Nga Stephania Taladrid

Për dekada, zëri i tij dëgjohej gati në të gjitha familjet latine. Dy milionë njerëz e çonin ekranin e televizionit të tyre tek kanali “Univision” çdo natë për të parë njeriun me flokë të argjendtë dhe sy të gjelbër duke lexuar lajmet. Nëse do të shpërthente lufta në Amerikën Latine ose do të rrëzohej një lider, nëse inflacioni do të rritej në Shtetet e Bashkuara ose do të rriteshin deportimet, ai do të ishte në histori. Lajmi, do të thoshte ai, duhej të dilte në kohë ose do të kalbej. Sondazh pas sondazhi ai renditej ndër latinët më me ndikim në Shtetet e Bashkuara; gjatë tridhjetë e tetë viteve të tij si spiker në Univision, pozita e rrjetit u rivalizua me atë të Kishës Katolike. Ai u krahasua si me transmetuesin amerikan Walter Cronkite, ashtu edhe me reporteren luftarake italiane Oriana Fallaci, por audienca e tij e pa më së shumti si një bashkëemigrant – dikush që njëlloj si ata, po punonte për të deshifruar zakonet e shtëpisë së tij të adoptuar. Ai mishëroi fuqinë e një komuniteti që, në katër dekada, është rritur nga pesëmbëdhjetë milionë njerëz në më shumë se gjashtëdhjetë milionë. Ai besonte fort në parashikimin e Cesar Chavez-it të vitit 1984: “Ne kemi parë të ardhmen dhe e ardhmja është e jona”.

Jorge Ramos kishte zbritur në Los Anxhelos një vit para atij parashikimi, me një valixhe të vogël dhe një kitarë. Ai ishte rritur në qytetin e Meksikos në vitet 1960 dhe 1970, në një kohë kur Partia Revolucionare Institucionale zotëronte pushtet absolut dhe demokracia dukej si një abstraksion. Si i ri, ai mendoi të kandidonte në politikë, por, në vend të kësaj, ai e gjeti rrugën e tij në stacionin radiofonik XEW. Detyra e tij e parë erdhi në vitin 1981, kur një atentator qëlloi Presidentin Ronald Reagan. Ramos ishte, siç i pëlqen të thotë, i vetmi person në redaksi që dinte pak anglisht dhe kishte një pasaportë të vlefshme. Ai u nis për në Uashington për të mbuluar historinë dhe vendosi menjëherë të bënte një karrierë si reporter. Që atëherë, ai e ka kaluar kufirin qindra herë, duke folur me krerët e shteteve, punëtorët e fermave, të famshëm, votuesit për herë të parë dhe udhëheqësit socialë dhe duke u afirmuar si një autoritet i veçantë në kryqëzimin e jetës meksikane me atë amerikane.

Libri i tij i fundit, “Mënyra se si i shoh gjërat”, përfshin një përzgjedhje kolonash, të shkruara në spanjisht midis viteve 1982 dhe 2023, që mbulojnë evolucionin e Ramosit si reporter, si baba dhe si ekspert. Intervistat e tij më të paharrueshme me Nicolás Maduron, Bill Clintonin, George W. Bushin dhe Barack Obamën po ashtu rrëfehen në libër. Po kështu dhe shkëmbimi i tij i parë me Donald Trumpin, i vetmi president amerikan që ka refuzuar një intervistë me Ramosin.

Videoja që rezultoi pas takimit të ftohtë me Trumpin iu tregoi miliona amerikanëve jolatino se çfarë e ka bërë Ramosin të famshëm: një aftësi për t’u dukur si një arbitër i papasionuar i lajmit dhe një përfaqësues i hapur për shikuesit e tij. “Heshtja është mëkati më i keq i gazetarisë.”- shkruan ai.

Në fillim të këtij muaji, vizitova studiot e Univisionit, në Miami, ku Ramosi njihet me nderim si Don Jorge. Ai më çoi përmes dyerve të xhamit në redaksi, një hapësirë ​​e gjerë dhe e hapur e mbushur me gazetarë dhe producentë që diskutonin në spanjisht. “Kjo është vala hispanike”-tha ai. Ne folëm për ditët e tij të para në Univision, filozofinë e tij të intervistimit dhe trashëgiminë e tij në media. Ne diskutuam gjithashtu për një rubrikë që nuk shfaqet në librin e Ramos, “Rreziku i mospërballjes me Trumpin” – përgjigja e tij ndaj një interviste shumë të kritikuar me kandidatin republikan që u organizua nga Univision dhe partneri i saj Televisa, konglomerati më i madh mediatik i Meksikës.

