
Kozeta Garret është drejtoresha Globale e Sigurisë Kibernetike në kompaninë “Microsoft”. Me një profil publik modest ajo ka pushtetin e një prej emrave lider në teknologjinë. Garreti vjen nga qyteti i Sarandës nga një familje arsimtarësh. Shkallët e karrierës i ka ngjitur duke ndjekur pasionin për matematikën, por nuk mbeti me kaq. Pasi u diplomua për matematikë në Shqipëri dhe Itali, regjistrohet në ciklin master në Holandë e Kuvajt. Karriera e saj vijon në Gjermani ku punon për ushtrinë gjermane e më pas vijon të thellojë studimet në SHBA për teknologji, e cila tashmë është kthyer në fjalën kyçe të zhvillimit botëror.
Kozeta Garret diplomohet në universitet më të mira për t’u ndalur tek kompania “Microsoft” ku tashmë falë përvojës dhe profesionalizmit mban postin e drejtoreshës Globale të Sigurisë Kibernetike. Prej 9 vitesh ajo është shqiptarja që arrin një nga postet më të larta të gjigantit “Microsoft”, ndërsa më herët ka dhënë kontributin e saj edhe për “Northrop Grumman” një nga kompanitë më të njohura në fushën e aeronautikës dhe teknologjisë mbrojtëse dhe “Mcafee” e fokusuar te zgjidhjet e sigurisë kibernetike për individë dhe organizata.

“Sigurimi i së ardhmes në një botë të udhëhequr nga inteligjenca artificiale” ishte tema që ajo mbajti në konferencën ndërkombëtare “ACT Now 2025” organizuar nga “Albanian Council for Technology & Innovation” të mbajtur në Shqipëri. Garreti solli përvojën e saj mbi inteligjencën artificiale dhe sfidat e inovacionit në epokën digjitale. Bashkë me Garretin që përfaqësonte “Microsoft”, ishin edhe drejtues të lartë të “IBM”, “Oracle” dhe “Check point”.
Duke folur për “Business Magazine Albania”, Garreti tha se është krenare si Shqipëria ka avancuar me teknologjinë dhe Inteligjencën Artificiale. Ajo u shpreh e kënaqur pasi ka edhe shumë shqiptarë të tjerë që punojnë në “Microsoft” në vende të ndryshme të botës. Kozeta Garret dhe Mira Murati janë gratë me origjinë shqiptare që kanë bërë njerëzimin të hapë një kapitull të ri të perceptimit përmes teknologjisë dhe zhvillimit të shpejtë.



