Nga Ervin Kaçiu

Rreth ditës së tretë të protestës paqësore prej 135 ditësh, mbaj mend një grup të rinjsh të konsiderueshëm në numra që nisën marshimin duke ndaluar edhe në një prej kryqëzimeve . Atë moment e cilësova si fundin e regjimit megjithëse me një farë ndroje se mos ishte vetëm ekzaltim i çastit. Në të vërtetë cfarë po shihja atë moment dhe që mu konfirmua ditët në vjim të protestës e vecanërisht këto ditë janë, cilësitë e ndryshme të një gjenerate të re krahasuar me të mëparshmet. Guxim, vendosmëri dhe kthjelltësi si kurrë më parë në artikulimin e domosdoshmërisë për rrëzimin e regjimit dhe krijimin e parakushtit për një vend normal.


E tejkalojnë shumëfish botëkuptimin cinik dhe disfatist, të shumë prej të të rriturve që e kërkojnë burimin e problemit diku larg, e qe shohin për pasojë një botë që drejtohet vetëm nga forca okulte që kontrollojnë gjithcka, sidomos kur kjo e fundit certifikohet nga retorika e pushtetit sikurse edhe po trajtohet rëndom. Apo që në rastin më të mirë i qasen politikes përmes një racionaliteti kalkulativ që riprodhon pambarimisht forma të ndryshme të autokracive.

Besoj ka vend për tu gëzuar të gjithë me faktin që janë më të lirë dhe madje më të dlirë se ne dhe kjo jo vetëm si atribut i rinisë, apo zgjatim i infantilitetit. Më e mira që bëmë ishte që nuk i imponuam kulturën e nënshtrimit si pasojë e disa shtresëzimeve autoritative me të cilat na u desh të bashkëjetonim e të luftonim ne më të rriturit. Nuk kanë përvetësuar as tutelimin ndrydhës të tjetrit (apo në zhargon opinionit) as diktaturën e përbrendësuar të komunizmit (me shtetin, me ujin dhe me zjarrin mos luj) dhe as atë të projeksioneve të ndryshme të autoritarizmave të tranzicionit. Kësisoj për këdo që habitet me cka po ndodh duhet që së pari të kuptojë fuqinë e vullneteve të mbrujtura në liri. Ndërsa së dyti atë të frustrimit të prodhuar nga një regjim që ne e lejuam të rrënjëzohej dhe që po ja pamundëson një jetë me dinjitet.

Sikurse edhe dihet përgjigja e Ramës ndaj 135 ditëve protestë ishte nga njëra anë përcmim, denigrim, dhe arrogancë ndaj qytetarëve ndërsa në anën tjetër shumë kujdes për ta dëshmuar dhe dhënë mesazhin rojtarëve të këtij modeli pushteti, oligarkëve dhe grupeve kriminale që sistemi do të vijojë të lulëzojë. Rrjedhoja e pashmangshme, përtej faktit nëse na pëlqen apo jo, ishte përshkallëzimi i dhunshëm i protestës së udhëhequr tashmë nga të rinjtë studentë dhe gjimnazistë. Sidomos ditën e parë të protestës te ministria e arsimit jam habitur nga rezistenca e tyre përballë dhunës disproporcionale të policisë që në mungesë të organizimit, të një përvoje të mëparshme apo memorie kolektive domethënëse në këtë sferë merrte trajtat e një sjellje krejt eskluzive. Ditët në vazhdim u ndërtua praktika përmes ushtrimit dhe ishte më e kuptueshme por e para konfirmonte ekzistencën e një gjenerate tërësisht të vecantë në vendosmëri. Megjithëse tërhiqen përkohësisht përballë mësymjes së policisë kthehen sërish të gjithë bashkë me një solidaritet të rrallë, studentë, studente, nxënëse dhe nxënës, të qendrës dhe periferisë, dhe cdo qytetar që gjendet aty, përjashto me gjasa pakicën e privilegjuar të ‘rilindjes’.

Kjo gjeneratë e ka përmbyllur një revolucion kulturor duke mos pranuar nënshtrimin. Po na japin një shans edhe ne më të rriturve që të clirohemi nga traumat politike të socializmit dhe postsocializmit. Apeli i tyre është i qartë: do të vijojmë të jemi një shoqëri ‘sehirxhinjsh’ që presim nga divani se si do të rrjedhin ngjarjet apo do të marrim pjesë, në forma të ndryshme. Do të vijojmë të jetojmë në perversion politik dhe ta shpallim përfundimisht falimentimin duke parë se si rrihen kalamajtë apo do të veprojmë në lartësinë e pjekurisë. Do të vijojmë të transferojmë si zakonisht përgjegjësitë te të tjerët apo do të marrim realisht përsipër përgjegjësitë që na takojnë si qënie politike, përtej të qënurit frymor.
Të rinjtë po e artikulojnë si shpresën e fundit dhe me gjasa qoftë edhe për këtë arsye do të përballemi me një valë të re eksodi. Këtu me gjasa do të mbeten vetëm të privilegjuarit e rilindjes dhe shërbëtorët e tyre.
Me studentët!

LËR NJË KOMENT

Esmeralda Hasani është emëruar në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar emërimin e saj, pas shkarkimit nga detyra të Vlora Hysenit. Para...
/ Nov 12
Nga Elvana Tivari Po i marr me radhë, me Pishë Poro-Nartën si shembull, sepse aty shihet më mirë se çfarë mbron ky ligj. ① Arsyeja e parë e KM-së: projektligjet...
/ Nov 18
Cilët janë të rinjtë tanë ekselentë? Nëpër çfarë rrugësh të vështira kalojnë ata sot dhe për çfarë kanë nevojë? A i njohim realisht të rinjtë tanë dhe shpirtin e tyre...
/ Nov 16
Pas lajmeve për konfirmimin e një rasti me malarie në Shqipëri dhe dyshimeve për një pacient të dytë të prekur nga kjo sëmundje, Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar të...
/ Nov 18