Të hënën e 15 Korrikut, kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani për më shumë se 4 orë u mor në pyetje nga deputetët në Parlament.

Ai u pyet për çështjet që SPAK ka në dorë dhe po heton siç është ajo e inceneratorëve, e deri tek shkrimet nëpër portale në lidhje me turizmin në Shqipëri.

Por le t’i marrim me radhë.

Grupet shqiptare dominante në trafikun ndërkombëtar të drogës

Fillimisht Dumani prezantoi raportin e SPAK-ut për vitin 2023, e më pas iu përgjigj me radhë pyetjeve që iu drejtuan nga deputetët e pozitës dhe të opozitës. Gjatë fjalës së tij, kreu i SPAK-ut tha se grupet kriminale shqiptare janë sofistikuar dhe kanë një aktivitet dominant në tregun ndërkombëtar të trafikut të drogërave.

“Hetimet e vitit 2023 tregojnë se grupet kriminale janë sofistikuar dhe përfshirë në tregjet ndërkombëtare të drogërave të forta, duke pasur pozicion dominues.

Këta grupe kanë aktivitet edhe në tregje ndërkombëtare.”- tha Dumani.

Ai tha se shqetësuese paraqiten edhe mashtrimet nëpërmjet Call Center-ave.

“Duhet cilësuar si shqetësim edhe veprimtaria e sofistikuar e grupeve kriminale që operojnë me call center, duke mashtruar qytetarë të BE.” – tha Dumani.

Vështirësi me zbulimin e “krimeve intelektuale” të korrupsionit

Gjatë raportimit të tij para deputetëve, Dumani përmendi dhe një tjetër lloj krimi të vështirë për t’u hetuar, duke justifikuar vonesat e SPAK-ut në çështjen e inceneratorëve. Ai tha se krimet e korrupsionit janë “krimet intelektuale” të korrupsionit, dhe prokurorët sipas tij e kanë të vështirë të gjejnë prova.

“Hetimi është i vështirë, sidomos kur vjen puna tek çështjet me natyrë korruptive. Krimet e natyrës korruptive janë krimet më të vështira për t’u hetuar dhe krimet në detyrë, sepse është një krim intelektual dhe intelektuali para se të bëjë krimin, përpiqet që të fshehë dhe gjurmët e tij apo shfrytëzon hapësirat ligjore me qëllim kryerjen e krimit. E njëjta logjikë edhe për grupet e krimit të organizuar dhe hetimi i tyre paraqet vështirësi.”- iu përgjigj Dumani pyetjes së drejtuar nga deputeti i PD-së Gazmend Bardhi lidhur me vonesat për inceneratorët.

Po të bazohemi në fjalët e Dumanit, i bie që të dyshuarit mbi krimet e korrupsionit s’i kap dot aq kollaj se janë sofistikuar për t’i fshehur gjurmët.

Pyetja e deputetes: A keni frikë mos po organizohet një puç për t’ju prerë krahët?

Deputetja e PD-së Flutura Açka i bëri një pyetje provokuese kreut të SPAK-ut, duke kërkuar të mësojë nga ai nëse ndjen se po i bëjnë një puç “për t’i prerë krahët”.

“A keni frikë mos po organizohet një puç për t’ju prerë krahët dhe për t’ju hequr ca pende nga disa që nuk pëlqejnë që ju jeni në piedestal.”- ishte pyetja e Açkës.

Dumani tha se nuk ishte i qartë me pyetjen e deputetes duke theksuar se SPAK është një institucion i pavarur. Megjithatë ndër të tjera, Dumani shtoi se kërcënimet janë të shpeshta në këtë fushë.

Pyetja e Açkës vjen jo më kot. Sjellim ndërmend se në muajin Maj të këtij viti, Dumani deklaronte se prokurorët e SPAK-ut janë kërcënuar nga krimi i organizuar. Në këtë rast ai ishte thirrur për të raportuar në Komisionin e Ligjeve.

“Po. Janë raste publike kur janë kërcënuar prokurorët e SPAK-ut. Kërcënimi ka ardhur nga krimi i organizuar. Është shqetësim që e kemi adresuar. Në fund të dhjetorit të vitit 2023 ndërmorëm disa hapa, duke ndryshuar vendimin e KM që përmirësoi në mënyrë cilësore mbrojtjen e prokurorëve të SPAK-ut, por ka një problematikë sa i përket mbrojtjes së familjarëve. Prokurorët janë të mbrojtur, por familjarët duke filluar nga ata të drejtuesve dhe të prokurorëve ka një problematikë, është procedurë e gjatë, duhet të ketë prova.”– shprehej kreu i SPAK-ut asokohe.

Por duket se Açka nuk e ka patur dhe aq te kërcënimet ndaj prokurorëve sa te “komploti” që po bëhet ndaj SPAK-ut me marrëveshjen Rama-Berisha. Kujtojmë se deputetët e opozitës nuk votuan kundër ngritjes së komisionit parlamentar të Antikorrupsionit, por e bojkotuan votimin. Vetëm 6 deputetë të opozitës votuan kundër: Ervin Salianji, Lindita Metaliaj, Ilda Dhori, Elda Hoti, Agron Shehaj dhe Albana Vokshi.

