
“Ka shpirtra të humbur brenda në PS që duan Shqipëri të re”, kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer socialistët e zhgënyer. Në mbledhjen e grupit Parlamentar dhe qeverisë, ai paralajmëroi largime të tjera, ndërsa ata që u distancuan me kohë e kanë akuzuar për shndërrimin e PS në një parti të korrupsionit. Themeluesi i FRESSH-it, Ilir Zela i është drejtuar Ramës me një letër të hapur. Ai akuzoi Ramën se ka kriminalizuar kuvendin dhe ka emëruar horra në qeveri.
“Vendi i protestës së socialistëve duhet të jetë në radhë të parë vetë Partia Socialiste. Socialistët duhet të rigjejnë vetveten, t’ia dorëzojnë drejtësisë të gjithë rilindarët që ajo po i kërkon prej kohësh”, shkruan Zela. Sipas tij “Protesta është edhe një mundësi për ata socialistë, të cilët besuan te rilindarët pa e lidhur këtë besim me leje kullash e përbindëshash të tjerë të betonit apo përfitime sharlatanësh, të administrojnë zhgënjimin e tyre e të kuptojnë që atdheu, pyjet e kullotat, bregdeti, plazhet e fushat janë më të rëndësishme se një vend pune në administratë, një kapardisje firmatosh në sallat e institucioneve, nxjerra jashtë funksionit kushtetues, apo një përfitim momental prej sistemit të korruptuar të pushtetit autokratik”.
Pas kësaj letre reagoi ish-ministrja Ermelinda Meksi. Ajo mbështet qëndrimin e Zelës për situatën në PS dhe shkruan: “Sfida kryesore për çdo organizatë politike është ruajtja e aftësisë për t’u vetëkorrigjuar. Nëse një parti që nuk reflekton mbi veten, nuk pranon kritikën dhe nuk rinovon mekanizmat e saj të brendshëm, rrezikon të humbasë lidhjen me anëtarësinë dhe me shoqërinë”. Meksi propozon rikthimin e zgjedhjeve dhe rifreskimit të strukturave të Partisë Socialiste çdo katër vjet. Lidhur me Asamblenë, thekson se ajo duhet të jetë produkt i vullnetit të delegatëve të Kongresit dhe jo të ndërtohet mbi anëtarësime ex officio, të cilat, sipas saj, zbehin peshën e zgjedhjes demokratike.

Në skenën poltike është kthyer edhe ish-ministri socialist, Ndre Legisi. Ai shprehet se nxjerrja e PS nga llumi ku e futi Rama, është detyrim i socialistëve. I nxitur nga letra e Zelës, Legisi shkruan se nxjerra e PS nga “llumi ku e futi Edi Rama” është detyrim i socialistëve të viteve të sakrificave.Ai komentoi në një reagim të themeluesit të FRESSH, Ilir Zela, i cili po ashtu shprehu qëndrimin e tij ndaj situatës. “Të lumtë Ilir, kjo duhet sot për socialistët, nxjerrja e Partisë Socialiste nga llumi ku e futi Edi Rama me rilindjen, në radhë të parë është detyrim i socialistëve të viteve të sakrificës”, shkruan Legisi.

Ish-ambasadori Roland Bimo u është bashkuar zërave kundër. Ai thotë se: “Partia Socialiste dikur përfaqësonte progresin, zhvillimin dhe përparimin, por sot po përballet me një realitet tjetër, ku qytetarët po reagojnë gjithnjë e më fort ndaj mënyrës së qeverisjes dhe raportit të saj me publikun”. “Kam përshtypjen se me kalimin e kohës anëtarëve të Partisë Socialiste do t’u vijë turp, ashtu siç u erdhi turp anëtarëve të Partisë së Punës në vitet 1989-1991, kur i shërbenin me shumë zell një partie së cilës i kishte kaluar koha. Edhe sot anëtarët e Partisë Socialiste po i shërbejnë me zell një force politike që jo domosdoshmërisht i ka kaluar koha si formacion politik, por i ka kaluar koha si mënyrë sjelljeje përballë qytetarëve të vet”, u shpreh Bimo.

“Maskat ranë, Edi Rama ua ka borxh socialistëve dorëheqjen!”, goditja e radhës vjen nga ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi. Ai ka përgëzuar Zelën për letrën dhe shtoi: ““Të lumtë Ilir! Zëre se e kam shkruar unë”, shprehet ai, teksa mbështet argumentin e Zelës për largimin e Ramës”.

