
Kostas Simitis, ish-kryeministër i Greqisë i cili mbikëqyri hyrjen e vendit të tij në monedhën e euros dhe përgatitjet për Lojërat Olimpike të vitit 2004. Ai ndërroi jetë të dielën në një spital në Korint, Greqi në moshën 88 vjeçare. Grigoris Karpouzis, drejtori i spitalit konfirmoi vdekjen e tij në një deklaratë, por nuk dha asnjë shkak. Qeveria greke shpalli katër ditë zie kombëtare për Simitis, i cili do të nderohet dhe me një ceremoni varrimi shtetërore. Një politikan i qetë, i cili gëzoi popullaritet tek votuesit, Simitis tregoi shumë simpati për kapitalizmin dhe Shtetet e Bashkuara. Dy mandatet e tij të njëpasnjëshme shënuan periudhën më të gjatë të pandërprerë të një kryeministri modern grek edhe pse paraardhësi i tij Andreas Papandreou, shërbeu përgjatë tre mandateve të ndara nga një periudhë në opozitë. Si organizimi i lojërave ashtu edhe adoptimi i euros në vitin 2001, dukeshin se përfaqësonin një vetëbesim, optimizëm dhe krenari kombëtare të pazakontë.
Megjithatë, në një vend ku të parët e lashtë grekë shpikën konceptin e “hybris-it” si një përbërës të fuqishëm të tragjedisë, të dyja zhvillimet kontribuan në një krizë të rëndë borxhi që ngriti pyetje mbi anëtarësimin e Greqisë në Bashkimin Evropian. Lojërat Olimpike Verore, të mbajtura pak pas largimit nga posti të Simitis, në Mars të vitit 2004 u prezantuan si një rikthim në shtëpi, jo vetëm në vendin e Lojërave Olimpike moderne të para në vitin 1896, por edhe në vendlindjen e lojërave të lashta në vitin 776 p.e.s. Por 17 ditët e garave dhe ceremonive kushtuan shumë më tepër sesa ishte planifikuar dhe krijuan edhe më shumë borxhe si rezultat i projekteve të mëdha infrastrukturore, të krijuara për të treguar Athinën si mikpritëse të Lojërave. Disa muaj më vonë, Komisioni Evropian kritikoi Athinën për falsifikimin e supozuar e të dhënave ekonomike me qëllim zëvendësimin e monedhës së saj, dhrahmisë me euron. Paralajmërimi parashikoi vite krizash dhe paketash ndihmëse që detyruan grekët të kalojnë një epokë brutale kursimesh dhe vështirësish.

Simitis duke treguar kartëmonedha euro në vitin 2001 gjatë një vizite në Fabrikën Kombëtare të Monedhës Greke në Athinë.
Shumë nga ndërkombëtarë përfshirë Robert Reich, ish-sekretarin amerikan të punës kritikuan gjithashtu Goldman Sachs, për arsyen se fitoi tarifa të mëdha për këshillimin e Greqisë mbi masat për të reduktuar vlerën kontabël të një pjese të borxhit të saj, në mënyrë që të kualifikohej për anëtarësimin në euro. Por Simitis, një ekonomist dhe jurist i trajnuar, i cili shërbeu dy mandate katër vjeçare si kryeministër, mbrojti historikun e tij, duke thënë se Greqia nuk mbante përgjegjësinë e vetme për krizën e borxhit dhe duke argumentuar se fajin për menaxhimin e dobët fiskal e kishin kundërshtarët e tij politikë konservatorë që e pasuan atë. Specifikisht, ai tha në një studim mbi rolin e Greqisë në krizën evropiane të borxhit, të publikuar në vitin 2014, se partia Demokracia e Re, e cila fitoi zgjedhjet e vitit 2004, tregoi një “indiferencë kriminale” ndaj nevojës për të ulur borxhin publik të vendit dhe e degradoi disiplinën fiskale në nivelin e një “fasade të thjeshtë.”

Simitis, në të majtë, dhe ministri i tij i jashtëm, George Papandreou, në vitin 2001 gjatë një samiti të Bashkimit Evropian-Ballkan.
Dy vite më parë, në një artikull në The Guardian, ndërsa Greqia përballej me borxhe gjithnjë e më të mëdha nga paketat ndërkombëtare të shpëtimit, Simitis këmbënguli se, kur Greqia u pranua në eurozonë, institucionet kryesore evropiane kishin kryer një “shqyrtim të hollësishëm” të përshtatshmërisë së saj ekonomike përpara se të miratonin anëtarësimin e saj në monedhën e re. Ndërsa kriza e eurozonës u përhap edhe te anëtarët e tjerë më të varfër të Bashkimit Evropian në periferi të jugut, Simitis shkroi se shkaku i vërtetë i krizës nuk ishte “ekstravaganca dhe deficitet e tepruara të supozuara të Greqisë,” por një pabarazi më themelore midis vendeve të pasura veriore, si Gjermania, dhe ekonomive më pak të zhvilluara jugore. “Greqia ndezi krizën e eurozonës, por nuk ishte shkaktarja e saj. Shkaku qëndron në faktin se eurozona është një bashkim i plotë monetar, por një bashkim i paplotë ekonomik dhe fiskal i shteteve anëtare me struktura të ndryshme: ekonomitë më të zhvilluara të veriut evropian dhe ato më pak të zhvilluara të jugut evropian.”-tha asokohe ai.
Jeta e tij
Konstantinos Simitis lindi më 23 qershor në vitin 1936, në qytetin grek të Pireut pranë Athinës, nga çifti Georgios Simitis, një profesor në shkollën e shkencave Ekonomike dhe Tregtare në Athinë dhe bashkëshortja e tij Fani Christopoulou, një aktiviste feministe me prirje të majta. Simitis kishte vetëm një vëlla më të madh, Spiro i cili u bë një jurist i shquar, i specializuar në mbrojtjen e të dhënave në Gjermani.

Costas Simitis në vitin 1994. Ai u bë kryeministër i Greqisë në vitin 1996. Kur përfundoi mandati i tij, një gazetë tha: “Simitis nuk e bëri Greqinë të përkryer, por ai e ndihmoi ta bëjë atë më të mirë.”
Ai studioi në Gjermaninë Perëndimore dhe në Londër para se të kthehej në Athinë, por u arratis nga vendi për të shmangur arrestimin gjatë sundimit të juntës ushtarake nga viti 1967 deri në 1974. Ai ishte një nga themeluesit e Lëvizjes Pan-Helenike Socialiste, e njohur me inicialet greke si PASOK, së bashku me Papandreou, ai shërbeu si ministër nën drejtimin e Papandreou, megjithëse të dy kishin mosmarrëveshje të vazhdueshme mbi politikat ekonomike. Papandreou dha dorëheqjen për arsye shëndetësore në fillim të vitit 1996, dhe 167 deputetët e partisë në parlament zgjodhën 59-vjeçarin Simitis për ta zëvendësuar. Ai kishte bërë fushatë brenda partisë si një modernizues pro-evropian, me një stil të qetë që binte në kundërshtim me stilin patriarkal dhe herë pas here kapriçioz të paraardhësit të tij të bujshëm. Ai la pas gruan e tij prej 60 vitesh, Daphne, dhe dy vajzat e tyre, Fiona Mouzakitis dhe Marilena Simiti.

Kryeministri grek, Costas Simitis dhe gruaja e tij Daphne mbërrijnë në Pallatin e Madh të Catherine gjatë festimeve për 300-vjetorin e Shën Petersburgut, më 31 maj 2003.
Ky shkrim është pronësi intelektuale e “The New York Times”. Lexo Këtu artikullin origjinal


