
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), ka shprehur shqetësim për përdorimin e forcës joproporcionale nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve. Nisur nga përplasjet e qytetarëve me policinë para kuvendit më datë 2 korrik, KShH shkruan për monitorimin që i ka bërë përshkallëzimit të situatës dhe akteve të dhunës nga individë të veçanë. Përmes një deklarate KShH duke iu referuar nenit 47 të Kushtetutës, shprehet se: “Detyrimi i institucioneve shtetërore nuk kufizohet vetëm në lejimin formal të protestës, por përfshin edhe krijimin e kushteve që qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të sigurt dhe pa u ekspozuar ndaj përdorimit të panevojshëm ose joproporcional të forcës”.
KShH citon nenin 11 të Konventës Evropiane të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut ku sqarohet se aktet e izoluara të dhunës (hedhja e vezëve, gurëve nga individë të veçantë) nuk ia heqin tubimit karakterin paqësor në tërësi dhe as nuk i heqin mbrojtjen pjesëmarrësve paqësorë. Më tej Komiteti vëren se protesta ishte për një kohë të gjatë paqësore dhe se raste episodike nuk e cënojnë natyrën e saj. Është parë me shqetësim fakti se si u kalua nga një situatë e qetë te rrethimi dhe shtyrja e protestuesve dhe më pas te përdorimi i gazit lotsjellës. Në deklaratë shkruhet se pati një ndryshim në sjelljen e forcave të policisë në mënyrë të menjëhershme.

Shqetësimi më i madh është hedhja e gazit lotsjellës pa paralajmërim me qendër zëri dhe kjo nuk i dha kohë protestuesve që të largoheshin. Sipas KShH, kjo mund të përbëjë keqtrajtim dhe ndërhyrje joproporcionale në tubim, referuar standarteve të Gjykatës së Strasburgut, lidhur me nenin 3 dhe 11 të KEDNJ. Sulmi me gaz lotsjellës ka cënuar edhe gazetarët, vëzhguesit, protestuesit paqësorë apo edhe persona të tjerë të pranishëm aty, sipas KShH-së. “Ligji ynë nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, në nenin 12 dhe 32/3 parashikojn se paralajmërimi është parakusht i detyrueshëm para përdorimit të forcës”, shkruan KShH.
Një tjetër qëndrim i mbajtur nga Komiteti është edhe përdorimi i forcës ndaj personave që ishin neutralizuar dhe ndodheshin në tokë. Është quajtur e papranueshme dhe është kërkuar hetim ndaj dhunës, përdorimit të shkopinjve të gomës, goditjeve, grushteve apo formave të tjera të forcës ndaj personave të shtrirë në tokë dhe të rrethuar nga disa punonjës policie që nuk paraqesin më rrezik që bënin rezistencë. Në standartet e GJEDNJ-së klasifikohet si trajtim çnjerëzor ose poshtërues duke shtuar se goditjet në fytyrë dhe poshtërimi e cënojnë rëndë dinjitetin


