Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi “The Wall Street Journal” raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, tha se Shtëpia e Bardhë i kërkoi Kimberly Guilfoyle të largohej nga detyra e saj si ambasadore e SHBA-së në Greqi. Kimberly Guilfoyle dha dorëheqjen si ambasadore e SHBA-së në Greqi sot pasi “The Wall Street Journal” raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trump në prag të seancës së saj të konfirmimit vitin e kaluar.

“Shërbimi si Ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Greqi ka qenë nderi i jetës sime. Do t’i jem përjetësisht mirënjohëse Presidentit Donald J. Trump dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio që më besuan privilegjin e jashtëzakonshëm për të përfaqësuar vendin më të madh në historinë e botës,” tha ajo në një postim në platformën X.

Guilfoyle adresoi gjithashtu pretendimet ndaj saj, duke thënë: “Ato pretendime janë të rreme dhe unë synoj të mbroj me ngulm emrin, reputacionin dhe integritetin tim.” Postimi i Guilfoyle në rrjetet sociale erdhi pak pasi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, tha se Shtëpia e Bardhë i kishte kërkuar asaj të largohej nga detyra. “The Journal” raportoi javën e kaluar se Guilfoyle kishte kërkuar një pagesë prej 100,000 dollarësh në llogarinë e saj të American Express vetëm pak ditë përpara seancës së saj të konfirmimit.

Ndërsa i kërkonte pagesën Eric Deters një donator i Trumpit dhe ish-kandidat për Kongres, Guilfoyle kishte mburrur lidhjet e saj me administratën Trump dhe kishte tentuar të lobonte në Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme (IRS) dhe në Departamentin e Drejtësisë në emër të tij, sipas mesazheve me tekst të shqyrtuara nga “The Journal“. Ajo premtoi se do të ishte mbështetësja e tij e palëkundur përjetësisht nëse ai do të siguronte paratë për Amex. Ai përfundimisht nuk e bëri pagesën, duke i thënë asaj se kjo do t’i kushtonte martesën e tij. Avokati i Guilfoyle kontestoi vërtetësinë e mesazheve, por refuzoi të jepte detaje specifike, duke thënë se ambasadores “i detyroheshin një balancë/pagesë” për ngjarje ku ajo kishte marrë pjesë përpara emërimit të saj. Deters tha se nuk i detyrohej asaj asnjë pagesë.

Seria e zbulimeve kishte irrituar zyrtarët e administratës në Uashington, shumë prej të cilëve ishin tashmë skeptikë për mandatin e Guilfoyle si ambasadore. Që nga mbërritja e saj në Athinë vjeshtën e kaluar, ish-e fejuara e Donald Trump Jr. i ndërthurte takimet me udhëheqësit rajonalë me vizita në pasarela mode evropiane dhe gala arti. Stilistja e saj, Fancy James, e shoqëronte shpesh në udhëtime, duke iu bashkuar asaj madje edhe në një darkë me zyrtarë grekë dhe bullgarë në Uashington në fillim të këtij viti. Presidenti Trump, i pyetur të hënën nëse mund ta shkarkonte Guilfoyle, u tha gazetarëve: “E hát, po e shqyrtojmë. Po, nuk jemi të kënaqur.”

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit po heton nëse Guilfoyle ka marrë dhurata apo favore nga biznesmenë privatë, siç ka raportuar më parë The Journal. Përfaqësuesi Don Beyer (Demokrat nga Virxhinia) kërkoi që Guilfoyle të shkarkohej dhe “nëse ka shkelur ligjin, gjë që duket shumë e mundur, të ndiqet penalisht.” Përfaqësuesi i Kalifornisë, Robert Garcia, demokrati kryesor në komisionin e mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, në një letër dërguar Guilfoyle tha se sjellja e raportuar “ngre shqetësime të rënda për korrupsion publik dhe siguri kombëtare” dhe kërkoi që ajo të vinte në dispozicion të dhënat financiare si dhe kopjet e komunikimeve të saj me zyrtarë të caktuar qeveritarë.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ndodhej në Athinë kur “The Journal” raportoi se Guilfoyle kishte kërkuar pagesën prej 100,000 dollarësh. Ndihmësit e tij u shprehën të kapur në befasi dhe të frustruar vetëm pak ditë më parë, Rubio e kishte mbrojtur atë si një “mbrojtëse jashtëzakonisht efektive” të agjendës së Trumpit dhe kishte theksuar se e “vlerësonin pa masë”. Gjatë qëndrimit në Athinë ai e mbrojti atë në një konferencë për shtyp: “Ambasadorja jonë ka qenë një ambasadore e fuqishme.”

