Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, hodhi poshtë të enjten thirrjet për dorëheqje, ndërsa mijëra protestues të udhëhequr nga studentët thyen xhama dhe u përleshën me policinë e rendit, e cila përdori autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës në kryeqytet.Protestuesit shprehën zemërimin për korrupsionin e perceptuar, koston dhe cilësinë e arsimit, si dhe marrëveshjen për t’i dhënë një kompanie private pjesë të bregdetit të virgjër jugor të Shqipërisë, për ndërtimin e një resorti luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Ata kërkuan dorëheqjen e Ramës, duke deklaruar se askush nuk i kishte dëgjuar shqetësimet e tyre gjatë protestave kryesisht paqësore të zhvilluara gjatë verës kundër këtij projekti.

Në një deklaratë me shkrim për “Reuters”, Rama hodhi poshtë thirrjet për t’u larguar nga detyra. “Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet legjitime dhe ta çoj Shqipërinë përpara. Alternativa do të ishte tradhti ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

RAMA DËNON SULMET NDAJ PRONËS PUBLIKE

Një studente, e cila u prezantua me emrin Kiara, tha se kostoja e jetesës, perspektivat e dobëta për punësim dhe korrupsioni i pretenduar ishin çështjet kryesore që i kishin nxjerrë njerëzit në rrugë. “Kryeministri ynë është vetë kuptimi i fjalës korrupsion. Mund të gjesh punë në fushën tënde vetëm nëse njeh dikë që njeh dikë tjetër”, tha ajo. Fytyra e saj ishte e mbuluar me maskë, ashtu si ajo e shumë protestuesve të tjerë të pranishëm të enjten. Protestat, që tashmë kanë hyrë në ditën e tretë, përbëjnë sfidën më të madhe deri më tani për Ramën, i cili fitoi një mandat të katërt vitin e kaluar, duke vendosur anëtarësimin në BE në qendër të fushatës së tij. Parlamenti anuloi seancën e tij, ndërsa dhuna rifilloi në afërsi të godinës.

Rama, qeveria e të cilit mohon akuzat për korrupsion, tha se ishte i gatshëm të diskutonte rritjen e kostos së arsimit, por shtoi: “Sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe rrezikimi i sigurisë publike nuk kanë asgjë të përbashkët me kërkesat legjitime të studentëve”. Rrugët e Tiranës ishin të mbushura me kosha mbeturinash të djegur, stacione autobusi me xhama të thyer dhe semaforë të dëmtuar.

Re të gazit lotsjellës përhapeshin në qendër të qytetit. Protestuesit hodhën gurë drejt policisë, e cila përdori autobotë me ujë për t’i zmbrapsur. Në sheshin qendror “Skënderbej”, policët goditën me shkopinj gome protestuesit që po largoheshin, ndërsa turistët ndiqnin skenat e dhunës.

PROTESTUESIT: NUK PO NA DËGJON ASKUSH

“Kjo qeveri është e korruptuar dhe drejtohet nga një kryeministër i korruptuar”, tha protestuesi Lulzim Tanushi, avokat. “Që kur Rama erdhi në pushtet, ai ka abuzuar dhe ua ka shkatërruar jetën njerëzve. Kjo është arsyeja pse njerëzit po shprehin zemërimin e tyre, pasi më parë nuk janë dëgjuar”, shtoi ai. Protestat vijnë pas muajsh demonstratash kryesisht paqësore, të nxitura nga planet për ndërtimin e resortit, të cilat janë përballur me sfida ligjore.

Banorët e zonës i thanë Reuters në korrik se toka e tyre ishte shitur në mënyrë të paligjshme për zhvillimin e projektit. Më vonë, Reuters raportoi se personi që kishte shitur tokën kërkohej nga prokuroria për trafik droge, akuza të cilat avokati i tij i mohoi. “Reuters” nuk gjeti prova për shkelje nga ana e Kushnerit, i cili nuk është drejtpërdrejt i përfshirë në mosmarrëveshjen mes banorëve dhe palëve të tjera.

SHQIPËRIA SYNON ANËTARËSIMIN NË BE QË NË VITIN 2028

Imazhi i Shqipërisë është dëmtuar ndër vite nga skandalet e korrupsionit. Analistët politikë thonë se vendi është një qendër për grupet kriminale që synojnë të pastrojnë paratë e përfituara nga trafiku i drogës dhe i armëve, duke e ndërlikuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Së bashku me Malin e Zi, Shqipëria është aktualisht ndër vendet e Ballkanit që po përparojnë më shpejt në procesin e anëtarësimit dhe synon të bëhet pjesë e BE-së që në vitin 2028. “Korrupsioni duhet të luftohet dhe, siç ka riafirmuar së fundmi edhe vetë BE-ja, Shqipëria po e trajton këtë çështje më shumë se kurrë më parë”, tha Rama për “Reuters”.

“Ndoshta disa forca, brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të ketë sukses si pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE. Por unë nuk do të lejoj që dhuna të pengojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, shtoi ai. Një mision i Bashkimit Evropian në Shqipëri, në një deklaratë të publikuar në platformën X, u shpreh: “Dialogu konstruktiv është e vetmja rrugë përpara.” Trazirat janë pjesë e një vale të aktivizmit studentor në Evropë. Në Francë, nxënësit e shkollave të mesme kanë zhvilluar për javë të tëra protesta dhe bllokime të shkollave, duke kërkuar më shumë mësues dhe ambiente më të mira. Ata argumentojnë se përkeqësimi i gjendjes së ndërtesave shkollore dhe mbipopullimi i klasave po dëmtojnë cilësinë e arsimit.

Ky shkrim është në pronësi intelektuale të “Reuters”

LËR NJË KOMENT

Esmeralda Hasani është emëruar në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar emërimin e saj, pas shkarkimit nga detyra të Vlora Hysenit. Para...
/ Nov 12
Nga Elvana Tivari Po i marr me radhë, me Pishë Poro-Nartën si shembull, sepse aty shihet më mirë se çfarë mbron ky ligj. ① Arsyeja e parë e KM-së: projektligjet...
/ Nov 18
Cilët janë të rinjtë tanë ekselentë? Nëpër çfarë rrugësh të vështira kalojnë ata sot dhe për çfarë kanë nevojë? A i njohim realisht të rinjtë tanë dhe shpirtin e tyre...
/ Nov 16
Pas lajmeve për konfirmimin e një rasti me malarie në Shqipëri dhe dyshimeve për një pacient të dytë të prekur nga kjo sëmundje, Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar të...
/ Nov 18