Daniel Shima ish-drejtor i AKSHI-t u vu në qendër të vëmendjes për shkak të një ngjarjeje që ende nuk është sqaruar deri në fund. Mesazhi që ai i dërgoi partneres së tij “Po më arrestojnë” ka alarmuar familjen. E ëma ka bërë denoncimin në polici për zhdukjen e të birit, ndërsa mbeten ende mister 10 orët që ai nuk dha asnjë shenjë se ku ishte, kur lajmet e rrjetet e publikuan si një ngjarje të bujshme, për më tepër që policia ishte në këmbë për gjetjen e tij. Dyshime të ndryshme u hodhën për Shimën. Rrjetet sociale shkruanin se e kanë rrëmbyer, kërcënuar, zhdukur… Gjithë fantazitë takoheshin te një intervistë e para pak kohëve e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj për “Syri TV”, i cili ka deklaruar se Shima është kërcënuar nga kreu i qeverisë, Edi Rama.

Lexo edhe: https://gogo.al/zhdukja-e-paralajmeruar-e-daniel-shimes-dhe-parashikimi-i-ahmetajt/

Shima është regjistruar me mjetin e tij teksa kalonte nga Qyteti Studenti drejt tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe që aty nuk dihet më asgjë. 10 orë janë shumë për të mos i vënë dot një emër gjithë asaj që po ndodhte pas mesazhit “Po më arrestojnë”. Dhe kur askush nuk e priste, ai shfaqet sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe tha se kishte ikur në jug pas një debati me të dashurën.

10 orët që ngritën shtetin në këmbë

Në polici Shima është paraqitur rreth orës 02:00 dhe është mjaftuar me fjalinë: “Jam larguar me dëshirë”. (Në fakt nuk u aludua pak se mund të ishte larguar edhe pa dëshirë). Mosmarrëveshje me partneren, konflikte të hapura me ish-bashkëshorten, thirrje në SPAK e më pas shkakim nga detyra; por asnjë koment për mesazhin “Po më arrestojnë”.

Shkarkimi i tij nga funksioni i ish-zv.drejtorit të AKSHI-t më 19 mars 2024 erdhi befas brenda ditës kur drejtuesja e institucionit ku ai punonte u mor në pyetje nga SPAK-u duke lënë hije të mëdha dyshimi për një histori korrupsioni. Ahmetaj ka thënë më herët: “AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha… Po, drejt për së drejti. Ta thashë edhe njëherë, le të dalë me batuta. Ky i kërkuari, ky derri në pyll, ky pa atdhe”.

“Rrëmbimi” i Griselda Zaimit, ish-e fejuara e Elvis Roshit trondit me historinë e sajuar

Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi u kthye në personazh mediatik në më pak se 10 orët e Shimës. Partnerja e tij Griselda u zhduk dhe u rishfaq, me ngjarje dinamike në qershor 2011. Ajo pasi pretendonte se kishte mbetur shtatzënë, ishte rrëmbyer, rrahur dhe pastaj e kishin braktisur në mes të rrugës pranë shtëpisë në Kavajë. Telenovela që u stërhollua ngjalli indinjatë dhe keqardhje. Roshit i qëndroi afër atëherë kryesocialisti Rama, bashkëshortja e tij si edhe disa deputetë. Po atë ditë Erion Veliaj në emër të PS, u dërgoi një letër ambasadorëve të huaj të akredituar në Tiranë ku shkruante: “Një lajm i trishtuar na ka shokuar të gjithëve ne në PS. Natën e kaluar, gruaja shtatzënë e kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, u rrëmbye në një qendër tregtare në Tiranë. Pasi është keqtrajtuar barbarisht nga rrëmbyesit, ajo është dërguar në një vend të panjohur, ku i kanë hequr fëmijën. Në orën 4 të mëngjesit, e mbuluar nga gjaku, znj. Roshi është lënë afër shtëpisë së saj në Kavajë (50 kilometra larg kreqytetit). Nuk ka ende ndonjë njoftim nga policia. Kavaja ka qenë zona elektorale ku është zgjedhur Berisha deputet për 20 vjet. Socialistët fituan në Kavajë për herë të parë më 8 maj, dhe kjo është konsideruar si fitorja më simbolike e zgjedhjeve. Gjatë fushatës elektorale, z.Roshi dhe shtabi i tij kanë marrë kërcënime për shkak të garimit të tij për postin e kreut të Bashkisë. Kreu i PS, Edi Rama, do të lëshojë një deklaratë shtypi pas një ore…”.

