
Lowen kishte qëndruar disa ditë në Turqi për të raportuar për protestat që kanë shpërthyer pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, javën e kaluar.
Imamoglu, i cili mbahet në burg për akuzat për korrupsion që i mohon, shihet si rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Ai është zgjedhur nga partia e tij si kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2028. Në një deklaratë të lëshuar të enjten, “BBC” tha: “Në mëngjesin e 27 marsit, autoritetet turke e dëbuan korrespondentin e BBC-së, Mark Lowen, nga Stambolli, pas një ndalimi të tij në hotel ditën e kaluar, ku ai u mbajt i ndaluar për 17 orë.”
Të enjten në mëngjes, gazetarit iu dorëzua një njoftim me shkrim që e dëbonte për “krijimin e një rreziku për rendin publik,” thuhej në deklaratë.
Mark Lowen tha: “Të arrestohesha dhe të dëbohesha nga vendi ku kam jetuar më parë për pesë vjet dhe për të cilin kam një dashuri të madhe ka qenë shumë shqetësuese. Liria e shtypit dhe raportimi i paanshëm janë thelbësore për çdo demokraci.”
Shefja e BBC-së për Lajmet, Deborah Turness, shtoi: “Ky është një incident shumë shqetësues dhe do të bëjmë kërkesa pranë autoriteteve turke. Mark është një korrespondent shumë i përvojësuar me një njohuri të thellë për Turqinë dhe asnjë gazetar nuk duhet të përballet me këtë trajtim thjesht për faktin se po kryen punën e tij. Ne do të vazhdojmë të raportojmë në mënyrë të paanshme dhe të drejtë për ngjarjet në Turqi.”
.Shënim: Ky shkrim është pronësi intelektuale e “BBC”-së. Për më shumë lexo KËTU.


