Mungon prova kryesore: Paratë. Gjyqtarja Mimoza Margjeka akuzohet për rryshfet por marrja apo dhënia e 6 mijë eurove nuk faktohet: as në flagrancë, as me përgjime, as me kontrolle të mëvonshme.

*****

Më 1 tetor, një video e pazakontë nisi të qarkullojë në disa televizione e portale. Një grua që dilte nga gjykata me akuzën e korrupsionit pasiv, e quajtur Mimoza Margjeka, edhe pse nën pengesa të forta të efektivëve të policisë që kishin për detyrë ta shoqëronin drejt shtëpisë për shkak të masës arrest shtëpiak që kishte marrë, ia doli të artikulojë pasazhe të forta, mes të cilave spikatën ato se mbi të po montohej politikisht një proces gjyqësor për shkak të vendimeve të dhëna prej saj.

Për këtë, gruaja që në këtë rast ishte gjyqtare përmendi gjykimin e saj për mandatin e socialistes Valbona Sako, ish-kryetares së Bashkisë Durrës, mandat që nuk ia kishte dhënë një vit më parë por po ashtu gjyqtarja dha edhe dy indicie të tjera: një dosje të Gjirit të Lalëzit gjykuar nga ajo si dhe një dosje tjetër e 25 policëve që i prisnin urdhrat detyrim paraqitje e një drejtor kufiri që sipas Margjekës “bënte drogën”.

E nervozuar dhe duke përdorur një ton të lartë, favorizuar edhe nga presioni i efektivëve të policisë që po e ndalonin të fliste, Margjeka tha:

“I keni parë, kush është goditur, kush është fut në burg ndonjëherë?! Vetëm ata që i kanë dalë përballë shtetit! Vetëm ata! Nuk i dhashë mandatin Bashkisë Durrës. Aty është një vend me mafie, me banda! Kriminalitet! Nuk e dhashë mandatin. Isha e bindur! Edhe sot ta kisha! Le të varroset familja ime, le të shkatërrohet! Nuk e meritonin mandatin, ish mashtrim!”

(Video)

Po çfarë ka ndodhur me këtë proces gjyqësor që në qendër ka një gjyqtare dhe bashkëshortin e saj? A është i montuar politikisht procesi ndaj gjyqtares që nuk u dha mandatin socialistëve? Për çfarë e ka fjalën ajo kur denoncon dosjet e Gjirit të Lalëzit, 25 policëve me detyrim paraqitje dhe drejtorit të kufirit “që bën drogën”?

Le t’i marrim me radhë të gjitha ngjarjet.

Dosja e dyshimtë

“Gogo.al” gjeti dosjen ku gjyqtarja Margjeka akuzohet për korrupsion pasiv, bashkë me të shoqin Arben Carën, dekanin e Fakultetit Juridik në Universitetin Aleksandër Moisiu, në shumën e 6 mijë eurove për të zbutur masat e sigurisë për dy të rinj të arrestuar për transport të paligjshëm klandestinësh.

Dy djemtë, të cilët gjyqtarja Margjeka i kishte në gjykim janë Orion Bali dhe Adi Mullalli, për të cilët dyshohet se ka ulur masën e sigurisë me garanci pasurore, kundrejt marrjes së parave. Ata janë arrestuar në Pogradec duke transportuar 5 shtetas nga Lindja e Mesme.

Megjithatë në dosjen për korrupsion pasiv kundër Margjekës përmenden Nejton Bali, vëllai i Orion Balit dhe Klaudjo Zhilla, që sipas prokurorisë bënte rolin e negociatorit për lirimin e Orion Balit kundrejt dhënies së parave.

Në historinë e ngritur nga prokurorja Enkeleda Millonai, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë përfshin edhe bashkëshortin e gjyqtares, Arben Carën dhe avokatin e Orion Balit, Skënder Demirajn.

Sipas prokurorisë, avokati Demiraj i ka premtuar Nejton Balit se do ndërhyjë tek funksionarët e sistemit të drejtësisë kundrejt 6 mijë eurove dhe po sipas prokurorisë Nejton Bali ka siguruar paratë e ia ka dhënë ato avokatit Demiraj. Demiraj sipas prokurorisë ka krijuar kontakte me disa shtetas në Korçë dhe i është marrë përsipër nga Klaudjo Zhilla mundësia e ndërhyrjes te gjyqtarët Olsi Xhavella (gjyqtari tjetër që kishte çështjen bashkë me Margjekën) dhe Mimoza Margjeka për shkak të njohjeve që kishte me Xhavellën dhe bashkëshortin e gjyqtares Margjeka, Arben Carën.

