
Pas procesit të votimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Braho mori 7 vota, duke siguruar kështu drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Kandidati Adnan Xholi u rendit i dyti me 3 vota, ndërsa Elvin Gokaj mori 1 votë. Doloreza Musabelli mbeti pa vota. Me këtë rezultat, Klodjan Braho do të marrë detyrën e Kryetarit të SPAK, duke pasuar në këtë pozicion Altin Dumanin. Zgjedhja e tij vjen pas një procesi të gjatë vlerësimi, intervistimesh dhe shqyrtimesh të karrierave të katër kandidatëve.
Prej orës 09:00 deri në 14:50, para anëtarëve të KLP-së dhe në prani të ndërkombëtarëve, kandidatët paraqitën platformat e tyre, vizionin për drejtimin e SPAK dhe dosjet më të rëndësishme që kanë hetuar gjatë karrierës.
Cilët ishin kandidatët për kreun e SPAK?

Adnan Xholi është një nga emrat më të përfolur në këtë garë. Me një karrierë të gjatë që nis në vitin 2004, ai ka shërbyer si prokuror në Krimet e Rënda, drejtues i disa strukturave në Prokurorinë e Përgjithshme dhe pjesë e SPAK-ut që prej vitit 2021. Njihet si një nga njerëzit më të afërt profesionalisht me drejtuesin aktual Altin Dumani dhe ka koordinuar disa prej çështjeve më të rëndësishme të viteve të fundit.

Doloreza Musabelliu e vetmja grua në garë, me 21 vite përvojë në sistemin e drejtësisë. Musabelliu ka qenë prokurore në Krimet e Rënda për më shumë se 15 vite, duke hetuar trafik droge, trafik të qenieve njerëzore, vrasje dhe korrupsion të funksionarëve publikë. Aktualisht është pjesë e SPAK-ut dhe njihet për qasjen e saj të rreptë dhe të pavarur, si edhe për përballjen me kërcënime të mbërritura nga grupet kriminale, siç edhe ajo vetë deklaroi.

Elvin Gokaj me një karrierë 26-vjeçare ka punuar në disa prej prokurorive më të mëdha të vendit, përfshirë Matin, Elbasanin, Durrësin e Shkodrën, ku ka mbajtur edhe pozicionin e drejtuesit. Që nga viti 2021 është prokuror në SPAK. Në platformën e tij theksoi rëndësinë e punës në grup, forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe rritjen e bashkëpunimit me ndërkombëtarët.

Kandidati i katërt, Klodian Braho, ka një eksperiencë të gjerë si prokuror në Berat, Vlorë dhe Krimet e Rënda. Prej vitit 2019 është pjesë e SPAK-ut, ku ka drejtuar hetime të rëndësishme që kanë çuar në sekuestrime pasurish me vlerë miliona euro, sipas tij vetëm në një dosje u sekuestruan 18 milionë euro.
KLP ka miratuar një procedurë të re votimi, e cila ndryshon ndjeshëm nga praktika e mëparshme. Votimi nuk do të bëhet më me dorë, por me fletë të bardhë. Çdo anëtar i KLP-së do të shkruajë në fletë emrin e tij dhe emrin e kandidatit për të cilin voton. Kryetari i KLP-së nuk do të ketë më dy vota në rast barazimi, por vetëm një, njësoj si gjithë anëtarët e tjerë. Kjo metodë synon të rrisë transparencën dhe integritetin e procesit të votimit.


