
Ndaj kryeministrit Edi Rama është depozituar një kallëzim në SPAK nga një grup aktivistësh dhe profesionistësh në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës, pas botimit të librit “The Albanian Files”. Lidhur me këtë kallëzim, redaksia e Gogo.al zhvilloi një intervistë me arkitekten Entela Koja (Spahivogli), e cila ndalet në disa pika kyçe të këtij kallëzimi, duke u shprehur se thelbi është i qartë: Të hetohen dokumentet e shtetit, jo të merret si e mirëqenë narrativa jonë.
INTERVISTA E PLOTË
Çfarë përmban kallëzimi ndaj kryeministrit Rama në SPAK, në cilat pika jeni përqëndruar më shumë?
ENTELA KOJA: Kallëzimi bazohet në disa projekte ku shfaqen të njëjtat problematika, jo në një rast të vetëm. Jemi nisur nga “The Albanian Files”, “Who Owns the Albanian Coast”, raportime investigative dhe dokumente zyrtare të institucioneve shqiptare. Fokusi është te kronologjia: Si ka nisur çdo projekt, statusi i territorit, momenti i shfaqjes së investitorit, ndryshimet e planeve dhe dhënia e lejeve.
Shqetësimi kryesor është se në disa raste, projekti vjen i pari dhe më pas përshtaten procedurat dhe planifikimi. Ne nuk përcaktojmë fajësi, por paraqesim indicie që kërkojnë hetim.
Si arkitekte dhe urbaniste si i vlerësoni projektet brenda “The Albanian Files”, çfarë shkeljesh keni konstatuar?
ENTELA KOJA: Problemi nuk është estetika e projekteve, por mënyra si janë zhvilluar. Në urbanistikë, procesi duhet të nisë nga territori dhe kufizimet e tij, jo nga projekti. Në zona të mbrojtura, kjo është edhe më kritike: duhen studime mjedisore, fizibiliteti dhe vlerësim i ndikimit para çdo vendimmarrjeje. Në raste si Divjakë–Karavasta, Baks-Rrjoll dhe Zvërnec, kemi analizuar statusin e mbrojtjes, studimet dhe kronologjinë e miratimeve. Pyetja thelbësore është: a është përshtatur projekti me territorin apo është përshtatur zhvillimiterritori me projektin?
Nga çështjet mjedisore, tek objektet e trashëgimisë kulturore, si po operohet sipas jush me lejet e ndërtimit që lëshohen nga institucionet shqiptare? ENTELA KOJA: Leja e ndërtimit është faza e fundit, jo e para. Para saj duhet të respektohen planifikimi, statusi juridik i territorit, studimet mjedisore, kufizimet e zonave të mbrojtura, trashëgimia kulturore dhe konsultimi publik. Në zonat e mbrojtura këto nuk janë formalitete, por mekanizma mbrojtës. Ne kemi analizuar jo vetëm lejet, por procesin para tyre: ndryshimet e planeve, statusit dhe miratimeve që kanë bërë të mundur projektet.
Si i keni gjetur argumentet ligjore në kallëzimin që keni përpiluar që vërtet ta detyroni SPAK-un të hetojë mbi “The Albanian Files”? Cilat janë ato?
ENTELA KOJA: Argumentet janë ndërtuar duke krahasuar ligjin me kronologjinë e dokumenteve. Janë analizuar kërkesat ligjore për planifikimin, mjedisin, zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore, dhe janë krahasuar me praktikat konkrete. SPAK nuk duhet të mbështetet te materialet investigative, por të verifikojë dokumentet zyrtare: datat, firmat, studimet, miratimet dhe lejet, të vendosura në rend kronologjik. Nëse gjithçka është ligjore, kjo do të dalë nga hetimi. Nëse jo, duhet të hetohet nëse kemi shkelje administrative apo përgjegjësi penale të funksionarëve publikë.
Thelbi i kallëzimit është i qartë: të hetohen dokumentet e shtetit, jo të merret si e mirëqenë narrativa jonë.
SHIKO duke klikuar këtu kallëzimin e plotë:


