
Edi Rama i beson sërish si krahu i tij i djathtë, Belinda Ballukut. Ajo do vijojë të mbajë postin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në vitin 2019 ajo ka qenë drejtoreshë e Albcontol-it. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Balluku është zgjedhur Deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në Qarkun e Tiranës. Balluku është diplomuar në Programin Ekzekutiv “Zhvillim Ekonomik” nga Harvard Kennedy School, si dhe me titull nderi nga IATA (International Air Transport Association) për menaxhimin e shërbimeve të lundrimit ajror (Air Navigation Services Management). Gjithashtu, ka përfunduar Diplomën e Përgjithshme të Menaxhimit, pranë IATA, Miami, SHBA. Në vitin 2004 Balluku i është bashkuar stafit të Bashkisë së Tiranës, fillimisht si këshilltare për Marrëdhëniet me Publikun dhe më vonë si drejtore e Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë.

Qeveria e re është prezantuar nga kryeministri Edi Rama ku 8 prej ministrave janë larguar, duke rifreskuar listën me 6 të rinj. Si zakonisht, në formë Rama ka sjellë risinë e vetme, robotin ministror. Edhe pse ministrja e Shëndetësisë është një emër i ri, sërish pesha e saj në “tortën” qeveritare është e vogël.
Një “ministre” virtuale do drejtojë prokurimet publike. Rama prezantoi Diellën të krijuar nga Inteligjenca Artificiale të përbërë nga kode dhe e fuqizuar nga IA. Idea për një organizim të tillë është hedhur nga Rama gjatë verë, po nuk ishte parashikuar se do do arrihej të zbatohej në një kohë të shkurtër.

Evis Sala është një emër që vjen nga fusha e mjekësisë. Sala do jetë në krye të ministrisë së Shëndetësisë. Ajo ka kontribuar në drejtimin e Qendrës për Imazheri Diagnostifikuese dhe Radioterapi Onkologjike në Poliklinikën “Gemelli” dhe është pedagoge në Institucionet e Arsimit të Lartë. Sala ka punuar për një kohë të gjatë si kërkuese shkencore në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka qenë pjesë e Universitetit të Kembrixhit dhe ka bashkëdrejtuar Programin e Avancuar të Imazhimit të Kancerit dhe Programin e Integruar të Mjekësisë së Kancerit në Qendrën e Kërkimit të Kancerit në Kembrixh.

Andis Salla nga drejtimi i bashkisë së Cërrikut është propozuar si ministër i Bujqësisë, duke pasuar Anila Denajn. Salla ka kryer studimet e larta për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Ai është kualifikuar në vitin 2014 si avokat pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe ka një sërë eksperiencash pune si jurist dhe Drejtor i IEVP-së në Elbasan.

Një ministri e re është është shtuar në këtë mandat të ri të partisë Socialiste, ajo e Mjedisit e cila do drejtohet nga Sofian Jaupaj. Ai është diplomuar për Drejtësi në vitin 2013 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Në 10 vitet e fundit ai ka mbajtur pozicione të ndryshme si Drejtor i Kabinetit i Kryenegociatorit për Integrimin në BE të Shqipërisë, Drejtor i Integrimit dhe Koordinator i Lartë për normat ligjore prioritare të BE-së pranë Kryeministrisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe aktualisht në 3 vitet e fundit ka qenë i emëruar Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisi.

Një emër i ri vjen të drejtojë ministrinë e Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili mbante postin e zv.ministrit të Brendshëm. Lamallari ka përfunduar studimet universitare për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 2009 e më pas është diplomuar në Universitetin e Oksfordit në programin Master shkencor për Kriminologji dhe Drejtësi Penale. Lamallari ka punuar si konsulent i jashtëm për organizma ndërkombëtare, përfshi Këshillin e Europës, OSBE-në, Projektin e BE-së IPA 2010 për “Zhvillimin e Burimeve Njerëzore”, etj. Në prill 2017, mori detyrën e Këshilltarit të Ministrit të Punëve të Brendshme, për çështje të luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogave, radikalizmit dhe terrorizmit. Ai ka përfaqësuar Kabinetin e Ministrit të Brendshëm në takimet dhe komunikimet me UNODC, Europol, Qendrën Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Narkomanisë (EMCDDA), FRONTEX dhe Kolegjin e Policisë Europiane (CEPOL).

Majlinda Dhuka, ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore me BE-në. Ajo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë ku ka përfituar edhe titullin “Master” në Studime Evropiane. Ajo ka ndjekur programe pasuniversitare dhe trajnime të specializuara si dhe programe mbi lidershipin, inovacionin dhe qeverisjen ekonomike në Shkollën e Qeverisjes John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit. Ajo ka punuar në drejtori dhe departamente që trajtojnë legjislacionin, zhvillimin dhe planifikimin strategjik në Bashkinë e Tiranës dhe ka mbajtur postin e Zëvendëssekretares së Përgjithshme të Këshillit të Ministrave.