INTERVISTA:

Në vitet tetëdhjetë, në fillim të karrierës suaj, u larguat nga Meksika sepse Televisa vendosët të mos drejtonte një pjesë për të cilën kishit punuar.

Unë isha reporter i një programi investigativ të quajtur “60 minuta”. Për dy raportet e mia të para, nuk kishte asnjë problem. Por raporti i tretë që bëra ishte për “el dedazo – Si presidentët meksikanë vendosnin se kush do t’i pasonte ata.” (el dedazo është një term në spanjisht që nënkupton aktin kur një politikan ose nëpunës publik emëron pasardhësin e tyre pa ndjekur më parë një proces përzgjedhjeje publik dhe demokratik) Në atë kohë, askush, askush nuk guxonte të fliste për el dedazo. Më thanë që thjesht nuk mund ta publikoja diçka të tillë. Censura e qeverisë ishte tepër e fuqishme.

Isha një gazetar i ri dhe doja të ndryshoja botën, të hapja mundësi të ndryshme. Dhe u përpoqa dhe dështova. Kam shkruar një letër dorëheqjeje. Shita Volkswagen tim, një vochito të kuqe, dhe me ato para erdha në Shtetet e Bashkuara.

Kur jeton në një vend ku nuk ka demokraci, ku nuk ka liri, duhet të bësh një llogaritje: A duhet të pres derisa gjërat të ndryshojnë? Apo duhet të shkoj tani? Dhe, si një emigrant, dëshira për të ndryshuar dhe për të lëvizur është më e fuqishme sesa të qëndrosh dhe të presësh atë ndryshim.

Unë me të vërtetë i admiroj gazetarët që qëndruan në Meksikë, por thjesht nuk mund të prisja. Në fund, arrita të mbuloja Meksikën dhe sistemin autoritar nga Shtetet e Bashkuara. Më kujtohen ende zgjedhjet e vitit 1988, me kandidatin e atëhershëm Carlos Salinas de Gortari dhe mbaj mend që munda ta pyesja ditën e votimit për mashtrimin elektoral dhe për faktin që meksikanët thjesht nuk lejoheshin të shprehnin lirisht votën e tyre. Nuk do ta kisha bërë këtë po të kisha mbetur. Shtetet e Bashkuara më dhanë mundësitë që vendi im i origjinës nuk mund të më jepte.

Ju e nisët karrierën tuaj në SHBA, duke punuar për KMEX, një stacion televiziv në Los Angeles. Si ishte peizazhi mediatik në gjuhën spanjolle në atë kohë?

Ishte tepër e vështirë. Më kujtohet ende që shkova në Bashki dhe kërkova dikë që do të fliste spanjisht, dhe ata nuk do të kishin askënd. Tani është krejtësisht ndryshe. Kur mbërrita për herë të parë në Shtetet e Bashkuara, kishte rreth pesëmbëdhjetë milionë latinë, dhe tani janë më shumë se gjashtëdhjetë e pesë milionë, kështu që unë kam përjetuar këtë gjatë gjithë karrierës sime.

Në atë kohë, ishte e pamundur të mendohej se latinët mund të kishin një ndikim mbarëkombëtar si një bllok elektoral. Rreth një dekadë më parë, fillova të them se askush nuk mund të shkojë në Shtëpinë e Bardhë pa votën e latinëve dhe askush nuk e besonte këtë. Tani është e qartë. Unë po shikoja vetëm regjistrimin, dhe deri në vitin 2050 të gjithë do të jenë pakicë. Absolutisht të gjithë. Pra, i gjithë ky eksperiment i jashtëzakonshëm që është Amerika po udhëhiqet nga ndryshimet brenda komunitetit latin.

Unë u mahnita nga diçka që thatë në vitin 2014, rreth lançimit të Fusion, një kanal kabllor i themeluar nga ABC News dhe Univision: “Për tridhjetë vjet, unë e kam bërë këtë dhe askush nuk i kushtoi vëmendje.”

