenit 123 të këtij Kodi.”
Po ashtu, neni 517 dënon me burg deri në 5 vjet publikimin e të dhënave që lidhen me operacione apo hetime. Edhe këtu nuk ka përjashtime për median – përkundrazi, teksti lë të kuptohet se gazetarët janë pjesë e synuar e këtyre ndalesave.
Neni 517 – Dekonspirimi i operacioneve policore dhe hetimeve:
Ky nen ndalon publikimin e informacionit të ndjeshëm që lidhet me operacione policore, arrestime, vendndodhje dokumentesh apo personash gjatë hetimeve në zhvillim.
“Publikimi në çfarëdo forme të informacionit të tillë, konsiderohet si dekonspirim, edhe nëse ai mund të jetë në interes publik, dhe tani cilësohet si vepër penale. Dënimi për këtë vepër shkon nga një deri në pesë vjet burg, ndërsa nëse bëhet publikim, dënimi mund të shtohet deri me një të tretën.”
Në dukje, këto ndryshime mund të duken si përpjekje për të mbrojtur drejtësinë nga presioni publik apo politik. Por pyetja që lind është: a po synohet realisht mbrojtja e drejtësisë, apo kontrolli i fjalës së lirë dhe kufizimi i medias në raportimin kritik?
Mund të thuhet se këto nisma vijnë si reagim ndaj sulmeve publike që figura të caktuara politike dhe jo vetëm i kanë bërë drejtësisë ndër vite, por në të vërtetë efektet e këtyre neneve bien më së shumti mbi gazetarët dhe publikun, i cili ka të drejtën ligjore dhe jo vetëm për të qenë i informuar, sidomos kur bëhet fjalë për vendimet e gjykatave.

Nëse ky draft i Kodit Penal miratohet në formën aktuale, ai krijon rreziqe serioze për lirinë e medias dhe të shprehjes. Sanksionet e parashikuara për komentet mbi vendimet gjyqësore apo publikimin e dokumenteve nga burime brenda sistemit mund të ndikojnë në vetëcensurë. Gazetarët dhe qytetarët do të kenë dyshime për pasojat që mund të kenë komentet apo raportimet e tyre, duke kufizuar kështu hapësirën për informim dhe debat publik. Kjo situatë ngre pyetje mbi balancën midis mbrojtjes së drejtësisë dhe garantimit të lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike. A mund të mbrohet drejtësia duke kufizuar lirinë e shprehjes? Kjo është pyetja që lind nga këto dy nene të draftit të ri të Kodit Penal.