Në të njëjtën seancë te Komisioni i Ligjeve të përmendur më lart, Dumani la të nënkuptohej se politika s’po i linte të punojnë. Ai i bënte thirrje publike prokurorëve të tij të mos bien pre e presioneve politike: “Prokurorët e SPAK duhet t’i bëjnë veshët shurdh ndaj çdo lloj presioni politik apo mediatik, sepse në ndihmë na vjen pavarësia kushtetuese e ligjore.  Nuk duhet të influencohemi fare nga lufta politike e mediatike, por duhet të përmbushim detyrën.”

Pyetja 1 milion dollarëshe: Portalet po sabotojnë turizmin shqiptar?

Ndërsa mund të kishte një sërë çështjesh të tjera për të cilat Dumani mund të pyetej, pyetja më e çuditshme erdhi nga deputeti i PS-së Denis Deliu.

Ai pretendon se në portalet shqiptare qarkullojnë lajme dezinformuese lidhur me turizmin në Shqipëri dhe ai hedh dyshime se mund të kenë ndikim edhe shërbimet inteligjente të huaja me qëllim sabotimin e turizmit në vendin tonë.

“Turizmi është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, dhe ditët e fundit kemi parë nëpër portale një sabotim të turizmit. Sivjet ka një rritje të nivelit të dezinformimit. A ka hapur SPAK një hetim për sabotazh kundrejt këti fenomeni nga shërbime të huaja inteligjente, a ka informacione nga SHISH dhe struktura të tjera, pasi mendoj që këto lloj dezinformimesh dëmtojnë ekonominë shqiptare.”– tha deputeti Deliu, duke iu referuar disa lajmeve se në plazhet shqiptare këtë vit ka më pak pushues për shkak të çmimeve të larta.

Kreu i SPAK-ut u përgjigj se nuk ka informacion dhe as nuk ka ndonjë gjë për të ndarë lidhur me këtë pyetje.

Pas kësaj pyetjeje të Deliut ka patur shumë komente në rrjetet sociale. Mes këtyre komenteve përmendim ish-ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjanin.

“Dy deputetë sot në Parlament i kërkuan drejtuesit të SPAK:

I pari,

A po heton Spak grupin ‘armiqsor me agjenturë të huaj’ të rrjeteve sociale që thonë se plazhet janë bosh?!

E dyta,

A keni filluar hetimet përse në autostradën e re nuk ka exit për në Krujë?! Të dy pyetjet erdhën pas një lumi me lavdërime të tipit, ‘si lum partia që u ka’...”-shkruan ai.

Manjani shton se këta janë deputetë dhe jo kryetarë të frontit demokratik komunist në lagjet periferike dhe shprehet i habitur me nivelin e këtyre pyetjeve.

“Janë të bindur se SPAK shëron edhe kancerin. E prezantojnë SPAK si ‘mjek popullor’ që heq magjitë. Prokurorin i SPAK e imagjinojnë me tas alumini në kokë ose me llampë vajguri në dorë që u zgjidhen të gjitha hallet njerëzve… Biles Altin Dumani shpërndan edhe hajmali aty brenda…”- shkruan ai.

Majko dhe Balla si “shpëtimtarë” të Dumanit para opozitës

Deputetët e opozitës i drejtuan një sërë pyetjesh Dumanit, mbi të gjitha lidhur me masën “arrest shtëpie” të kryetarit të tyre, Sali Berishës.

“Përse Berisha mbahet i izoluar? Përse po shkelet Kushtetuta, a nuk mendoni se cenoni cilësinë e Kuvendit? Kur një prokuror shkel ligjet del se me urdhër kujt bëhet? Me urdhër të kujt u bë? Të kryeministrit.”- shprehej Tritan Shehu.

Por përpos kërkesës për llogari për masën ndaj Berishës, shumë të tjerë i kërkuan llogari për çështje ende nën hetim, si çështja “5D” ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, koncensionet në shëndetësi, inceneratorët, faktin që në bisedat e Encrochat përfshihen ministra, deputetë, zyrtarë të drejtësisë. Për pjesën më të madhe të tyre, Dumani u përgjigj kështu: “Nuk mund të flas, është çështje nën hetim”.

Dhe një përgjigje e tillë është e kuptueshme kur kemi të bëjmë me një çështje të hapur hetimore, ku nuk është mirë që rezultatet e deritanishme të hetimit të bëhen të ditura publikisht.

Mirëpo ndërsa pjesa më e madhe e deputetëve të maxhorancës zgjodhi të injorojë breshërinë e pyetjeve, dy deputetë nuk heshtën dot: Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Pandeli Majko që e shfaqën veten si “shpëtimtarë” duke i dalë në krah Dumanit.