Ne po jetojmë në një botë paralele, sepse shumica e Amerikës nuk e ka idenë se kush jemi dhe çfarë po bëjmë. Kjo redaksi është e padukshme për pjesën tjetër të Amerikës, por nuk është e padukshme për gjashtëdhjetë e pesë milionë njerëz latinë, shumica e të cilëve flasin spanjisht.

Ideja e botëve paralele është e habitshme.

Por tani ju shihni mbiemra hispanikë kudo në mediat në gjuhën angleze, gjë që nuk ishte rasti shumë vite më parë. Ne nuk shohim përfaqësim të përsosur. Ne jemi njëzet për qind e popullsisë; ju nuk shihni njëzet për qind gazetarë latinë në mediat angleze – jo ende. Kryqëzimi midis këtyre dy botëve po ndodh gjithnjë e më shumë, por ka një rrugë të gjatë për të bërë.

Unë pata një bisedë disa vite më parë me Joaquin Castron, kongresmenin nga Teksasi, dhe ai tha: “Amerikanët nuk e dinë se kush janë latinët”. A e besoni këtë?

Unë mendoj se ata e dinë se kush jemi ne tani. Ata e dinë që ne jemi të fuqishëm. Është pothuajse një shaka, por çdo katër vjet unë e quaj sindroma e Kristofor Kolombit – çdo katër vjet ne po rizbulohemi sepse ata kanë nevojë për ne për zgjedhjet dhe pastaj na harrojnë për tre vjet.

Përpara zgjedhjeve të 2016-ës, ju keni bërë një parashikim: nëse republikanët “vazhdojnë të bllokojnë reformën e imigracionit, ata do të humbasin Shtëpinë e Bardhë”. Republikanët jo vetëm që bllokuan reformën e imigracionit, por ata gjithashtu u futën në një axhendë kundër imigracionit dhe morën Shtëpinë e Bardhë. Në fund, pse parashikimi juaj ishte i gabuar?

Epo, dy gjëra: së pari, unë e nënvlerësova zhgënjimin e komunitetit latin me Partinë Demokratike, sepse ata kishin premtuar reformën e imigracionit që nga viti 1986 dhe nuk e realizuan. Sidomos me Barack Obamën. Ata patën mundësinë të kalonin reformën e imigracionit; vendosën të mos e bëjnë këtë. E kuptoj që kujdesi shëndetësor ishte një çështje madhore, por ata mund t’i kishin bërë të dyja gjërat në të njëjtën kohë.

Gjëja tjetër që nuk e kuptova saktë është se sa më gjatë të jetojmë në këtë vend si emigrantë, aq më shumë ngjajmë me pjesën tjetër të Amerikës. Dhe ishte shumë e vështirë për mua të kuptoja se disa latinë do të votonin për Trumpin pas të gjitha komenteve raciste që ai kishte bërë dhe të gjitha sulmeve të tij ndaj emigrantëve.

Pra, ka një prirje djathtas në mesin e shumë latinëve, madje edhe latinët që katër vjet më parë nuk donin të thoshin se votuan për Trumpin, tani e thonë hapur. Mendoj se ishte Ronald Reagan ai që tha se latinët janë në të vërtetë republikanë, ata thjesht nuk e dinë ende. Dhe unë mendoj se mesazhi republikan për familjen, fenë dhe dyshimin e qeverisë së madhe rezonon shumë brenda komunitetit latin.

Kur erdhët këtu për herë të parë, dyzet vjet më parë, si mendonit për përfaqësimin dhe çfarë do të thoshte prania juaj në kamera?

Mendoj se kemi përfaqësuar gjithmonë ndryshimin. Dhe, për disa, ishte kërcënuese. Fakti që ne flasim spanjisht, në një vend ku shumica e njerëzve flasin anglisht, është kërcënues për disa edhe sot. Që në fillim, ndjeva se përgjegjësia ime nuk ishte vetëm të transmetoja lajmet, por të isha zëri i atyre që nuk kishin zë.

Kur isha në Meksikë, kurrë nuk iu thashë prindërve të mi: “Hej, unë dua të jem emigrant”. Doja të bëhesha një astronaut dhe një futbollist, një yll rroku. Për fat të mirë, erdha këtu si student pasi mora vendimin të largohesha nga Meksika. Kam aplikuar në universitetin e U.C.L.A., unë u pranova dhe më janë dhënë mundësi që shumë njerëz nuk i kanë gjatë gjithë jetës së tyre.

