
Në kantierin e ndërtimit në Aeroportin e Vlorës është thelluar tensioni. Përfaqësuesit e kompanisë “2A” të Valon Ademit nuk ka lejuar të futen në kantier punonjësit e kompanisë “Mabco Constructions S.A”, në pronësi të Behgjet Pacollit. Pas kësaj ka reaguar kompania e Pacollit. Pretendohet se ai ka të drejtë ligjore për të vijuar punën për realizmin e projektit. Kundërshtarët e “2A-së” thotë se hyrja e punonjësit të kompanisë “Mabco Constructions S.A”, është e paautorizuar. Palët janë në pritje të vendimit të autoriteteve për të qartësuar konfliktin dhe pretendimet, pas verifikimit të kontratave.
Ekipi ligjor i kompanisë “Mabco Constructions S.A”, ka denoncuar rastin si aksioner mazhoritar me 98% të kuotave në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. Sipas tyre pengesat po çojnë në vonesa serioze në realizimin dhe hapjen e projektit. Në një deklaratë për mediat, kompania shprehet se: “Rreth 200 punonjës të shoqërisë “Mabco Constructions S.A”… si dhe të nënkontraktorëve të saj, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ndërtuar dhe ngritur. “Mabco Constructions S.A” është ortaku mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitori kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte”.
Kompania thotë se pengimi është i paligjshëm dhe i njëanshëm nga persona nën drejtimin e një administratorit Vegim Hoxha, “Emërimi i të cilit aktualisht është objekt shqyrtimi gjyqësor”, shprehet kompania e Pacollit. Ata e quanë këtë qëndrim si cënim të rëndë të të drejtave si ortak, investitor dhe garantues financiar i projektit koncesionar. “Mabco Constructions S.A” ka bërë thirrje autoriteteve të veprojnë pa vonesa për të sqaruar situatën, ndërkohë aktivistët mjedisorë kundërshtojnë aeroportin dhe resortin në Zvërnec.