Prokuroria thotë se rezulton i dokumentuar komunikimi mes Zhillës dhe Carës dhe po ashtu edhe takimi, duke i mundësuar edhe takim me avokatin Demiraj.

“Ka dyshime të bazuara se shtetasi Skënder Demiraj i ka dhënë shtetasit Arben Cara shumën prej 6000 (gjashtë mijë) eurosh me qëllim zbutjen e masës së sigurimit që rëndonte ndaj shtetasit Orion Bali, dhe në vijim rezulton se ka pasur takime të shtetasit Klaudjo Zhilla edhe me shtetasin Arben Cara dhe shtetasen Mimoza Margjeka.

Shtetasi Nejton Bali nga ana tjetër i ka konfirmuar të emës se nga shtetasi Skënder Demiraj i është bërë e ditur se paratë i janë dhënë gjyqtarëve, se gjërat duken mirë dhe nëse nuk e ndryshojnë vendimin do të duhet të japin llogari. Ai i bën me dije të ëmës se masa e sigurimit që do të caktohet ndaj shtetasit Orion Bali do të jetë garanci pasurore para se vendimi të shpallej.

Në vijim rezulton e dokumentuar se në të vërtetë Gjykata e Apelit Korçë ka zbutur masën e sigurimit ndaj shtetasit Orion Bali duke caktuar atë të garancisë pasurore.”, thuhet në dosje.

Prokuroria mendon se rezultojnë të provuara një sërë elementësh, duke përfunduar se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar se nga ana e shtetasve Nejton Bali, Skënder Demiraj dhe Klaudjo Zhilla është konsumuar vepra penale e korrupsionit aktiv të gjyqtarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe gjithashtu ekziston dyshimi i arsyeshëm se nga ana e shtetasve Arben Cara dhe Mimoza Margjeka është konsumuar vepra penale e korrupsionit pasiv të gjyqtarit në bashkëpunim.

Si prova prokuroria rendit:

-Komunikimet e kryera mes shtetasit Nejton Bali dhe nënës së tij Afërdita ku i biri i sqaron asaj se shtetasi Skënder Demiraj i ka kërkuar fillimisht 6 000 (gjashtë mijë) euro për gjyqtarët e gjykatës së apelit Korçë, të cilët janë tre në trupë gjykuese dhe secili do të marrë nga 2 000 (dy mijë) euro; në vijim i konfirmon të ëmës që i ka dhënë 6 000 (gjashtë mijë) euro shtetasit Skënder Demiraj;

-Nga komunikimet që shtetasi Skënder Demiraj ka me shtetasin Klaudjo Zhilla, ku ky i fundit i konfirmon njohjet që ka me gjyqtarët dhe ndërhyrjet që mund të realizojë ku qartësisht identifikon shtetasit Mimoza Margjeka, Arben Cara dhe Olsi Xhavella dhe nga ana tjetër arrin të sigurojë takim mes shtetasve Skënder Demiraj dhe Arben Cara dhe nga ana tjetër takon vetë shtetasit Mimoza Margjeka dhe Arben Cara;

-Nga komunikimet që Nejtoni ka me shtetasin Skënder Demiraj, i cili i konfirmon se gjërat duken mirë megjithëse jo prerë se është takuar;

-Nga komunikimet që Nejtoni ka me të ëmën ku i sqaron se është rënë dakord që Orioni do të dalë me garanci pasurore, ende pa u dhënë vendimi gjyqësor,

-Nga fakti që shtetasit Orion Bali i është caktuar masa e sigurimit “garanci pasurore” sipas atyre që realisht Nejtoni i bënte me dije të ëmës;

-Fakti që ka pasur premtime nga shtetasi Klaudjo Zhilla për takime dhe ndërhyrje tek gjyqtarët etj.

A ka prokuroria prova të mjaftueshme?

Deri këtu, ndihmuar edhe nga raportimet e medieve në momentet e arrestimit të gjyqtares dhe bashkëshortit të saj, duket një situatë “e kopsitur me prova të forta të gjetura për çështjen” por në fakt situata nuk është kaq bardhë e zi.