Një nga ato mundësi erdhi kur ju ishit njëzet e tetë vjeç dhe punonit në Rrjetin Ndërkombëtar Spanjoll, i cili më vonë u bë Univision. Ky ishte një moment tranzicioni brenda redaksisë dhe pati tension rreth perspektivës që Jacobo Zabludovsky, spikerja kryesore e lajmeve e Televisa-s, mund të sillej nga Meksika.

Kundër pranisë së tij ka pasur një protestë të madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht në Miami. Në fund, kompania vendosi të mos e sillte.

Për çfarë shqetësoheshin njerëzit?

Censura. Se ai përfaqësonte qeverinë meksikane, se ai nuk do t’i jepte lajmet në një mënyrë neutrale dhe të drejtë.

E ndanit dhe ju këtë shqetësim?

Unë thjesht nuk doja të punoja me të. Nuk do të kisha punuar kurrë me të. Kështu përfundova duke qenë korrespondenti i vetëm mashkull në zyrën e Majamit dhe më ofruan të bëja edicionin e lajmeve për disa ditë. U thashë se do ta bëja me kusht që të kem liri të plotë për të raportuar. Nga disa ditë shkoi disa muaj, dhe tani kanë kaluar tridhjetë e tetë vjet.

A ishit të shqetësuar për faktin se rrjeti është filial i Televisa-s?

Unë kam pasur gjithmonë, ne kemi pasur gjithmonë liri të plotë këtu në Shtetet e Bashkuara. Kur mbërrita për herë të parë, u befasova aq shumë sa e kritikonin njerëzit Presidentin në atë kohë, Ronald Reaganin. Më kujtohet ende, kur isha në L.A., një nga gjërat e para që bleva ishte një televizor shumë i vogël, bardh e zi. Dhe kontrolloja edicionin e lajmeve çdo natë, shihja të gjitha kritikat ndaj Presidentit dhe asgjë nuk do të ndodhte. Si një meksikan që duhej të hiqte dorë sepse nuk mund ta kritikoje Presidentin, ishte e bukur.

Pas katër dekadash në edicionet e lajmeve të mbrëmjes, si e keni kuptuar rolin tuaj në komunitetin latin?

Mendoj se përgjegjësia ime nuk është vetëm të raportoj dhe të përcjell lajmet, por edhe t’u jap zë emigrantëve të tjerë që nuk kanë privilegjin që kam unë si reporter. Kjo është ajo që na bën të ndryshëm nga mediat e tjera. Nuk është vetëm për të raportuar lajmet, por, në një farë kuptimi, është gjithashtu për të dhënë udhëzime se si të jetosh në Shtetet e Bashkuara. Sepse ne raportojmë gjithashtu se si të votoni, si të legalizoni statusin tuaj, si të merrni kujdes shëndetësor, si të gjeni një punë. Unë sinqerisht e konsideroj atë që ne bëjmë shërbim publik.

A vjen natyrshëm rrënjosja e besimit?

Jo, me vetëdije mendoj për këtë gjatë gjithë kohës. Mendoj se si gazetarë duhet të bëjmë dy gjëra. Njëra është t’i raportojmë lajmet ashtu siç janë, jo siç dëshirojmë të jenë – dhe besueshmëria jonë varet nga kjo. Nëse bën një gabim, e korrigjon atë dhe pastaj vazhdon. Përgjegjësia tjetër, dhe m’u deshën vite për ta kuptuar, është të pyesësh ata që janë në pushtet. Mjekët shpëtojnë jetë, dhe inxhinierët dhe arkitektët ndërtojnë struktura të bukura. Ne bëjmë pyetje të vështira.

Kur flas me dikë që ka shumë pushtet, dhe veçanërisht me ata që abuzojnë me pushtetin e tyre, duhet të jem intensivisht i dukshëm. Nuk do të thotë që të jesh i padukshëm në situata të caktuara si reporter nuk është gjëja e duhur. E mora atë rol kur isha në Ukrainë dhe së fundmi në Izrael. Por nëse po flas me Hugo Chavezin ose Carlos Salinas de Gortarin, ose Fidel Castron, ose Nicolás Maduron, ose Donald Trumpin, duhet të mbaj një qëndrim. Dhe kjo është diçka që e kuptova vonë në karrierën time si gazetar. Për shumë e shumë vite, kam qenë i përqendruar vetëm në anën e raportimit, por jo në pyetjen e atyre që janë në pushtet.

