
Menjëherë pas publikimit të videos së një të moshuare të vetmuar, e cila kërkonte ndihmë pasi nuk kishte askënd që t’i ngrinte automatin e dritave apo t’i blinte bukën, komuniteti i Gogo.al nisi të organizohej për t’u ardhur në ndihmë të moshuarës që jeton vetëm.
Videoja u publikua fillimisht nga Endri Tafani, i cili tregoi vështirësitë me të cilat përballet e moshuara, duke ngritur shqetësimin për gjendjen e qindra mijëra të moshuarve në Shqipëri, të cilët jetojnë vetëm dhe kanë fëmijët emigrantë.
“Ishte shumë e dhimbshme si situatë dhe bëhet akoma më e dhimbshme po të mendosh që sot në Shqipëri ka me qindra mijë të moshuar, të vetmuar, me fëmijët jashtë dhe shërbimet e asistencës janë pothuaj inekzistente.Morali i një kombi shihet nga mënyra si i trajton të moshuarit, fëmijët dhe kafshët dhe, për fat të keq, jemi duke dështuar në çdo drejtim”, shkruan Tafani.
Një prej komentuesve sugjeron krijimin e grupeve vullnetare nëpër lagje, me një numër të përbashkët telefoni, përmes të cilit të moshuarit mund të kërkojnë ndihmë për nevojat e përditshme, si blerja e ushqimeve apo e ilaçeve në farmaci.
Ideja është mbështetur edhe nga komentues të tjerë, të cilët propozojnë krijimin e një organizate vullnetarësh dhe theksojnë se angazhimi duhet të jetë i vazhdueshëm.
“Nëse bëhet organizim i përgjithshëm, mund të angazhohemi të gjithë nga pak, sepse do të jetë punë e gjatë dhe e vazhdueshme”, shkruan një prej ndjekësve.
Reagimet tregojnë se videoja nuk solli vetëm sensibilizim, por nxiti edhe dëshirën e qytetarëve për t’u organizuar dhe për të ndihmuar konkretisht ata që kanë më shumë nevojë.
Kushdo që ka mundësi të ndihmojë të moshuarën, mund të orientohet në këtë zonë, duke u lidhur edhe me institucionet publike si qendrat shëndetësore nëse do përgjigjen. Gruaja e moshuar banon në rrugën “Dhimitër Shuteriqi”. Rruga “Dhimitër Shuteriqi” kalon menjëherë pas Kristal Center, në zonën e Komunës së Parisit.

Edhe më parë Gogo.al e ka trajtuar çështjen e ndihmës ndaj të moshuarëve. Ndiqni historinë e së resë që quhet Elpina dhe si kontribuon ajo në komunitet.