Gjyqtarja Mimoza Margjeka gjatë shoqërimit nga efektivët e policisë

Pas një leximi të imtësishëm të dosjes kundër Margjekës vihen re disa elementë që të bëjnë të jesh e paqartë nëse gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj kanë marrë apo jo para. Në dosje mungon prova kokëfortë e marrjes apo dhënies së parave. Në të nuk ka as përgjime mes gjyqtares apo bashkëshortit të saj me të tjerët për dhënie e marrje parash madje as dhënie e marrje parash (prania fizike e të cilave mungon gjithnjë) por po ashtu as gjetje të kësaj prove kryesore, parave të pretenduara, në ambjentet ku ata jetojnë, punojnë apo qëndrojnë.

Ky është detaji i parë që bën përshtypje në dosjen kundër Margjekës, një dosje e “pakopsitur” plotësisht për të dënuar gjyqtaren, pretendimi i së cilës është se po goditet politikisht.

Po mbi çfarë baze është kërkuar ndaj saj dhe bashkëshortit të saj të dënohet për korrupsion pasiv?

Shkruhet në dosje:

“Me sjelljen e tyre këta shtetas kanë kryer veprime aktive që i ka implikuar ata në një aktivitet kriminal korrupsioni, ku nga njëra anë qëndrojnë shtetasit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin (Nejtoni me Skënderin dhe Skënderi me Klaudjon) i kanë dhënë shtetases Mimoza Margjeka me detyrë gjyqtare dhe bashkëshortit të saj Arben Cara një shumë prej 6 000 (gjashtë miijë) eurosh me qëllim, ndryshimin (zbutjen) e masës së sigurimit të caktuar nga Gjykata e Rrethit Pogradec, ndaj shtetasit Orion Bali, nga ajo e arrestit në burg në atë të garancisë pasurore”.

Me pak fjalë, prokuroria kërkon të burgosë disa persona, ndër të cilët edhe gjyqtaren Margjeka dhe bashkëshortin e saj për korrupsion pasiv duke patur disa elementë të cilët nuk janë plotësisht bindës.

Pra, kemi disa përgjime telefonike të njërës palë që diskuton dhënien e parave, edhe pse ato nuk janë të qarta plotësisht por nga ana tjetër nuk kemi përgjime, qoftë edhe ambjentale të të dy palëve që të faktohet konsensusi i palës që akuzohet për korrupsion pasiv, pra Margjekës dhe bashkëshortit.

Në mënyrë elementare fabulën mund ta përmbledhim kështu: Kushdo mund të diskutojë për ty në telefon për të të korruptuar dhe i bie që ti edhe mund të arrestohesh, duke u nisur vetëm nga disa takime me këta persona, me të cilët të lidhin edhe rrethanat (mund t’i kesh fqinj, të njohur, krushqi etj.) në të cilat mund të mos flitet për çështjen. Prokuroria në këtë rast është aty e të “kopsit” akuzat.

E bukura është se në rastin e Margjekës, nuk kemi as gjetjen e provës kryesore, parave, as me përgjime ambjentale Zhilla-Cara, Zhilla-Margjeka apo Cara-Margjeka por as edhe me gjetjen e tyre Kash, në shtëpi, xhepa, çanta, zyra, makina etj etj.

E vetmja provë që konsiderohet e fortë është takimi i Carës, madje dhe vetë Margjekës me atë që po sipas prokurorisë quhet Klaudjo dhe bënte rolin e sekserit.

Megjithatë prokuroria në bisedat e tyre nuk ka zbardhur asgjë kompromentuese.

Margjeka, sipas asaj që i ka thënë “Gogo.al” ka sqaruar se hoteli, pronar i të cilit ishte Klaudjo Zhilla, ishte vendi ku flinin dhe qëndronin për shkak të punës që kryente gjyqtarja në Korçë.

Faksimile e dosjes, zbardhje përgjimi nga koordinimi për një takim Cara-Zhilla

Po kështu në takimet mes Carës dhe Demirajt, nuk ka përgjime kompromentuese, madje në të vetmin përgjim telefonik mes bashkëshortit të Margjekës, Arben Carës dhe atij që mendohet nga prokuroria se është negociatori, shfaqet vetëm dakordësia për t’u takuar.

Gjithsesi një nga elementët e tjerë të fortë të prokurorisë është takimi i bashkëshortit të Margjekës me avokatin e Orion Balit nëpërmjet Klaudjo Zhillës që është pronari i hotelit ku flenë Cara dhe Margjeka, hotel që cilësohet edhe nga prokurorja Millonai se është në pronësi të Zhillës.

Po çfarë është folur mes tyre? Kjo nuk përcaktohet në dosje. Në dosje ka vetëm imazhe nga takimi.