Irena Beqiraj, ish-zëvendësministrje socialiste, bën një paralele me perandorët romakë dhe monarkët autokratikë. Ajo kujton fjalë e Neronit: “Çfarë artisti po humbet bota me mua”. Beqiraj shton se prirja e Ramës për shkëlqim perandorak nuk e bën atë një perandor, por një administrator të përkohshëm që ka harruar se për kë shërben.

Më herët Rama është kritikuar nga ish-ministri Arben Malaj i cili ka dalë në mbështetje të protestave apo edhe ish-ministrja Arta Dade e cila refuzoi të merrte pjesë në 35-vjetorin e PS-së dhe nuk pranoi medaljen e planifikuar nga kryeministri e kreu i PS-së Edi Rama.

Letra e plotë e Ilir Zelës:
Një pjesë e rëndësishme e rinisë shqiptare po proteston këto ditë në rrugët e Tiranës. Kërkesat e tyre për një sistem politik demokratik e funksional ndër shqiptarë janë thelbësisht të drejta! Socialistët i mishëruan këto aspirata në Kushtetutën e vitit ’98. Socialistët i rezistuan fashizmit në pushtet në 1992-1997. Stabilizuan vendin pas krizës së ’97-ës, hapën perspektivën e shkatërruar të bashkimit me Europën, kontribuuan në çlirimin e Kosovës dhe ndërmorën reformën në drejtësi në 2015. Ka një paralele midis shpirtit të socialistëve të mishëruar në këto kontribute dhe aspiratave të të rinjve në këtë protestë. Por, për fat të keq, medalja ka edhe një anë tjetër. Është autokracia e sotme, e cila është larguar nga aspiratat e shqiptarëve! Janë rilindarët e pasuruar, të trashur e stërplakur në pushtet, bartësit e korrupsionit dhe amalgamës me krimin, të cilët janë objekti i kësaj proteste, siç janë edhe subjekt i SPAK. Kam parë këto ditë socialistë që po marrin pjesë në protesta, duke dëshmuar shqetësimin e tyre për gjendjen në të cilën është katandisur demokracia në vend. Kam parë edhe disa socialistë të tjerë, të cilët i kanë bërë jehonë artikulimeve nën panik të autokratit kryeministër.
Raporti i socialistëve me protestën më ka nxitur të bëj pyetjen: vallë, të jenë katandisur të gjithë socialistët në klone të subjekteve të SPAK-ut, në viktima të oligarkisë? Do të dëshiroja që revolta e të rinjve të jetë një mundësi për socialistët të rigjejnë partinë e tyre të zaptuar nga trusti i betonit, të kuptojnë se sakrifikimi i demokracisë së brendshme në emër të unitetit fals ishte në thelb uzurpim i pushtetit nga një person ose një grup pa lidhje me socialistët e vërtetë, pjesa më e shëndoshë e të cilëve nuk i besuan kurrë Edi Ramës, por në të njëjtën kohë e përkrahën bujarisht. Protesta është edhe një mundësi për ata socialistë, të cilët besuan te rilindarët pa e lidhur këtë besim me leje kullash e përbindëshash të tjerë të betonit apo përfitime sharlatanësh, të administrojnë zhgënjimin e tyre e të kuptojnë që atdheu, pyjet e kullotat, bregdeti, plazhet e fushat janë më të rëndësishme se një vend pune në administratë, një kapardisje firmatosh në sallat e institucioneve, nxjerra jashtë funksionit kushtetues, apo një përfitim momental prej sistemit të korruptuar të pushtetit autokratik.
Kur shoh socialistë të kontributeve në protestë, pyes veten nëse ka kuptim t’u thuash këtyre njerëzve se uzurpimi i vullnetit të tyre ka përzënë nga vendi ynë 1 milion shqiptarë, ka kontribuar në arrogancën e pushtetit dhe dobësimin e llogaridhënies. Ata i dinë këto dhe prandaj protestojnë! Socialistët e shohin se kolltukofagët e sotëm janë më të plakur e shumë më të dhjamosur se bllokmenët e brezit më të fundit të regjimit hoxhist. Socialistët e dinë që ka ardhur koha që një brez i ri të rigjejë vlerat më të mira të së majtës dhe të kërkojë modestisht të marrë pjesë në udhëheqjen e atdheut. Por të jesh socialist dhe të shkosh në protestë, do të thotë që ke hequr dorë nga përpjekja për ta çliruar politikën, nuk beson te mundësia që një lidership i ri për socialistët, por edhe për të gjitha alternativat e tjera politike, të realizohet përmes proceseve të demokracisë së brendshme. Vendi i protestës së socialistëve duhet të jetë në radhë të parë vetë Partia Socialiste. Socialistët duhet të rigjejnë vetveten, t’ia dorëzojnë drejtësisë të gjithë rilindarët që ajo po i kërkon prej kohësh. Të bëhen njësh pa mëdyshje të mëtejshme me aspiratat e shqiptarëve për shtet, drejtësi, dinjitet e bashkim me Europën!