“Kam respekt për të gjitha pyetjet, pyetjet nuk janë pasi bëni komentin dhe pyesni drejtuesin e SPAK. Zotëria nuk është vartësi ynë, është vetingu ynë. Nuk keni të drejtë t’i bëni pyetje sikur është vartësi juaj.”- theksoi Majko.

Ndërsa Balla kritikoi qasjen e opozitës në sjelljen e sotme gjatë raportimeve të krerëve të institucioneve të drejtësisë duke thënë se “Foltorja nuk duhet përdorur për të sulmuar institucionin e pavarur.”

Interesante ishte të shihje krahasimet mes dy anëve në Parlament. Dumani duhej t’i zgjidhte mirë fjalët kur kthehej djathtas për t’ju përgjigjur pyetjeve të opozitës, ndërsa kur kthej majtas ishte më i relaksuar, pasi edhe pyetjet ishin të tipit: “Sa i ka ndihmuar hetimet zgjatja e afateve?”

Po ashtu kur raportimi mbaroi, deputetët e maxhorancës e duartrokitën Dumanin.

Kritika e Bashës ndaj Dumanit

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha gjithashtu e ka komentuar raportimin e Dumanit në Kuvend.

Ai publikoi një video nga një fragment ku Dumani shprehej se nga amnistia e votuar në Parlament nga 117 deputetë, përfituan dhe të dënuar nga GJKKO.

Për shkak të kësaj, Basha tha se kushdo që kishte një dyshim për pazarin Rama-Berisha kundër drejtësisë, tanimë e ka me fakte.

Ai shton se “Pazari i nisur me amnistinë vazhdoi me sabotimin e Reformës Zgjedhore, me vulën dhe vijon me goditjen ndaj SPAK-ut. Thelbi i marrëveshjes është që Rama të mbaj pushtetin, ndërsa Berisha të vijojë teatrin, gjasme, opozitar.”

Kushdo që kishte ndonjë dyshim për pazarin Rama-Berisha kundër drejtësisë, tanimë, i ka me fakte. 117 persona të dënuar ose në ndjekje penale për korrupsion nga SPAK/ GJKKO përfituan nga amnistia Rama-Berisha. 40 persona të dënuar për korrupsion u liruan. 65 të dënuar për korrupsion përfituan zbritje dënimi. 12 persona u përjashtuan nga ndjekja penale për korrupsion. Pazari i nisur me amnistinë vazhdoi me sabotimin e Reformës Zgjedhore, me vulën dhe vijon me goditjen ndaj SPAK-ut. Thelbi i marrëvshjes është që Rama të mbaj pushtetin, ndërsa Berisha të vijojë teatrin, gjasme, opozitar. 👇

Posted by Lulzim Basha on Monday, July 15, 2024

Incident me Flamur Nokën

Ndërsa Dumani raportonte në foltoren e Kuvendit pati një moment tensioni me deputetin e PD-së Flamur Nokën.

Deputeti u ngrit nga vendi dhe u përpoq që të prishë raportimin e Dumanit duke iu afruar në foltore. Punonjësit e gardës që për çdo rast rrinë në gatishmëri u afruan duke ndërhyrë duke mos e lejuar Nokën të afrohet.

Demokratik i kërkoi emra kreut të SPAK-ut për hetimin për inceneratorët, por ai theksoi se nuk mund të përmendte emra.

Megjithatë ai i kujtoi Nokës që është një nga kallëzuesit: “Bëj kërkesë për informacion dhe si kallëzues do të merrni të gjitha informacionet”.

Askush nuk e përmendi terrorin e Elton Qynos

Një çështje që nuk u prek fare as nga deputetët e opozitës ishte rasti i gazetarit të “Ora News”, Elton Qyno, i cili kujtojmë që u terrorizua nga prokurorët e SPAK-ut, pasi ai kishte zbuluar në media biseda të Nuredin Dumanit dhe që ishin pjesë e dosjes 75/2022.

Qyno u plaçkit në shtëpi automjet dhe vendin e punës nga hetuesit, duke i marrë ç’të mundeshin: Letra, kompjutera, telefona, disqe, usb, lojrat e fëmijve, antena interneti, çelës makine, etj. Gazetari Habjon Hasani zbuloi përmes një artikulli (lexo këtu) se si prokurorët e SPAK-ut shpërdoruan detyrën në çështjen e Qynos, duke ia lënë në dorë të hetojnë se kush e rrodhi informacionin tek gazetari, të njëjtëve prokurorë që mund ta kenë bërë atë. Pra vetë prokurorëve të dosjes nga ky rrodhi ky informacion: Altin Dumani, Behar Dibra dhe Doloreza Musabelli.

Deputetët e opozitës kishin rastin t’i bënin pyetje Dumanin dhe ta zinin ngushtë atë, por asnjëri s’e mori mundimin. Ata ishin të interesuar vetëm në “lirimin e Berishës”.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10