
Situata në juglindje të vendit nisi si një alarm për rrëshqitje dheu në segmentin “Arrat e Gurrës”, në aksin kombëtar Librazhd–Pogradec. Fillimisht, lëvizja u kufizua në një korsi, ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë u ndaluan për arsye sigurie. Autoritetet e mbajtën zonën në monitorim, teksa gërryerja nga lumi Shkumbin po dëmtonte strukturën mbajtëse të rrugës dhe të urës.
Në orët në vijim, situata u përkeqësua ndjeshëm. U regjistrua spostim progresiv i trupit të rrugës (nga 27 në 29 cm), si dhe çarje e urës me thërrmim betoni poshtë saj, duke rritur rrezikun e shembjes. Në mbrëmje, vendimi u bë drastic, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në koordinim me Policinë e Shtetit, bllokoi plotësisht qarkullimin jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët dhe mjetet e emergjencës.

Bllokimi i këtij aksi jetik, që lidh Korçën e Pogradecin me Elbasanin e Tiranën dhe shërben për qarkullimin drejt Qafë-Thanës e Kapshticës, solli izolim praktik të juglindjes. Qytetarë u detyruan të ecin në këmbë për disa kilometra, ndërsa trafiku u zhvendos drejt rrugës alternative Maliq-Moglicë-Gramsh. Por edhe ky segment shfaqi probleme, rrëshqitje dherash në Lozhan-Moglicë, plasaritje dhe kalim i vështirë në disa pjesë, duke zgjatur udhëtimin me të paktën një orë dhe duke krijuar radhë kilometrike.

Aktualisht, aksi Librazhd-Pogradec mbetet i mbyllur për automjetet pa një afat të qartë rihapjeje, por u lejua kalimi i këmbësorët dhe grupeve të udhëtarëve në segmentin e dëmtuar, duke sjellë lehtësim për banorët dhe qytetarët që prej ditësh përballeshin me vështirësi të shumta. Paralelisht, rrëshqitjet e tokës kanë shkaktuar zhvendosjen dhe fundosjen e bazamentit të një shtylle tensioni të lartë 110 kV që lidh HEC Egnatia me nënstacionin e Librazhd, duke ngritur alarmin për sigurinë e linjës së transmetimit. Po diskutohet një ndërhyrje emergjente për përforcimin e bazamentit dhe stabilizimin e trupit të saj me kabuj çeliku, me qëllim shmangien e çdo rreziku për shembje apo ndërprerje të furnizimit me energji.
ARRSH ka nisur procedurat për ndërtimin e një bypass-i provizor, ndërsa ekspertët pritet të vlerësojnë në terren sigurinë e strukturës. Deri atëherë, drejtuesit e mjeteve këshillohen të shmangin zonën dhe të përdorin itineraret alternative, me paralajmërimin se vonesat dhe vështirësitë në qarkullim do të vijojnë.


