Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës ka përsëritur thirrjen për qeverinë shqiptare që të ndalojë punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë. Javën e kaluar në datat 2-6 dhjetor u mbajt mbledhja vjetore e Komitetit në Strasburg, ku mes shumë çështjesh të tjera u diskutua dhe për Shqipërinë, konkretisht për pasojat negative që mund të kenë zhvillimet e centraleve hidroelektrike përgjatë lumit Vjosa, si dhe ndërtimi i Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës brenda zonës së mbrojtur (kliko këtu për vendimin e plotë).

Për çështjen e aeroportit, Komiteti i Konventës së Bernës shprehu “keqardhje të fortë” që punimet kanë vijuar. Konkretisht në pikën 126 të vendimit thuhet:”Komiteti i Përhershëm… shprehu megjithatë një keqardhje të fortë që ndërtimi i aeroportit vazhdoi, pavarësisht dispozitave të qarta të Rekomandimit Nr. 219 (2023) dhe thirrjeve të përsëritura nga Byroja për të pezulluar ndërtimin deri sa të kryhej një procedurë e re dhe e mjaftueshme e Vlerësimit të Pasojave Mjedisore (VPM) dhe të bëhej një vlerësim i duhur i pasojave mjedisore.”

Komiteti arrin në këtë përfundim pasi dy organizatave mjedisore shqiptare (EcoAlbania dhe PPNEA), ishin ankuar lidhur me ndikimet e mundshme negative të ndërtimit të Aeroportit të Vlorës. Pas leximit të raportit të tyre por edhe të qeverisë, për të disatën herë ky komitet ka ngritur shqetësimin për rreziqet në habitatet natyrore të zonës.

Në të njëjtën kohë, në vendim shprehet një “shqetësim i thellë” lidhur me ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, duke theksuar se ky “mund të shkelë parimet dhe detyrimet e përcaktuara në Konventën e Bernës, dhe mund të lehtësojë shkeljet e dispozitave të saj”. Komiteti ka kërkuar një rishqyrtim të këtij ligji nga autoritetet shqiptare për të siguruar përputhshmërinë me Konventën. Po ashtu kërkoi të dhëna konkrete mbi masat për të zbutur pasojat mjedisore të ndërtimit të vazhdueshëm të aeroportit si dhe një përditësim mbi planin e menaxhimit për zonën. Ky përditësim duhet të përfshijë informacion të detajuar mbi përmbajtjen e planit dhe masat për të siguruar zbatimin e tij efektiv për të mbrojtur mjedisin. Mes të tjerash, Komiteti “inkurajoi autoritetet të angazhohen aktivisht me shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara për të avancuar zbatimin e Rekomandimit Nr. 219 (2023).”

Kjo nuk është hera e parë që Konventa e Bernës kërkon ndalimin e Aeroportit të Vlorës për shkak të shqetësimeve mbi rrezikun e biodiversitetit. E njëjta thirrje është bërë edhe në vitin 2022 si dhe është përsëritur në vitin 2023.

Kantieri i ndërtimit të Aeroportit të Vlorës

Reagimi i organizatave mjedisore në Shqipëri

Pas këtij vendimi EuroNatur dhe organizatat partnere shqiptare PPNEA dhe EcoAlbania mirëpritën qëndrimin për ndalimin e punimeve dhe që ngriti shqetësime për ligjin e ri për zonat e mbrojtura në Shqipëri (kliko këtu). Sipas organizatave, ky ligj krijon një precedent të rrezikshëm, duke lejuar projekte shkatërruese si aeroporte dhe hotele luksoze në zonat me vlerë ekologjike të veçantë, siç është rasti i projektit për marrjen e ujit në lumin Shushica.

Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania: “Miratimi i ligjit të ri për Zonat e Mbrojtura është një precedent i rrezikshëm dhe sistemik që mund të legjitimojë projekte shkatërruese brenda zonave të mbrojtura, duke çuar në një fragmetim të pakthyeshëm ekologjik të tyre në të ardhmen. Ne ndajmë të njëjtat shqetësime me Konventën e Bernës në këtë drejtim dhe këmbëngulim që ligji të rishqyrtohet për t’u shfuqizuar”.

Zydjon Vorpsi nga PPNEA: “Është për të ardhur keq që kantieri i ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po shndërrohet në një kantier shkatërrimi për Vjosë-Nartën. Vetë aeroporti do të jetë mjaft shkatërrues, por ajo që vjen me të është edhe më keq. Qeveria po vendos një precedent të rrezikshëm, sipas të cilit infrastruktura e transportit dhe turizmit mund të pushtojë Zonat e Mbrojtura. Deklarata e Konventës së Bernës duhet konsideruar si ndihmë për autoritetet shqiptare, të cilët kanë mundësinë të tërhiqen dhe të respektojnë ligjet kombëtare dhe marrëveshjet ndërkombëtare”.

Viktor Berishaj, Oficeri i Lartë i Politikave në EuroNatur: “Qeveria shqiptare ka treguar edhe një herë shpërfilljen ndaj Konventës së Bernës, megjithëse është Palë Kontraktuese e saj. Kërkesa jonë është e thjeshtë: Qeveria shqiptare dhe autoritetet përkatëse të ndjekin shtetin ligjor dhe të mos deformojnë kuadrin ligjor, siç bënë me ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshime që sfidojnë vetë qëllimin e ligjit për të mbrojtur natyrën”.

Çfarë është Konventa e Bernës? Konventa e Bernës e njohur zyrtarisht si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër Evropiane dhe Habitateve Natyrore, është një traktat ndërkombëtar detyrues për ruajtjen e natyrës. Shqipëria e nënshkroi këtë konventë në vitin 1995, dhe ajo hyri në fuqi në maj 1999.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Ola Xama Të dhënat për numrin e policëve të plagosur apo vlerën e objekteve të dëmtuara në protestë, për herë të parë nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht kam pëlqyer...
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi "The Wall Street Journal" raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie...
/ Oct 13