
Me nisjen e fushatës elektorale, lufta për të qenë në qendër të vëmendjes dhe për të siguruar votat sa vjen dhe bëhet më e fortë. Përveç zhurmës që partitë apo kandidatët kanë zgjedhur të bëjnë në rrjetet e tyre sociale, duket që nuk janë mjaftuar. (Lexo edhe KËTU.)
Disa prej kandidatëve të partive të ndryshme kanë nisur tashmë të hapin qeset e tyre edhe në hapësirat e mediave, duke shfrytëzuar kështu çdo mundësi marketingu. Në disa media të ndryshme shihen kandidatë me numrat e tyre për t’u votuar, ndërsa me një kërkim të thjeshtë në media, vihet re që kryeson me reklamat Partia Socialiste, me sloganin “Vetëm me Edin dhe PS-në” që ilustrohet në faqet kryesore të disa prej mediave. Përveç reklamës së partisë, disa kandidatë kanë zgjedhur gjithashtu të promovohen në hapësirat e mediave, ashtu sikurse Halit Valteri, Damian Gjiknuri, Eldian Çepeli.




Gjithashtu edhe kandidatja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku duket që ka shpenzuar për të qenë pjesë në hapësirën e mediave, pasi fotoja e saj dhe mënyra e procesit për të votuar Tabakun shihet në disa prej mediave. Pjesë e këtij marketingu është dhe partia “Mundësia” nga Agron Shehaj që është komentuar së fundmi për marketingun që po i bën partisë. Kandidati i partisë “Koalicioni Euroatlantik”, Pëllumb Seferi po ashtu i është bashkuar promovimit në media. Drejtuesi Enkeled Alibeaj i partisë “Djathtas për Zhvillim” fillimisht nisi promovimin e tij duke u bërë dhe viral me video-t që shpërndau bashkë me dy vajzat, por përpos saj ai ka zgjedhur që dhe partia e tij të jetë në hapësirat e mediave. Edhe partia SocialDemokrate e Shqipërisë ka promovuar kandidatin Altin Vrioni.


Ndërkohë partitë e reja si “Lëvizja Bashkë” nga Arlind Qori apo partia “Nisma-Shqipëria Bëhet” nga Adriatik Lapaj nuk gjenden në promovimin e mediave. A është një marketing i duhur për të përdorur banerat elektorale në media dhe se sa do ndikojë kjo tek ndjekësit e rregullt të lajmeve mbetet për t’u parë.


