Konflikt i ri mes Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit dhe mediave në Kosovë. E gjitha nisi me publikimin e një artikulli nga “Slobodna Bosna”, e cila thotë se dy media në Kosovë paguhen nga Serbia.

Mediat që akuzohen janë “Nacionale” dhe “Periskopi” të cilat drejtohen nga gazetarët Berat Buzhala dhe Ilir Mirena.

Akuza është mjaft e rëndë dhe menjëherë pas këtij artikulli dy deputetë të Vetëvendosjes e shpërndanë atë në rrjetet e tyre sociale. Sikur të mos mjaftonte reagimi i deputetëve të Vetëvendosjes, ashtu edhe Radio Televizioni Publik i Kosovës e përktheu artikullin duke i kushtuar hapësirë në kronikat televizive dhe hapësirë në uebsajtin zyrtar.

Kjo ka sjellë një debat jo vetëm mes Vetëvendosjes dhe medieve, por edhe mes RTK-së dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Por le ta nisim me radhë. Çfarë ndodhi konkretisht?

Çfarë tha media boshnjake

Media boshnjake “Slobodna Bosna” në një artikull me titull “Sekreti i madh i BIA-s së Vuçiçit – Çfarë fshehu Presidenti i Serbisë nga Scholzi dhe pse Dodik nuk mundi të përmbahej…” ndalet në dy paragrafe edhe për Kosovën.

Në pjesën ku flitet për Kosovën, gazeta boshnjake duke u bazuar në rrëfimin e një politikani disident serb, Boban Bogdanoviç, flet për kontrollin që Aleksandar Vuçiç po përpiqet të ketë mbi mediet në rajon.

Në rastin e Kosovës, thuhet se janë dy media të cilat financohen nga Serbia.

“Pas ‘aksioneve’ në Mal të Zi, radhën e sulmit mediatik e ka Kosova, ku siç kanë zbuluar bashkëbiseduesit tanë nga ai vend, i pari ka ardhur portali Periskopi, i cili është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiç, e së fundmi u përfundua edhe transaksioni miliona dollarësh i Nacionales, i cili u vu në dispozicion të regjimit të Vuçiqit me tekste kritike për qeverinë e Albin Kurtit dhe shkaktoi zemërim te shqiptarët e Kosovës.”- thuhet në artikull i cili vijon më tej duke thënë se Vuçiç po përpiqet të blejë dhe mediet në Bosnjë.

Si reaguan deputetët e Vetëvendosjes

Akuza shumë e rëndë e medias boshnjake, nuk mbeti pa u vërejtur nga dy deputetë të Vetëvendosjes Dimal Basha dhe Salih Zyba, të cilët sapo lexuan artikullin, menjëherë e shpërndanë në llogaritë e tyre në rrjetet sociale.

Ata drejtuan akuza të rënda ndaj drejtuesve të dy medieve kosovare, duke i quajtur “kriminelë”.

“Këta janë kriminelë që fshehen pas petkut gazetaresk për me ia bë argatin Serbisë!’– shkruan Basha.

Deputeti tjetër shkruan: “Ka lajme që nuk jepen dhe ka lajme që jepen por nuk bëhen LAJM. Shembull: e përditshmja boshnjake Slobodna Bosna sot ka publikuar një hulumtim të saj në të cilin ka zbuluar planet e Beogradit/Vuçiçit për ndikim dhe kontroll të medieve në rajon, përfshirë edhe në Kosovë. Dy medie të Kosovës iu përmenden emra, Periskopit dhe Nacionales. Slobodna Bosna ka paralajmëruar edhe shkrime tjera. Deri atëherë, ky është lajmi.”

Kaq ka mjaftuar që të tjerë nga Vetëvendosja të reagojnë dhe të vihen kundër dy mediave dhe gazetarëve të Kosovës.

Dimal Basha dhe Salih Zyba

Çfarë bëri Radio Televizioni i Kosovës

Por nuk mbaron këtu. Radio Televizioni Publik i Kosovës gjithashtu i kushtoi hapësirë televizive dhe hapësirë në uebsajtin e saj artikullit të medias boshnjake. Artikulli i plotë i medias boshnjake u përshtat në shqip i plotë.

RTK në një shkrim thotë se emrat e dy mediave të Kosovës nuk i ka përmendur, por Asociacioni i Gazetarëve ka publikuar një screenshot ku tregohet se emrat e dy medieve janë publikuar fillimisht. Mesa duket shkrimi i RTK-së është edituar.

Screenshoti i publikuar nga Asociacioni i Gazetarëve ku tregohet se emrat e dy medieve janë publikuar nga RTK

Si reaguan dy mediet e akuzuara

Por kjo ka sjellë reagime nga dy mediat, që megjithëse RTK nuk i ka identifikuar menjëherë me emër, kush e ka ndjekur portalin boshnjak e di se për kë bëhej fjalë.

Gazetarët Berat Buzhala dhe Ilir Mirena, të cilët udhëheqin përkatësisht Nacionalen dhe Periskopin kanë reaguar duke thënë se këto akuza janë shpifje dhe për më tepër nuk e kuptojnë pse RTK iu ka referuar mediumit të shtetit fqinj.

