
Nga Fatima Gorezi
Më shumë se 300 vende pune të humbura dhe disa departamente të mbyllura. Dakord, media udhëhiqet nga logjika e shëndoshë ekonomike (është një nga mësimet e para që merr në gazetari, së bashku me pohimin se media duhet të jetë e LIRË… kontradiktore me thënë të drejtën apo jo?). Nejse, përtej kësaj, kjo është patjetër një nga ditët më të errëta në historinë e një prej organizatave më të mëdha të lajmeve në botë dhe për çdo gazetar që ka kaluar orë të pafundme duke hetuar, shkruar dhe redaktuar lajmet që shkojnë tek opinioni publik.
“Washington Post”, një simbol i pavarësisë dhe cilësisë gazetareske, po përballet me një krizë që nuk ka të bëjë vetëm me financat, por edhe me vetë natyrën e medias në epokën digjitale. Për shumë dekada, gazeta ka ofruar shërbim publik me standarde të larta dhe ka ngritur nivelin e raportimit investigativ. Sot, ajo po paguan çmimin e transformimeve të shpejta teknologjike dhe ndryshimeve të preferencave të lexuesve.
Ekzekutivi kryesor i gjigandit mediatik, Matt Murray e përshkroi tkurrjen e gazetarëve si një hap drejt “stabilitetit”, por për gazetarët e prekur dhe ish-liderët e gazetës, kjo është diçka më shumë se një statistikë. Kjo është humbja e identitetit profesional, e hapësirës për të hetuar dhe informuar qytetarët, dhe e mundësisë për të ushtruar detyrën morale të një media të lirë. Shumë punonjës të larguar dolën publikisht, duke shprehur dhimbje dhe zemërim për mbylljen e departamenteve të huaja dhe për humbjen e zërit të raportimit mbi çështjet globale.
Në këtë situatë, më kujtohet fjala e kryeministrit kanadez Mark Carney në Davos: “Nostalgjia nuk është as strategji dhe as zgjidhje.” E njëjta gjë mund të thuhet për gazetarinë. Mendoj se jemo përpara asaj epoke ku nuk mund të jetosh në kujtimet e lavdisë së shkuar të lajmeve investigative ose të besosh se formatet tradicionale do të mbeten të mjaftueshme për të kapur lexuesin e sotëm. Ka ardhur koha për rishpikje, për të menduar se si media mund të jetë e qëndrueshme, e pavarur dhe po aq relevante sa ka qenë dikur, por në një botë që ndryshon me shpejtësi.
Pyetja është: Si do të duket kjo rishpikje? Si do të bëhet? A do të jetë më e mirë, duke integruar teknologjinë dhe angazhimin më të thellë me publikun, apo më e keqe, duke komprometuar etikën dhe cilësinë për shkak të presionit ekonomik? Nuk e dimë. Por ajo që dihet është se për secilin gazetar që humbet vendin e punës, dhe për çdo lexues që humb mundësinë për një raportim të pavarur dhe të besueshëm, kjo është një kujtesë e fuqishme se media nuk është një ”biznes” i zakonshëm: ajo është themeli i demokracisë dhe i shoqërisë së informuar…është një domen publik.
Ndonëse tkurrja e stafit të një medie që e kemi pasur referencë të një gazetarie cilësore dhe me standard është e dhimbshme, gjithashtu ky moment mund të shërbejë si katalizator për ndryshim. Gazetaria, sikundër çdo industri tjetër, duhet të përshtatet, të rigjejë rrugën e saj dhe të rishikohet në mënyrë që të mos humbasë lidhjen me ato që e bëjnë të domosdoshme: kërkimin e së vërtetës, hedhjen dritë mbi çështje të rëndësishme dhe mbi të gjitha mbrojtjen e interesit publik.
Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Businessmag.al”


