
Konfirmohet rasti i parë me “Ethet e Nilit Perëndimor” në Shqipëri, ku rezulton i infektuar një 72-vjeçar në Korçë. Rasti bëhet i ditur nga Spitali Rajonal i Korçës, ku 72-vjeçari qënndron i karantinuar prej disa ditësh dhe po merr trajtim mjekësor. Përveç të moshuarit, analizave laboratorike iu janë nënshtruar edhe familjarët e tij, si dhe personat e tjerë, me të cilët ka pasur kontakt të përditshëm, por deri tani të gjithë kanë rezultuar negativë ndaj “Etheve të Nilit Perëndimor”.
Burime për Gogo.al thonë se 72-vjeçari jeton në qytetin e Korçës dhe nuk ka kryer lëvizje jashtë Shqipërisë, ndërsa dyshohet se mund të jetë pickuar nga mushkonjat që transmetojnë këtë infeksion të rëndë në parkun e qytetit. Për rrjedhojë, pritet që një grup specialistësh të dezinfektojnë lulishten që frekunetonte i moshuari, si dhe ambientet e shtëpisë, ndërsa epidemiologët nga Instituti i Shëndetit Publik po verifikojnë në të gjithë qarkun e Korçës praninë ose jo të mushkonjës që përhap këtë virus. Ndërkohë, mjekët e Qendrave Shëndetësore të qytetit janë udhëzuar të raportojnë në kohë, në rast të përballjes me pacientë që kanë simptoma të njëjta ose të ngjashme me “Ethet e Nilit Perëndimor”, për të kryer veprimet e mëtejshme.
Në Shqipëri, infeksioni nga “Ethet e Nilit Perëndimor” është dokumentuar edhe më parë, ku në vitin 2024 janë raportuar 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 janë raportuar 2 raste të konfirmuara.
Si përhapen “Ethet e Nilit Perëndimor?
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat preken kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë “rezervuarët” bartës të virusit. Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës – jo përhapës direkt të infeksionit, pavarësisht nëse infektohen.

Çfarë shenjash ka infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?
80% e personave të prekur nuk shfaqin simptoma të dukshme, ndërsa në 20% të rasteve ato përfshijnë: ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjëndrave limfatike.
Shenjat e sëmundjes së rëndë (si encefaliti, meningiti ose paraliza flakside akute) përfshijnë: dhimbje koke, temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, mpirje, çorientim, gjendje kome, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore, paralizë dhe shfaqen vetëm në 1% të personave të infektuar.
Forma të rënda të sëmundjes mund të shfaqen te njerëzit e çdo moshe, por personat mbi 60 vjeç dhe personat me imunitet të ulët janë më të rrezikuarit.