“Fatkeqësisht, një shpifje të tij të radhës po e shpërndajnë deputetë dhe aktivistë të VV’së. Shpifjen e tij e paska publikuar edhe televizioni publik, RTK, tashmë i kapur nga pushteti i Kurtit… Publicitetin që po ja jep pushteti i Kurtit deklaratave të një njeriu si ky, tregon sa keq i ka punët ky pushtet. Dhe, për t’u dukur më kredibile fushata e tyre kundër mediave, përdorin e keqpërdorin serbë të cilët as komuniteti i vet nuk i do. Shpresa u ka mbetur të Bogdanoviçët, se shqiptarë me dy fije mend më nuk u besojnë shpifjeve të VV-së”– ka shkruar Mirena.

Madje Mediumi Periskopi, përmes katit Arianit Koci, ka njoftuar përgatitur padi ndaj politikanit serb Boban Bogdanoviç – megjithatë thotë se ende nuk është gjetur adresa e tij.

Gazetari Berat Buzhala gjithashtu është një prej shumë profesionistëve që ka reaguar lidhur me këtë histori, duke thënë: “Po më dhimen shumë kolegë të mirë që sot duhen me punu në RTK. Ata kanë me u përmend për të keq pas disa vitesh, qysh kanë hesht kur janë detyru me bo lajme me porosi, kundër kolegëve të tyne. Madje edhe qysh nuk ju ka ardh marre me i lexu. Tregoni pak dinjitet se kena me u taku në rrugë.”

Në një postim tjetër Buzhala thotë se këto “taktika të poshtra” vetëm RTS-i i Millosheviçit i bënte, për të frikësuar kundërshtarët e tij.

Ai reagoi sërish duke thënë se do paditë dhe RTK-në dhe median boshnjake.

Në debat futet dhe PDK

Në këtë debat është futur dhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila shprehet se është e frikshme tendenca e pushtetit për ta shtypur çdo fjalë dhe mendim ndryshe.

“Tjetër ditë – tjetër sulm i Qeverisë dhe eksponentëve të saj ndaj mediave dhe gazetarëve. Demokracia dhe media e lirë shkojnë së bashku, prandaj duket se kësaj Qeverie nuk po i intereson as njëra dhe as tjetra.”-thotë ajo duke shtuar se është e dhimbshme dhe e frikshme të shohësh këtë tendencë të pushtetit për të shtypur çdo fjalë dhe çdo mendim ndyshe.

Këtu vlen të theksohet se Berat Buzhala ka qenë deputet i PDK-së.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku

Si reagoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që e quajti të papranueshme gjuhën e deputetëve të VV-së dhe për më tepër edhe raportimin e medias publike. Këtë AGK e konsideroi një fushatë që rrezikon seriozisht sigurinë e gazetarëve.

“Shkrimi i ‘Slobodna Bosna’, bazohet në burime dhe në deklaratat e një individi kontrovers, me emrin Boban Bogdanoviq, që thotë se është disident politik serb. AGK-ja, dënon fuqishëm këtë fushatë të rrezikshme dhe të papranueshme të deputetëve të partisë qeverisëse, Vetëvendosje, që i targeton këto dy mediume dhe gazetarët që punojnë aty. Fushata si kjo, e rrezikojnë seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediumeve, dhe Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre. I bëjmë thirrje të përsëritur kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, që të mos angazhohen në fushata të tilla të papranueshme, që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve në Kosovë për të bërë punën e tyre. AGK-ja, gjithashtu shpreh keqardhje që një ‘lajm’, si ky që sulmon kolegët, ka gjetur hapësirë edhe në Lajmet Qendrore të Televizionit Publik të Kosovës.“-reagoi Asociacioni.

Vetëvendosja këmbëngul

Pavarësisht se çfarë thotë Asociacioni i Gazetarëvet ë Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje është e sigurt në atë që thotë. Që media boshnjake është serioze dhe që Vuçiçi vërtet po përpiqet ose i ka blerë shumë medie.

Zyrtarja e VV-së , Dejona Mihali ka reaguar përsëri në rrjetin social “Facebook” duke thënë se media boshnjake ‘Slobodna Bosna’ është një media serioze e hapur që prej vitit 1995 dhe e konsideron shumë të besueshme dhe që gazetarët e saj nuk mund të mos merren seriozisht.

“Asociacioni i gazetarëve do të ishte më mirë të tregonte profesionalizëm dhe të sugjeronte hetime për rastin që kolegët gazetarë boshnjakë kanë publikuar. Pra, nëse vërtetë Vuçiç dhe rrjeti i tij kriminal ka dorë brenda në Kosovë.”- tha Mihali duke shtuar se shkrimet që flasin për Serbinë e Vuçiqit dhe përpjekjet e tij për destabilizim në rajon e Kosovë do të vazhdojnë t’i shpërndajnë e do të reagojnë për to.

Pas fjalëve të zyrtares së VV-së ka reaguar përsëri AGK duke thënë se kjo është në vazhdën e sulmeve të partisë së Albin Kurtit kundër mediave.

“Për AGK-në, qëndrimi i fundit i Mihalit vjen në serinë e sulmeve të koordinuara të pushtetit të Vetëvendosjes kundër medieve dhe gazetarëve në Kosovë. Thirrja për hetime ndaj një shkrimi pa autor, që nuk ofron asnjë fakt e dëshmi për pretendimet e veta, është e papranueshme dhe ka për qëllim intimidimin e gazetarëve në Kosovë. “- thotë Asociacioni.

Debati vijon ende dhe mediet e akuzuara thonë që do shkojnë në gjykatë për këtë.

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota pro projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet e propozuara lidhen edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Nisma e PDK-së kishte...
/ Oct 5