Ju thatë se Trumpi nuk u la asnjë mundësi gazetarëve veçse të linin pas parimet bazë të objektivitetit dhe neutralitetit.

Do të bëja vetëm një sqarim të vogël. Nuk kam asgjë kundër objektivitetit. Nëse diçka është e kuqe, unë them se është e kuqe, dhe është mirë. Nëse vdesin shtatëmbëdhjetë njerëz, ne themi shtatëmbëdhjetë. Problemi im është me të qenit neutral. Unë mendoj se Trumpi na detyroi të kuptojmë se ne duhej të ishim shumë më aktivë dhe vigjilentë si gazetarë dhe se thjesht nuk mund të ishim të padukshëm.

Kjo përfundimisht u bë një mënyrë tjetër për të kryer intervista. Ndonjëherë, veçanërisht me të fuqishmit, kam dy ide të mëdha që shkojnë në një intervistë. Nëse nuk e bëj unë pyetjen e vështirë, askush tjetër nuk do ta bëjë. Dhe unë hyj në intervistë pa pritur që të marr një intervistë tjetër me atë person.

Më jepni disa shembuj.

Epo, nuk kam folur më me Ted Cruzin dhe as me Marco Rubion. Bukelen, Maduron, Trumpin, Salinas de Gortarin, Fidel Castron, Daniel Ortegën. Kam bërë paqe me idenë se në moshën gjashtëdhjetë e gjashtë kam bërë punën time dhe nëse nuk mund të flas përsëri me ta, nuk prish punë.

Në një kohë kur liderët globalë kanë platformat e tyre për të përforcuar mesazhet e tyre, sa e zbatueshme është kjo filozofi e kryerjes së një interviste?

Dikush do të flasë me kandidatët presidencialë, dikush do të flasë me diktatorët, dikush do të flasë me liderët në mbarë botën. Pra, mund të mos jem unë, por dikush tjetër do të duhet ta bëjë këtë.

Por ato intervista mund të zgjasin vetëm një minutë apo më shumë.

Po. Dua të them, fola për shtatëmbëdhjetë minuta me Maduron dhe më përjashtuan nga një konferencë shtypi me Trumpin pas vetëm disa sekondash dhe fola për rreth një minutë me Fidel Kastron. Dhe kjo nuk ka rëndësi, sepse çështja është t’i bëjmë të ditur se ne do t’i pyesim vazhdimisht.

Shumë njerëz kujtojnë se, në vitin 2015, më përjashtuan nga një konferencë shtypi me Donald Trumpin. Ata nuk e mbajnë mend që fushata e Trumpit e kuptoi se ata bënë një gabim, dhe Hope Hicksi më lejoi të kthehesha, dhe unë munda të flisja me të për më shumë se dhjetë minuta dhe ta sfidoja atë në limite dhe për emigracionin dhe në shumë gjëra të tjera.

Nuk është kështu në çdo rast. Unë bëj mijëra intervista çdo vit. Sapo patë një me fituesin e medaljes olimpike të Guatemalës. Në ato intervista, nuk kam nevojë t’i sfidoj ata. Disa intervista janë vetëm për të marrë informacion. Disa intervista janë vetëm për të bërë një profil. Dhe kjo është mirë. Por, në raste të tjera, nëse nuk e bëni, si gazetar, kush tjetër do ta bëjë? Kjo është arsyeja pse disa njerëz nuk i respektojnë më gazetarët. Ne fitojmë respektin e njerëzve duke qenë të besueshëm dhe duke raportuar realitetin, por edhe duke qenë vigjilentë ndaj demokracisë, duke qenë vigjilentë ndaj fakteve.

Shikuesit do të argumentonin se ata panë saktësisht të kundërtën në takimin e Trumpit me Univision-in vitin e kaluar. Ne pamë një kandidat që hodhi gënjeshtra, që poshtëroi latinët dhe që nuk iu kthye askush. Ndërsa po shikonit, cilat ishin mendimet tuaja?

Domethënë, nuk isha. . . Unë nuk u zgjodha për të bërë intervistën. Ai nuk donte të fliste me mua.

A ishte kjo arsyeja pse Enrique Acevedo, një spikere lajmesh për Televisa, përfundoi duke e bërë këtë?

