
Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile ka reaguar pas një mesazhi të deputetit socialist Ardit Bido ndaj drejtueses se “BIRN Albania”, Kristina Voko. Mësohet se Bido ka shkruar: “Kristina, greke, promotorja kryesore e sulmit ndaj projektit të Zvërnecit, pasdite shan projektin e paradite na kërkon që mediat shtetërore dhe private shqiptare të japin emisione në greqisht”. Bido i referohet një videoje ku Voko flet në seancën dëgjomore të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mediat e Informimit Publik. Sipas tij: “Për këdo që nuk e di e për këdo që, si unë, beson te mbrojtja e të drejtave të pakicave: nuk ka asnjë detyrim nga legjislacioni kombëtar a ndërkombëtar për programe në gjuhën e pakicave nga televizionet kombëtare jopublike. Ka detyrim vetëm për RTSH, e unë jam krenar që ky vend nga viti 1946 në Radio Gjirokastra e nga viti 2014 në RTSH2 ka programe për pakicat.”
Ai shton se: “BIRN, që “mbron gazetarinë”, hallin nuk e ka te 1000 hallet e gazetarëve, por te ëndrrat e Kristinës për të pasur gjuhët e pakicave, veçanërisht të asaj më të madhe (greqishten) kudo e ngado! Sa keni këta në krah, më keni KUNDËR!”
Koalicioni ka publikuar një deklaratë të përbashkët duke shprehur shqetësim të thellë për shënjestrimin publik të Kristina Vokos, Drejtoreshë Ekzekutive e “BIRN Albania”, nga deputeti Ardit Bido. Përmes një deklarate sqarohet se Voko ka ngritur një shqetësim të qartë ligjor lidhur me detyrimin e transmetuesit publik për të ofruar informacion dhe përmbajtje gjithëpërfshirëse, përfshirë për pakicat kombëtare dhe personat me aftësi të kufizuara.
“Ky shënjestrim po ndodh në një kontekst veçanërisht të ndjeshëm, ndërsa qytetarë, aktivistë, media dhe organizata të shoqërisë civile po ngrenë shqetësime lidhur me mbrojtjen e mjedisit, transparencën, konsultimin publik, llogaridhënien dhe respektimin e shtetit të së drejtës, në lidhje me ndërtimet në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës”, thekson deklarata.
Sipas koalicionit kjo bëhet për të larguar vëmendjen nga çështjet me interes publik dhe krijon një klimë intimidimi ndaj shoqërisë civile, medias dhe qytetarëve që marrin pjesë në debatin publik.
Më tej koalicioni i ka bërë thirrje deputetit Bido të fshijë postimin dhe të kërkojë ndjesë publike. Kërkesa e tyre i drejtohet edhe Kuvendit dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste që të distancohen nga çdo gjuhë që shënjestron përfaqësues të shoqërisë civile, medias apo qytetarë mbi bazë etnie, gjuhe, origjine apo qëndrimi kritik. Po ashtu i është kërkuar edhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ta shqyrtojë rastin brenda mandatit të tij ligjor.