Gjithë këtyre përpjekjeve u dha fund vetë Griselda që pohoi në Prokurorinë e Krimeve të rënda se rrëmbimi dhe shtatzënia ishin një mashtrim. Elvis Roshi publikoi një letër të hapur ku kërkoi ndjesë për ngjarjen duke pohuar se gjitha sa ishin thënë deri në ato momente ishin të pavërteta.

Fundi i papritur i të dyve

Daniela Shima u rishfaq vetë duke deklaruar në polici se ishte në jug dhe ishte larguar me dëshirë pas debatit me partneren së cilës më parë i dërgoi mesazhin se po e arrestonin. Griselda Zaimi, pranoi se nuk kishte qenë shtatzënë, edhe pse vetëm pak orë para deklaratës në prokurori tha se e kishin kishin rrëmbyer, e kishin detyruar të lindte fëmijën dhe e kishin braktisur në rrugë pasi e kishin rrahur.

Opinioni publik njësoj i rrëmbyer

Nuk u fol pak për Daniel Shimën. E gjithë vëmendja shkoi te mesazhi dhe më pas heshtje totale nga ai. Oreksi për detaje si, çfarë, ku, pse që ushqen rrjetet shtohej. Po aq interes u tregua edhe për Griselda Zaimin. “Facebook-u” sapo ishte bërë masiv dhe historia u përhap me shpejtësi duke u bërë mëse i besueshëm çdo lajm që qarkullonte. Griselda kishte sajuar çdo gjë për të mos humbur lidhjen me Roshin pas debateve të vazhdueshme, madje ajo ka pohuar se kishte vënë jastëk në bark muajin e fundit për të qenë më e besueshme. Ditën e ngjarjes ajo ishte kthyer e tronditur në shtëpi ku ish-kunati dhe bashkëshortja sipas saj e kishin nxitur të denonconte në polici pa e ditur të vërtetën.

Ndërhyrjet e politikës

Tronditja që shkaktoi trillimi i Griselda Zaimit mori përmasa politike. Letra e Erion Veliajt drejtuar amabasadave të akredituara në Shqipëri dhe vizita e Ramës në shtëpinë e Elvis Roshit i dhanë tjetër peshë ngjarjes. Nuk mori pak vëmendje edhe “rrëmbimi” i Daniel Shimës duke kujtuar deklaratën e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj se Shima është kërcënuar nga kryeministri Rama, duke e nxjerrë sërish atë në skenë. Nga ana tjetër kreu i opozitës Sali Berisha ngriti një tjetër pistë dyshimi, duke u shprehur në një dalje për mediat se Shima përfundoi në bodrumet e Suel Çelës apo në tunelet e Dajtit të Surrelit, këtë të vërtetë nuk mund ta themi me siguri. Por një gjë është absolute e sigurt, se ai u rrëmbye. Dhe se ai shpëtoi i gjallë falë atij instinkti që e shtyu t’i bënte një mesazh, një SOS, partneres së tij. Përndryshe do kishim skena si ajo e Jan Prengës ose zhdukje si ajo e Ervis Martinit që nuk gjendet edhe sot e kësaj dite pa nam dhe nishan,”. Berisha ka akuzar edhe Policinë e Shtetit për mashtrim me rastin e Shimës kur thotë se policia kishte të gjitha mundësitë në qoftë se policia e lokalizoi atë tek Qyteti Studenti, por pastaj u tha hiqni dorë nga kjo, çojeni në Elbasan,” -deklaroi ai.

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota pro projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet e propozuara lidhen edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Nisma e PDK-së kishte...
/ Oct 5