Sinqerisht, nuk e di se si u mor ai vendim, por e kuptoj që Trumpi thjesht nuk donte të fliste me mua. Dhe, siç e dini, kur keni dikë me kaq shumë pushtet, si Donald Trumpi, unë do ta kisha kryer intervistën në një mënyrë tjetër.

Joaquin Blaya – ish presidenti i Univision-it, i cili ju punësoi si spiker, i tha Washington Post-it se intervista ishte e sikletshme dhe se ai shqetësohej se rrjeti ishte larguar nga misioni i tij themelues. Unë po e citoj atë: “Ajo që pashë atje ishte stërvitje e goditjeve, dikush i lëshonte topa që ai të godiste jashtë parkut.” A e ka braktisur rrjeti misionin e tij?

Unë jam ende këtu. Dhe unë jam ende duke i bërë pyetje të vështira Trumpit, Bidenit dhe Kamala Harrisit. Unë kam bërë saktësisht të njëjtën gjë që kam bërë për tridhjetë e tetë vitet e fundit. Dhe, në çdo zgjedhje, dua të sigurohem që të jem po aq i ashpër me republikanët sa me demokratët. Pra, nga ana ime, kjo nuk ka ndryshuar. Dhe, me njerëzit me të cilët punoj: ne, si rrjet në Shtetet e Bashkuara, nuk kemi ndryshuar.

Univision si rrjet nuk ka ndryshuar?

Ne nuk kemi ndryshuar. Gazetarët në Univision nuk kanë ndryshuar.

Pas intervistës kishte një ndjenjë shqetësimi në redaksi. Cilat ishin disa nga shqetësimet që u ngritën?

Ishte thjesht një çështje besueshmërie. Dhe nëse kjo ishte mënyra më e mirë për të kryer një intervistë.

A kishte ndonjë shqetësim në lidhje me ndarjen midis interesave të korporatave dhe redaksisë?

Unë nuk dua të flas për të tjerët. Por, në rastin tim, intervistën do ta kisha realizuar në një mënyrë krejt tjetër. Një zëdhënës për Univision argumentoi se intervista ishte “diçka që duhej ta bënim si një shërbim për komunitetin hispanik” dhe shprehu shqetësimin se “qasja konfrontuese” e Ramosit mund të pengonte mysafirët e mundshëm.

Menjëherë pas intervistës, pati njerëz që thanë se Univisioni po përpiqej të joshte një audiencë tjetër, ose të tërheqë reklama nga Partia Republikane. Disa shkuan aq larg sa të thoshin se Televisa donte të fitonte favorin e Trumpit, me shpresën se ai do të lironte një rregullore që kufizon pronësinë e saj mbi Univisionin në dyzet e nëntë për qind. A besoni ju ndonjë nga këto teori?

Nuk e di se si u organizua intervista. Unë isha plotësisht i izoluar nga ai proces.

A besoni se ju hoqën qëllimisht?

As këtë nuk e di. Duke qenë se nuk isha pjesë e procesit, nuk e di saktësisht se si u sigurua intervista dhe cili ishte qëllimi.

Duke parë një intervistë që vuri thelbësisht në dyshim misionin e vendit të cilit i keni kushtuar gjithë karrierën tuaj, është e habitshme të dëgjosh që nuk i bëre këto pyetje.

I bëra të gjitha pyetjet, dhe kjo është arsyeja pse ndjeva nevojën të shkruaj një rubrikë për të dhe të shpreh hapur atë që kisha ndjerë.

Dhe çfarë përgjigje morët?

Asnjë përgjigje. Asnjë përgjigje.

Kështu që ju bëtë pyetje dhe nuk morët përgjigje.

Unë . . . meqenëse nuk isha pjesë e procesit, nuk e kuptova saktësisht se si ishte… Nuk e kuptova se si u sigurua intervista, apo cili ishte qëllimi i intervistës.

Ideja, mendoj, ishte të ekspozoheshin si Bideni ashtu edhe Trumpi para një audience hispanike, hapur, pa filtra. Ky, mendoj, ishte qëllimi. Dhe kjo është përgjigja që kemi marrë.

Në fillim të intervistës, Univisioni anuloi reklamat e fushatës së Bidenit në minutën e fundit. Një zëdhënës i fushatës duhej të dilte në transmetim pas intervistës, dhe kjo gjithashtu u anulua. Mendoj se lexuesit do ta kenë të vështirë të besojnë se një gazetar me reputacionin tuaj ka mbetur pa përgjigje.

