
Nga Migen Qiraxhi
Prej disa ditësh po shohim një përpjekje për të vënë në dyshim pavarësinë, integritetin dhe motivet tona, sikur mjafton një etiketë konspirative, e tejkonsumuar ndërkombëtarisht, për të zhvlerësuar vite të tëra angazhimi qytetar. Nuk është hera e parë që përballemi me insinuata të tilla, por nuk kemi ndërmend të harxhojmë kohë duke provuar se nuk jemi personazhet e teorive konspirative të të tjerëve. Kush ka akuza për abuzime, të sjellë prova, dhe kush ka kundërshtime ndaj qëndrimeve dhe veprimtarisë sonë, le t’i diskutojmë publikisht. Të kesh marrë financime transparente nga një fondacion i huaj nuk është as turp, as krim. Integriteti i një organizate matet me transparencën, pavarësinë e vendimmarrjes dhe veprimtarinë e saj konkrete të cilën ne e kemi treguar.
Absurditetin e kësaj fushate ndaj nesh e ilustron fakti se, që në ditët e para të protestës së Flamingove, sekretari i PD-së e etiketoi atë në media si vepër të “sorosistëve”, ndërsa paralelisht, nga qeveria dhe njerëz pranë saj u hodhën akuza se pas protestës qëndronin grekët, iranianët, rusët, serbët, Vetëvendosja apo koalicioni VLEN i Maqedonisë së Veriut. Narrativa të ndryshme, madje kontradiktore, por me të njëjtin emërues të përbashkët, ta paraqesin protestën si produkt të interesave të huaja, duke u mohuar shqiptarëve aftësinë për të menduar, për t’u organizuar dhe për të protestuar me vullnetin e tyre.
Me gjithë këtë paradë teorish konspirative, çudi që nuk na kanë akuzuar ende se financohemi nga reptilianët, marrim udhëzime nga masonët dhe iluminatët, koordinohemi përmes sinjaleve 5G dhe kontrollohemi nga çipat e vaksinave. Me sa duket, për disa është më e besueshme që Toka të jetë e sheshtë apo që Hëna të jetë një planet i krijuar nga alienët, sesa që shqiptarët të protestojnë me mendjen e tyre.
Sot kësaj logjike komplotiste po i bashkohen edhe oportunistë që kërkojnë të përvetësojnë protagonizmin e një prej protestave më dinjitoze qytetare, duke etiketuar dhe përjashtuar të tjerët. Prandaj, ajo që na shqetëson nuk është etiketa “sorosist”, por përdorimi i saj për të përçarë protestën, për të njollosur në bllok shoqërinë civile dhe për të delegjitimuar aktivistë e organizata që kanë protestuar prej vitesh, shpesh të vetëm, edhe kur sheshet ishin bosh dhe kamerat mungonin. Ne kemi qenë aty edhe kur protestat nuk sillnin as vëmendje mediatike, as protagonizëm politik. Qëndrueshmëria jonë ndër vite është dëshmia më e mirë e integritetit tonë.
Nuk pranojmë që dikush të marrë përsipër të na certifikojë si protestues të vërtetë apo të rremë, të vendosë kush ka të drejtë të protestojë dhe kush duhet përjashtuar. Protesta është heterogjene, horizontale dhe qytetare. Ajo nuk është pronë e asnjë partie, organizate apo individi karrierist e ekzibicionist. Përpjekjet për të përjashtuar pjesëmarrësit përmes etiketimit ideologjik apo teorive konspirative rrezikojnë ta përçajnë dhe ta kthejnë në një garë për protagonizëm e kontroll.
Do të ishte e turpshme që, ndërsa kundërshtojmë monopolizimin e pushtetit dhe të opozitës, të riprodhojmë të njëjtën logjikë monopoliste brenda protestës. Nuk mund të kërkojmë pluralizëm në qeverisje dhe njëkohësisht të mohojmë pluralizmin mes atyre që protestojnë.
Prandaj jemi krenarë për atë që kemi ndërtuar së bashku me protestues të të gjitha ngjyrimeve politike, bindjeve dhe përkatësive. Kjo protestë ka tronditur status quo-në, ka sfiduar establishmentin dhe ka prishur rehatinë e atyre që janë mësuar të monopolizojnë pushtetin dhe opozitën. E gjithë parada fantazmagorike e armiqve të brendshëm e të jashtëm, nga algoritmi te Sorosi, nga influencerët te ANTIFA, dëshmon sa shumë i shqetëson një protestë që nuk e kontrollojnë. Në vend që të përballen me kërkesat e saj, përpiqen ta delegjitimojnë me çdo teori fantazmagorike, etiketim e përçarje, duke krijuar terren edhe për provokatorë e individë që kërkojnë ta marrin peng.
Sepse ajo që i shqetëson është se kjo protestë nuk iu bindet urdhrave të tyre, nuk pranon të bëhet pronë e askujt dhe nuk mund të futet në pazaret e zakonshme politike. Pikërisht sepse nuk ka pronarë, ka fuqinë të sjellë ndryshimin që establishmenti i vjetër nuk e dëshiron.