Një tjetër emër i ri në Këshillin e Ministrave është Ervin Demo. Ai është propozuar si Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor. Demo ka drejtuar bashkinë e Beratit që nga viti 2019. Ai ka ndjekur studimet e larta Bachelor dhe Master në Mbretërinë e Bashkuar e post doktorale në Universitetin e Bolonjës. Që nga viti 2004, ka qenë pedagog me kohë të plotë pranë departamentit të Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Më pas ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në Universitetin e Tiranës, ku Gjatë viteve 2012-2016 ka qenë Zv. Rektor i Universitetit të Tiranës. Në vitin 2017 është emëruar Zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit 2018.

Pasi prezantoi Taulant Ballën si kryetar të Grupit Parlamentar, Rama kaloi te ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, e cila ka lënë ministrinë e Shëndetësisë. Ai vlerësoi faktin që për herë të parë kjo ministri drejtohet nga një grua e theksoi se ministria e Punëve të Brendshme nuk merret vetem me çështje të rendit e policisë, edhe shumë problematika sikurse veçoi adresat te cilat ende nuk janë sistemuar. Albana Koçiu më parë ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike, institucion në varësi të Kryeministrisë, që prej vitit 2013. Koçiu ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Sociale (1996-2000), në Universitetin e Tiranës dhe ka punuar si Profesor i Asociiuar pranë Departamentit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Në vitin 2001, iu bashkua stafit të Bashkisë së Tiranës, si drejtore e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore.

Petrit Malaj është emri i ri i ministrit të Financave. Ai ka qenë drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Malaj ka përvojë në disa banka private në vend. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Ekonomisë, në degën Financë-Bankë në vitin 2001. Ndërsa studimet Master i kreu në “Business Administration” në Universitetin e Wisconsin – La Crosse, SHBA.

Pirro Vengu në këtë mandat të ri do vijojë të jetë ministër i Mbrojtjes, pas një përvoje të gjatë në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës, duke nisur nga 2019. Në periudhën 2017 deri në 2019 ai ka ushtruar funksionin e drejtorit të Antikorrupsionit, në Kryeministri. Nga viti 2013 deri në 2017, Vengu ka qenë shef në Kabinetin e Ministrit të Jashtëm.

Niko Peleshi është propozuar për kryetar të Kuvendit dhe nënkryetare Klodiana Spahiu. Ajo është deputete e partisë Socialiste që nga viti 2009, anëtare e disa komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare, si edhe kryetare e disa grupeve të Miqësisë. Spahiu ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, për Mjekësi të Përgjithshme dhe është e specializuar në Kardiologji si dhe ka drejtuar spitalin e qytetit të Durrësit. Spahiu mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.

Nga kryesimi i seancave plenare si kryetare e Kuvendit, Elisa Spiropali është propozuar si ministre për Europën e Punët e Jashtme. Elisa Spiropali është diplomuar për Ekonomi dhe Politikë në Kanada dhe SHBA. Prej janarit 2019 deri në korrik 2024, ka shërbyer si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 është zgjedhur deputete e Qarkut të Korçës, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021 është zgjedhur deputete për Qarkun e Tiranës.

Pas një riorganizmi të institucionit, ministria e Kulturës do përfshijë Turizmin dhe Sportin, dhe drejtimi i saj i është besuar Blendi Gonxhes. Ai ka mbajtur postin e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Më parë nga nëntori 2018, Blendi Gonxhja ka drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministria e Arsimit, pas largimit të Ogerta Manastirlliut, do jetë nën drejtimin e Mirela Kumbaros. Mandatin e kaluar Kumbaro ishte në krye të ministrisë së Turizmit. Kumbaro ka një formim akademik në fushën e gjuhësisë frënge. Në vitin 2009 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave në Studimet Përkthimore pranë Universitetit të Tiranës. Ka mbrojtur Diplomën për Master në Përkthim dhe Komunikim Ndërkulturor në vitin 1994, në E.S.I.T – Paris III, Universiteti i Sorbonne – Nouvelle, në Paris, Francë. Ka kryer studimet universitare dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në fushën e letrave frënge, në vitin 1988

Ekonomia dhe Inovacioni do kenë në krye të kësaj ministrie Delina Ibrahimaj. Ajo drejtoi Financat dhe Ekonominë në mandatin e kaluar. Ibrahimaj ka studiuar në Itali në Universitetin e Romës Tor Vergata dhe Në Universitetin Luigi Bocconi. Në vitin 2019, ajo ka shërbyer edhe si Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve.

Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, propozohet Toni Gogu. Ai nuk mori vota mjaftueshëm për të qenë deputet, do këtë postin e ri të propozuar nga Rama. Ai ka drejtuar Prefekturën e Tiranës si edhe ka drejtuar Këshillin Bashkiak të kryeqytetit. Më herët, Toni Gogu ka punuar si drejtor në Bankën e Shqipërisë, në sektorin e depozitave. E ndërsa në 2017, në qeverinë Rama 2 iu besua posti i zv/ministrit në Ministrinë e Drejtësisë.



