
Nga Marash Logu
Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së Grupit Parlamentar të PD-së për dërgimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese. Respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti dhe deputetët është kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës dhe nuk mund të vihet në diskutim në asnjë rast. Tashmë mazhoranca nuk ka asnjë justifikim për mosrespektimin e vendimeve nr. 1/2023 dhe nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetuese, duke dërguar menjëherë mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese. Lajmet fake të shpërndara para daljes së opinionit apo sot në orët e para të mëngjesit nuk e ndryshojnë dot realitetin e konkluzioneve të Komisionit të Venecias.
Më poshtë tre argumentet kryesore të opinionit të Komisionit të Venecias:
Paragrafi 20: Kuvendi argumenton se skenari i fundit është i zbatueshëm në lidhje me nenin 70(4) të Kushtetutës pasi dispozita thotë se Kuvendi “vendos” për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Komisioni dëshiron të theksojë se në këtë rast konkret Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka dhënë tashmë një vendim se Kuvendi ishte i detyruar të dërgonte në Gjykatën Kushtetuese mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit konkret. Paragrafi 22: Në dritën e sa më sipër, pyetjet numër 1 dhe 3 nuk duhet të shihen si çështje mandati të lirë, pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare. Paragrafi 57: Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës. Një pajtueshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Kur vendimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të fuqisë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të marrë një vendim në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.


