

Gazetarja Fatjona Mejdini sjell në një reportazh për BalkanInsight historinë e Nikoll Bufit, një nga shumë shqiptarët që 34 vjet më parë kapërceu një mur ambasade në Tiranë për t’i shpëtuar regjimit represiv komunist të vendit.
Historia publikohet me rastin e 34-vjetorit të futjes së shqiptarëve nëpër ambasada dhe largimit të tyre nga Shqipëria me shpresën për të gjetur një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre.
“E kisha pritur këtë moment për një kohë të gjatë. Isha gati dhe i sigurt se, duke kapërcyer atë mur, më në fund do t’i lija në anën tjetër mundimet e mia.”– tha Bufi për gazetaren.
Por sikurse përshkruhet në këtë reportazh, Bufi nuk e dinte atëherë se ky paskërka qenë thjesht fillimi i një udhëtimi të gjatë të shënjuar nga pengesa të mëtejshme përpara se të gjente më në fund një shtëpi në botën e lirë.
Bufi fillimisht shkoi në Hungari, së bashku me një grup shqiptarësh të tjerë u vendos në një kamp refugjatësh pranë Budapestit dhe ditë pas dite filluan të mësojnë më shumë për vendin që i kishte mirëpritur dhe të shikonin mundësitë për punë.
Shpejt u bë e qartë se Hungaria ishte një vend që po përballej vetë me shumë sfida, pasi sapo po dilte nga sistemi i saj komunist. Madje shumë hungarezë po linin vendin e tyre për të shkuar drejt vendeve perëndimore. Kështu pas disa muajsh, ai vuri në jetë planet për të arritur ilegalisht në Gjermani. Tentoi disa herë, por gjithmonë autoritetet gjermane e kthenin në Austri.
Ndërsa endej rrugëve të Salzburgut pa drejtim dhe para, një grua e sjellshme iu afrua dhe i sugjeroi të kërkonin ndihmë në zyrën e shoqatës bamirëse katolike Caritas.
Në Caritas, Bufi dhe disa të tjerë morën ndihmë për të blerë bileta treni për në Vjenë dhe u këshilluan të aplikonin për azil në zyrat e emigracionit atje. Pas kësaj këshille, ata shkuan në Vjenë, ku u mirëpritën dhe iu garantua strehim. Bufi u vendos në qytetin e Grazit, ku jeton tashmë prej më shumë se tre dekadash dhe është ky qyteti të cilin ai e konsideron shtëpinë e tij.
Për më shumë lexo artikullin e plotë të publikuar në BalkanInsight