Prokuroria dyshon se paratë 6 mijë euro janë dhënë më 28.07.2020, kur Cara, Zhilla dhe Demiraj janë takuar te restorant “Te Eleni”, pa dhënë asnjë provë kokëfortë që paratë janë nxjerrë dhe janë marrë.

Nga ana tjetër prokuroria quan element të rëndësishëm parashikimin që bën Nejtoni, vëllai i të arrestuarit për trafik emigrantësh, në biseda telefonike me të ëmën duke i thënë asaj që vëllai i tyre do dalë me garanci pasurore. Po sa mundësi ka për vendimin që do jepnin gjyqtarët Margjeka, Xhavella dhe gjyqtarja e tretë? Arrest me burg, arrest shtëpiak, garanci pasurore, detyrim paraqitje… A mund të jetë kjo thjesht një dëshirë e shprehur e vëllait për vëllanë?!

Vrimat e zeza të dosjes

Nga ajo që serviret nga hetimet e prokurorisë dhe argumentet e tyre mund të ngrihen lehtësisht shumë pikëpyetje.

Nga u mor indicia për hetimin? Në dosje thuhet veçse që policia gjyqësore ka marrë informacion në lidhje me veprimtari kriminale që dyshohet se është në fushën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.

Pse nuk ka asnjë detaj në këtë dosje lidhur me gjyqtarin Olsi Xhavella?

Kush është personi 60 vjeç që përmendet në dosje që ka pirë kafe me Margjekën dhe Carën?

Pse nuk ka asnjë provë, në foto, video, kontroll në moment apo pas për provimin e marrjes dhe dhënies së parave?

Pra, dy të rinj që mendohet se kanë fituar ndonjë lek me transport emigrantësh, së paku sipas prokurorisë që i ka hetuar, bien në “rrjetën” e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sepse paskan dashur të korruptojnë me 6 mijë euro gjyqtarët. Në “rrjetë” bie dhe gjyqtarja Margjeka, ndërsa jashtë saj si me magji mbetet gjyqtari Xhavella.

A janë këta gjyqtarë që bien në këto rrjeta “koka turku”? A janë ata peshqit e vegjël të “drejtësisë së madhe” të premtuar?!

A u përdor ky hetim për hakmarrje ndaj gjyqtares që u tha “JO” socialistëve?

A u përdor kjo çështje për një show mediatik?

Veprimet e Prokurorisë

Gjatë artikulimeve të saj para gazetarëve gjyqtarja Margjeka tha se dosja nuk kishte asnjë provë: “S’kanë asnjë provë! Është absurde! Është përrallë! Është thashethem!”. Ndërsa për “Gogo.al” gjyqtarja të gjithë këtë që po ndodh e përmbledh me fjalët se ka përballë “Një organizatë kriminale”.

Historia e Valbona Sakos

Më 17 korrik të 2019, mandati i së zgjedhurës së socialistëve për Bashkinë e Durrësit, Valbona Sakos u refuzua.

Gjyqtarja që mori këtë vendim ishte pikërisht gjyqtarja Margjeka. Ajo e cilësoi të paligjshëm mandatin e Sakos.

Valbona Sako, ish-kryetare e Bashkisë Durrës

Arsyetimi bazë pati të bënte me pjesëmarrjen e paligjshme në zgjedhje të Bindjes Demokratike, e cila u regjistrua pas datës së fundit kur lejohej regjistrimi i partive.

Por dy ditë më pas, në një vendim paralel në të njëjtën gjykatë mandati iu dha Sakos nga një tjetër gjyqtar, Shpëtim Reka, në shkelje të plotë të ligjit duke qenë se ndalohet rigjykimi i së njëjtës çështje nga e njëjta gjykatë, ndërsa teknaliteti që u përdor në këtë rast qe riformulimi i kërkesës nga Partia Socialiste dhe jo direkt nga Sako. Megjithatë Sako e ankimoi vendimin e Margjekës.

Fati politik i Sakos qe i shkurtër. Vetëm pak muaj më pas ajo dha dorëheqjen pas një deklarate me gafa, pas lëkundjeve sizmike në Shqipëri që morën jetë njerëzish.

Gjykimi dhe vendimi negativ i kësaj çështjeje është edhe shpjegimi që vetë Margjeka dha ditë më parë para gazetarëve pas hetimit dhe akuzave ndaj saj dhe bashkëshortit të saj për korrupsion pasiv.

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” është paraqitur nga disa medie afër qeverisë edhe si mbështetës i Partisë Demokratike.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)