
Nga Besart Logu
Kjo pra është Amerika, dy vjet pas zgjedhjeve presidenciale, dërgon Kongresin në zgjedhje të pjesshme. Për kujtesë, Kongresi (pushteti legjislativ) është i organizuar në dy dhoma:
1. Senati (me mandat 6 vjeçar por që çdo dy vjet shkon 1/3 e tij në zgjedhje)
2. Dhoma e Përfaqësuesve (me mandat 2 vjeçar ku çdo dy vjet shkohet në zgjedhje)
Kujtojmë gjithashtu se në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit 2024, ku fituan republikanët presidencialet me Donald Trump, kishim këtë rezultat:
* Zgjedhjet Presidenciale: Trump 312 – 226 Harris
* Senati: Rep 53 – 47 Dem
* Dhoma e Përfaqësuesve: Rep 220 – 215 Dem
Ndërkohë, në zgjedhjet e djeshme, ato të mesmandatit, kemi këtë rezultat:
* Senati: Rep 42 – 53 Dem
* Dhoma Përfaqësuesve: Rep 129 – 221 Dem
Pra, dy vjet pas marrjes së drejtimit të Shtëpisë së Bardhë dhe të shumicës në Kongres (Senat + Dhoma e Përfaqësuesve) republikanët shënojnë një humbje drastike çka përkthehet si sinjal i politikave jopërfaqësuese të votuesve amerikanë gjatë gjysmës së parë të mandatit presidencial. Që do të thotë, mekanizmat politik janë aty dhe i ofrohen vullnetit të votuesit nëse ai kupton se vota e tij nuk është lexuar drejt nga fituesi i zgjedhjeve presidenciale.
Nëse shohim sistemin kushtetues amerikan, kuptojmë se zgjedhet periodike dy vjeçare janë instrument i zbatimit dhe garantimit të parimit “Checks & Balances”, sistemi i kontrolleve dhe ekuilibrave institucional. Parim kushtetues sipas të cilit tri pushtetet (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor) kontrollojnë dhe kufizojnë njëri-tjetrin për të parandaluar përqendrimin dhe abuzimin me pushtetin.
“Checks and balances” është një nga mekanizmat më të rëndësishëm politik sidomos për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ sepse garanton jo vetëm kufizimin e përqëndrimit të pushtetit por forcon kontrollin parlamentar mbi Presidentin si dhe rrit llogaridhënien e pushtetit ekzekutiv mbi politikat që ai ka ndjekur dhe do të vazhdojë të ndjekë në gjysmën e dytë të mandatit.
Parimi i ndarjes dhe ekuilibrimit të pushteteve është pjesë e arkitekturës së sistemit kushtetues amerikan që nga viti 1789, kur u miratua për herë të parë Kushtetuta amerikane. Pra, SHBA ka 237 vjet që funksionon mbi bazën e këtij modeli kushtetues.
Tani kthehuni në Shqipëri, ku partia në pushtet ka 13 vjet në pushtet, që ndalon koalicionet parazgjedhore, vendos herësa, nuk pranon mocione, interpelanca, komisione hetimore si dhe nuk njeh e zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese mbi të drejtën e legjislativit për kontroll parlamentar mbi qeverinë. Sikur të mos mjaftonin këto, konfiguron hartën administrative territoriale në funksion të interesave elektorale të Partisë Socialiste. Jo vetëm kaq, por ngre sisteme patronazhimi duke përdorur të dhënat e marra nga institucionet publike si dhe fut bandat në fushatë zgjedhore për të shantazhuar votuesit e blerë vota për partinë në pushtet.
Thënë ndryshe, në raport me SHBA jemi akoma në epokën e gurit sa i përket ngritjes së institucioneve, funksionimit e kontrollit të tyre, e sidomos sa i përket pjesmarrjes në demokraci (votime, peticione, protesta, etj).
Kjo pra është Amerika!


