
Sulmi i fundit kibernetik mbi faqen online të Bashkisë së Tiranës nga hakerat e “Homeland Justice” ka bllokuar funksionin e saj. Pas ndërhyrjes janë marrë të dhëna dhe janë fshirë serverat. Probleme ka patur edhe me regjistrimin e fëmijëve në kopshte e çerdhe pasi procedura kryhet online.
Hakerat kanë pranuar se janë autorë, duke shkruar në “Telegram” se sulmi lidhet me mbështetjen që u jepet muxhahedinëve të strehuar në kampin MEK në Manzë të Durrësit nga qeveria shqiptare.
Shënimi i plotë i “Homeland Justice”:
“Bashkia e Tiranës është jashtë shërbimit. Shërbimet e qytetit janë ndërprerë. Ne Ju paralajmëruam të dëbonit terroristët e MEK nga territori i Shqipërisë. Por ju i njohët ata si refugjatë të ligjshëm dhe i dhatë lehtësi si letërnjoftime dhe pasaporta. Ata po udhëtojnë me këto karta identiteti të falsifikuara. Sipas marrëveshjes me organizatën “GIZ” ju ishit të detyruar t’u ofronit azil shumë qytetarëve, veçanërisht anëtarëve të MEK. Tani e kuptojmë më mirë, pse ata janë të vendosur në Tiranë, por i zhvillojnë eventet e tyre në Gjermani. Ku është marrëveshja me organizatën GIZ? Kjo situatë është shkaktuar nga liderët e qeverisë shqiptare. Sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen online të Bashkisë së Tiranës, kemi nxjerrë të dhënat e tyre dhe kemi fshirë serverat e tyre”.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) reagoi duke bërë të ditur se është bërë analiza fillestare e komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimit të pikave të hyrjes së sulmit, izolimit dhe kufizimit të përhapjes së ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura, si dhe janë marrë masat për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura.
Besmir Semanaj, eksperti i Sigurisë Kibernetike në një postim në rrjetin social “Facebook” shkruan se siguria kibernetike mbahet nëfshehtësi, arrogancë institucionale dhe frikë nga kritika. “Në një shtet demokratik, transparenca është jo vetëm detyrim, por edhe garanci për besim publik dhe mbrojtje efektive.”-veçon ai duke bërë një reagim publik mbi deklaratën e AKSK-së për Incidentin Kibernetik në Bashkinë Tiranë duke e quajtur si një tentativë për kufizim të informimit publik dhe kritikës së pavarur.
Shqipëria ka krijuar një historik të sulmeve kibernetike. Në vitin 2022 është prekur infrastruktura qeveritare duke tentuar të paralizoheshin një sërë shërbimesh publike, grabitje e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Pagat e shqiptarëve u bënë publike bashkë me numrat e telefonit. Pas kësaj ngjarjeje kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me republikën Islamike të Iranit.
Një tjetër episod regjistrohet në 2023 ku shënjestra është sistemi TIMS i Policisë së Shtetit. Asokohe u pezullua funksioni i sistemit kufitar dhe operacionet ndërkombëtare. Kjo solli vështirësi në qarkullimin kufitar dhe radhë të gjata pritjesh.
Përveç këtyre skandaleve të bujshme ka patur edhe situate të tjera të ndërprerjeve dhe ndërhyrjeve në portale qeveritare dhe databaza të shërbimeve publike. Semanaj në një analizë të rastit thotë së në asnjë rast nuk ka patur raporte të plota teknike, auditime të pavarura apo njoftime publike transparente mbi shkakun e sulmit, dëmet, masat konkrete, duke evidentuar edhe konfliktin e interesit mes policisë dhe AKSHI-t, pasi roli i policisë kufizohet në fazën hetimore, ndërsa AKSHI ofron infrastrukturën për institucionet e prekura.
Ftesa e AKSK-së konsiderohet si tentativë për censurë të tërthortë sipas Semanajt kur në fund shkruhet se për çdo informacion zyrtar, qytetarët dhe mediat ftohen të referohen vetëm në kanalet zyrtare të AKSK. Për të evituar përseritje të rasteve të sulmeve kibernetike Semanaj u kërkon qeverisë dhe institucioneve përkatëse të bëjnë një publikim të menjëhershëm të një raporti paraprak teknik me informacion bazë për incidentin, angazhimin e ekspertizës së pavarur për auditim të masave të sigurisë së Bashkisë Tiranë dhe subjekteve të tjera të prekura, ngritjen e një bordi të jashtëm për transparencë dhe përgjegjshmëri ndaj incidenteve kibernetike me ndikim publik dhe hartimin dhe zbatimin e një protokolli për njoftim publik në raste incidentesh, në përputhje me Ligjin Nr. 18/2018 dhe GDPR.