Sigurisht. Dhe kjo është arsyeja pse e shkrova kolonën.

Por përgjigjet nuk janë as aty.

Ajo që ndodh është, nëse nuk jeni pjesë e një procesi që nga fillimi, është e pamundur të dini saktësisht pse ndodhi, përtej kësaj ndodhi që audienca të ketë një pamje të Bidenit dhe Trumpit, pa filtra.

Për çfarë do ta kishit pyetur nëse do ta kishit në karrigen përballë?

Të njëjtën gjë që i pyeta kur e takova në vitin 2015. Mendoj se ka shumë pyetje për ndarjen e familjeve, shumë pyetje për murin, për përpjekjet për të dëbuar miliona, për komentet ofenduese ndaj latinëve, ndaj emigrantëve. Gënjeshtrat e shumta që ka shprehur.

Nëse një version më i ri i juaji do të largohej nga një vend autoritar dhe do të vinte në SHBA në kërkim të lirisë së shprehjes, a do ta gjente atë sot në Univision?

Po, absolutisht. Personalisht, jam plotësisht i qetë. Unë mendoj se e kam bërë punën time pa asnjë lloj censurimi apo kufizimi për tridhjetë e tetë vjet.

A shqetësoheni për implikimet për brezat e ardhshëm të gazetarëve?

Jo, sepse shoh shumë gazetari të mirë që vjen jo vetëm nga komuniteti latin, por nga ajo që ne bëjmë në Univision.

U befasova kur mësova në libër se të njëjtat dyshime që dëgjoni sot për qëndrueshmërinë e vazhdueshme të mediave në gjuhën spanjolle ekzistonin që në vitet tetëdhjetë. A është kjo diçka për të cilën shqetësoheni?

Jo. Kur keni miliona e miliona emigrantë që vijnë këtu, legalisht dhe ilegalisht, që flasin spanjisht, nuk kam asnjë dyshim për qëndrueshmërinë e mediave në gjuhën spanjolle për shumë e shumë dekada. Por ne po kalojmë nga televizioni tradicional në media dixhitale dhe transmetim dixhital. Universi ynë po zvogëlohet dhe universi i mediave dixhitale dhe transmetimit po rritet. Ky është një ndryshim i madh.

Si krahasohet publiku që do të shikojë shfaqjen tuaj sonte me atë që kishit në vitet tetëdhjetë?

Dikur kishte një takim për të na parë në orën 18:30. Tani ata mund të na shohin gjatë gjithë ditës, sepse në thelb ne jemi bërë krijues të përmbajtjes dhe të njëjtën përmbajtje që shihni në emisionin e lajmeve, mund ta shihni në mediat sociale më vonë gjatë ditës ose në një ditë tjetër.

Pozicioni im është një prezantues, por ajo që supozohet të jesh tani është “një sërfist”. Pra, roli im tani është që të bëj sërf në kuptimin figurativ në platforma të ndryshme me të njëjtën përmbajtje. Ndryshe në ditët e sotme je i vdekur. Ju nuk do të mund të mbijetoni një ditë të vetme pa mediat sociale.

Për një kohë të gjatë, dy milionë njerëz ju shikonin çdo natë. Cilat janë shifrat sot?

Unë nuk i kam numrat, por ato shifra janë zhdukur në TV tradicional. Nëse shtoni numrat në mediat sociale dhe shërbimet e transmetimit, është krejtësisht ndryshe. Unë do t’ju jap një shembull: Unë bëj emisionin politik të mëngjesit të së dielës, “Al Punto”, dhe ne transmetuam një intervistë me Mario Kreutzberger, i njohur gjithashtu si Don Francisco, dhe ajo intervistë mori shumë më shumë shikime në internet sesa në TV. Pra, ndonjëherë e njëjta përmbajtje në mediat sociale ka shikueshmëri shumë më të lartë.

Sfida është se si ta bëjmë atë fitimprurëse.

Po e kemi shumë të vështirë për të fituar para nga prania jonë në mediat sociale dhe transmetimet. Ne po kalojmë të njëjtën krizë që kaluan gazetat dhe revistat një dekadë apo më shumë më parë, dhe ne ende nuk kemi gjetur mënyrën e duhur për ta bërë këtë. Nuk e dimë ende se cili do të jetë modeli për të ardhmen.