Guilfoyle, e cila publikoi disa foto në rrjetet sociale ku shihej duke u përqafuar me Rubion në pistën e aeroportit me të mbërritur ai, qëndroi pranë tij në dhjetëra aktivitete. Teksa Rubio largohej nga Athina javën e kaluar, ai refuzoi të komentonte mbi mesazhet. “Ne nuk i trajtojmë këto çështje në një konferencë shtypi në pistën e një aeroporti në një shtet të huaj thjesht sepse ju ose dikush tjetër shkroi një artikull bazuar në atë që ju dha burimi,” u tha ai gazetarëve. Guilfoyle ndodhej në pistë për ta përcjellë atë.

I pyetur më herët për t’iu përgjigjur idesë se një ambasadore e SHBA-së përpiqej të shkëmbente aksesin me para, Zëvendëspresidenti JD Vance tha: “Nuk më pëlqen që dikush të shesë akses te një zyrtar tjetër qeveritar, e aq më tepër te një zyrtar i nivelit të lartë.” Por ai shtoi se i nevojiteshin më shumë informacione përpara se të shprehej për rastin specifik, duke nënvizuar se “konteksti ka vërtet rëndësi.”

Më vonë, Vance u tha gazetarëve kur u pyet për Guilfoyle: “Le të shohim cila është e vërteta. Dhe natyrisht, nëse ka ndodhur diçka e keqe, atëherë njerëzit duhet të përballen me pasojat.” Si ambasadore, fokusimi kryesor i Guilfoyle ishte përpjekja për ta ndihmuar Evropën të shkëputej nga energjia ruse nëpërmjet një “korriori vertikal të gazit”, i destinuar për të marrë gaz natyror të lëngshëm (LNG) amerikan në Greqi dhe për ta transportuar atë me tubacione drejt Ukrainës. Nisma, e cila filloi gjatë administratës Obama, gëzonte mbështetje të fuqishme nga administrata Trump.

Mënyra se si Guilfoyle u përpoq të promovohej bëri që ajo të tërhiqte vëmendje dhe të vihej nën shënjestër, veçanërisht për përpjekjet e saj për të promovuar një kompani specifike greke: një kompani ndërtimi e quajtur Aktor Group, e cila nëpërmjet një sipërmarrjeje të përbashkët me një kompani shtetërore greke të gazit kishte nënshkruar një marrëveshje 20-vjeçare për blerjen e LNG-së amerikane. Një avokat i Guilfoyle tha më parë se ajo nuk ishte e përqendruar te asnjë kompani e vetme. Nga ana tjetër, avokatët e Aktor deklaruan se Guilfoyle nuk po promovonte në mënyrë të papërshtatshme interesat tregtare të Aktor.

Ky shkrim është pronë intelektuale e “The Wall Street Journal”, i përkthyer nga “Gogoa.al”

LËR NJË KOMENT

Esmeralda Hasani është emëruar në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar emërimin e saj, pas shkarkimit nga detyra të Vlora Hysenit. Para...
/ Nov 12
Nga Elvana Tivari Po i marr me radhë, me Pishë Poro-Nartën si shembull, sepse aty shihet më mirë se çfarë mbron ky ligj. ① Arsyeja e parë e KM-së: projektligjet...
/ Nov 18
Cilët janë të rinjtë tanë ekselentë? Nëpër çfarë rrugësh të vështira kalojnë ata sot dhe për çfarë kanë nevojë? A i njohim realisht të rinjtë tanë dhe shpirtin e tyre...
/ Nov 16
  Shqipëria do pajiset me sistemet raketore. Departamenti Amerikan i shtetit konfirmon miratimin e shitjes e cila arrin vlerën e 210 milionë dollarëve. Vendi ynë ka kërkuar të blejë 2...
/ Nov 18