A ka vërtet një mundësi për një rrugë të re të bazuar në kolegjialitet përkundër arrogancës, të bazuar në legjitimitet përkundër aleancës me korrupsionin, monopolet dhe krimin, të bazuar në konkurrencë dhe zgjedhje përkundrejt sjelljes uzurpatore, sipas së cilës zgjedhjet janë të mira derisa unë zaptoj kreun, pastaj zgjedhjet janë të këqija që unë të mbretëroj? A ka socialistë që e kanë parë fundin e rrugës së drejtimit autokratik ditën kur 81 nga 83 mandatet propagandisht të tyre u përdorën për të mbrojtur paprekshmërinë e korrupsionit në krye të qeverisjes pa llogaridhënie? A ka socialistë që besojnë në llogaridhënie, ndryshimin dhe ripërtëritjen?
Kushdo që është përfshirë në hajni në këto vite, që ka lejuar korrupsionin apo e ka relativizuar atë, duhet të hapë krahun, duhet të hapë rrugën, duke u kërkuar falje thellë e thellë të gjithë socialistëve! Për të mos lënë asnjë mëdyshje, faljen më të madhe duhet ta kërkojë Edi Rama, i cili në 2005 u përgjërua për demokraci të brendshme, një anëtar një votë dhe për luftë ndaj korrupsionit. Megjithëse u mbështet bujarisht nga e gjithë struktura e Partisë Socialiste, ai nuk arriti kurrë të bëhej një socialist, por thjesht i pa socialistët si hambar votash, duke i futur në grackën e zgjedhjes midis tij dhe Saliut. Edi Rama duhet të kërkojë falje për të gjitha kundërthëniet e tij në krye të PS-së dhe të qeverisë, që nga kriminalizimi i përbërjes së Kuvendit e deri te emërimet e horrave në qeveri, nga shkatërrimi i konceptit të shtetit e deri te largimi nga vendi i më shumë se 1 milion shqiptarëve, nga vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi e deri te pengimi i drejtësisë përmes marrjes nën mbrojtje politike të subjekteve të SPAK-ut. Tani maskat kanë rënë dhe Edi Rama ua ka borxh socialistëve dorëheqjen, lirimin e rrugës. Nëse nuk e bën, socialistët nuk mund të hidhen bashkë me të në greminën ku po i tërheq, do të dinë të zgjedhin një rrugë tjetër!
Nëse ka një fije mirënjohjeje në qenien e Edi Ramës, është koha ta shfaqë atë. Prej 13 vjetësh është kryeministër me votat e socialistëve. Asnjë pushtet nuk mund të jetë i përjetshëm! Hezitimi për t’i hapur rrugë ndryshimit tani rrezikon ta lërë partinë e Dritëro Agollit si një kujtim të bukur të një të shkuare të largët, me shumë mundësi pa anëtarë dhe pa votues. Ose PS ndryshon rrugë tani, ose një e majtë e re, e paralajmëruar nga disa prej intelektualëve më në zë të saj, do të ngrihet si alternativë e qenësishme politike. Eksperimenti dhe praktika e autokracisë kanë përfunduar me dështim, shëmti, hajni dhe tallje. Është koha për demokraci!
Si themelues dhe kryetar i parë i FRESSH-it, si një anëtar i Partisë Socialiste që prej vitit 1992, si deputet i saj i zgjedhur dy herë me votë të drejtpërdrejtë, si anëtar i zgjedhur në forumet më të larta drejtuese të saj në kohën kur zgjedhjet ishin të vërteta, do të dëshiroja të besoja te njerëzit e thjeshtë të së majtës bujare. Do të doja t’i shoh t’i japin fund përkrahjes për të keqen, sidomos në rastin kur ajo ka helmuar një pjesë të shpirtit të tyre! Do të doja t’i shoh ta rikthejnë partinë e tyre aty ku i takon, në brazdën e aspiratave të shqiptarëve për liri, paqe, barazi, dinjitet e bashkim kombëtar! Uroj që sa më parë, përfaqësuesit më të mirë të rinisë, të cilët e kuptojnë gjeneratën Z, jo klonet e zaptimit, të vijnë në krye të së majtës dhe të kontribuojnë me një mendësi të re për një Shqipëri që duhet patjetër të mbyllë tranzicionin dhe të renditet me demokracitë perëndimore si anëtare e BE-së dhe jo të kthehet mbrapsht nën zaptim!”


