
Dy prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë historike në vend, Kalaja e Rozafës në Shkodër dhe Kalaja e Lëkurësit në Sarandë, janë përfshirë në një procedurë të hapur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për dhënien me qira. Njoftimi është publikuar më 14 korrik 2025 në faqen zyrtare të ministrisë dhe parashikon kontrata me afat deri në 20 vjet, me të drejtë rinovimi.
Sipas këtij dokumenti, qëllimi i iniciativës është “rijetësimi i monumenteve përmes përdorimit të kontrolluar të hapësirave për veprimtari kulturore dhe turistike”. Ministria në thirrjen e saj publike shprehet se nuk do të lejohet asnjë ndërhyrje që cënon autenticitetin e monumenteve dhe kërkon nga subjektet pjesëmarrëse plane të detajuara për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë.
Për Kalanë e Rozafës, objekti i konkurrimit është një ambient shërbimi me sipërfaqe 196.2 metra katrorë, i ndodhur në oborrin e tretë të kalasë. Ky monument gëzon statusin e “pasurisë kulturore”, shpallur që në vitin 1948 nga Instituti i Shkencave dhe më vonë i rikonfirmuar nga vendime të tjera, përfshirë VKM nr. 788, datë 18 dhjetor 2024, që përcakton zonat arkeologjike A dhe B të qytetit të Shkodrës si zona me mbrojtje të posaçme.


Sa i përket Kalasë së Lëkurësit në Sarandë, ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 862 metra katrorë, në një kodër në formë piramide, mbi rrënojat e fshatit të braktisur Lëkurës, që daton nga viti 1878. Monumenti është i kategorizuar si “pasuri kulturore”, sipas urdhrit të ministrit të Kulturës nr. 482, datë 1 gusht 2023, dhe i përfshirë në VKM nr. 730, datë 13 dhjetor 2023, që parashikon zonimin dhe administrimin e zonave arkeologjike të qytetit.

Reagimet: Komercializim i trashëgimisë apo keqmenaxhim?
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar ashpër ndaj kësaj procedure, duke e cilësuar si një “komercializim të historisë”. Sipas Forumit, “Kalaja e Lëkurësit është shndërruar prej më shumë se 25 vitesh në një ambient me restorante dhe piceri, duke humbur vlerat dhe funksionin e saj si monument kulture. Kalaja, e ndërtuar mbi rrënojat e një kishe bizantine dhe e lidhur historikisht me Sulltan Sulejmanin, është tashmë simbol i degradimit institucional.”
Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Forumi kritikon ashpër drejtuesit aktualë të trashëgimisë kulturore, veçanërisht ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gjonxhja, duke theksuar sipas tyre: “Z. Gonxhja harron se ka përgjegjësi ligjore dhe morale të mbrojë trashëgiminë dhe jo të promovojë menunë e picave.” Më tej, shtrohen pyetje të drejtpërdrejta:
“Pse kjo kala nuk mund të jetë një pikë referimi për trashëgiminë kulturore?”
“Pse shteti është i paaftë ta administrojë vetë një kala historike?”
“Çfarë studimi ka bërë ministria për të garantuar interesin publik?”

Kujtesë politike dhe heshtje institucionale
Paradoksi i situatës aktuale është edhe politik: vetë Partia Socialiste, në opozitë në vitin 2013, kishte kundërshtuar një vendim të ngjashëm të qeverisë së mëparshme Berisha për t’i dhënë privatit përdorimin e Kalasë së Lëkurësit. Pas ardhjes në pushtet, marrëveshje të tilla u zhbënë dhe në disa raste shteti është detyruar të paguajë dëmshpërblime.
Sot, pas 12 vitesh në qeverisje, duket se qëndrimi ka ndryshuar dhe praktika e njëhershme e kontestuar po kthehet në strategji zyrtare për menaxhimin e trashëgimisë.
Ndërkohë, ministria nuk ka dalë ende me një reagim të dytë për të qartësuar publikisht objektivat, garantitë dhe vizionin real pas kësaj iniciative. Në mungesë të transparencës, zërat kritikë po shtohen dhe trashëgimia kulturore mbetet përballë një pikëpyetje të madhe:
A do të mbrohet apo do të konsumohet si mall komercial?