A besoni se latinët kanë qenë në gjendje t’i transformojnë numrat në fuqi politike? Këtë vit, më shumë se tridhjetë milionë latinë kanë të drejtë të votojnë.

Problemi është se të gjithë ata që kanë të drejtë të votojnë nuk përfundojnë duke votuar. Unë mendoj se ne kemi shkuar nga numrat e mëdhenj në pushtet. Megjithatë, ne nuk kemi përfaqësim. Ne kemi nevojë për njëzet senatorë; nuk jemi as afër kësaj. Vetëm pak vite më parë, ne kishim dy kandidatë latinë për presidentë: Marco Rubion dhe Ted Cruzin. Kjo është diçka e re, por ka ende një rrugë të gjatë për të bërë.

Dua të them, jam shumë optimist për atë që po shoh kudo: në politikë, në media, në Hollywood. Ju shihni njerëz me mbiemrat Alarcón dhe Sánchez dhe López dhe Pérez kudo—por numrat nuk janë ende aty. Dhe do të duhen shumë e shumë dekada për të pasur përfaqësimin e duhur.

Disa nga kolonat në libër janë shkruar tridhjetë e dyzet vjet më parë. Ju keni thënë se ka disa në të cilat nuk e njihni veten, për shkak të asaj se sa shumë ju kanë ndryshuar Shtetet e Bashkuara.

Dhe si kam ndryshuar… Po lexoja një kolonë që shkrova gjatë luftës në El Salvador, dhe disa nga fjalët dhe mënyra se si i strukturoj fjalitë, janë kaq të huaja për mua. Është sikur dikush tjetër t’i ketë shkruar ato.

Çfarë lloj fjalësh?

Është mënyra se si i qasem realitetit si gazetar. Tridhjetë vjet më parë, u përqendrova aq shumë në detajet dhe faktet dhe për t’u siguruar që këndvështrimi im të fshihej. Tani, në moshën gjashtëdhjetë e gjashtë, e kuptoj se, veçanërisht në rubrika dhe libra dhe në faqet e opinioneve, duhet të përfshij këndvështrimin tim dhe ndjenjat e mia në një mënyrë shumë më aktive. Ndoshta ka të bëjë me mediat sociale, të cilat kërkojnë që ju të jeni të hapur, të jeni më emocionalë dhe të jeni më shumë pjesëmarrës sesa thjesht dëshmitar.

Unë nuk mendoj, për shembull, se do t’i isha afruar Trumpit dhe Maduros në të njëjtën mënyrë tridhjetë vjet më parë. Për shembull, më kujtohet ende një takim me Fidel Kastron.

Takimi një minutësh.

Pesëdhjetë e nëntë sekonda, diçka e tillë. Dhe ishte mjaft i strukturuar. Sot do ta kisha bërë krejt ndryshe.

Si kështu?

Po pyesja për rënien e Murit të Berlinit dhe nevojën e një plebishiti në Kubë. Dhe sot do t’i isha afruar duke e pyetur drejtpërdrejt se pse është diktator dhe pse diktatura në Kubë nuk ka marrë fund.

Kohët e fundit, jam përqendruar në rëndësinë e pyetjes së parë dhe mendoj se është thjesht një debat i bukur mes gazetarëve. Pyetja e parë vendos vërtet tonin dhe ritmin për pjesën tjetër të intervistës. Me Nicolás Maduron, nisa intervistën duke i thënë se për shumë ai ishte një diktator, dhe sapo ta bësh këtë, atëherë pjesa tjetër e bisedës ndryshon.

Përpara se të fillonin kamerat, ai po më pyeste për Chiquin, partneren time. Ajo është nga Venezuela. Ai pyeti: “Si është ajo?”. Sikur të kisha filluar një bisedë të vogël me të, do të kishte qenë një bisedë ndryshe. Ose nëse do ta kisha lejuar të jepte përgjigje, siç bënte në intervistat e tjera, për më shumë se pesë minuta, do të ishte krejtësisht ndryshe.

Një nga fjalët që del më shumë se një herë në libër është trinchera, ose dhelpra. Ju e përdorni atë për të përshkruar SHBA-në si një lloj strehimi që vjen nga Meksika dhe për të përshkruar Majamin si një vend ku shkoni në shtëpi pasi intervistoni një burim armiqësor ose mbuloni një luftë. Pyes veten nëse të dy vendet ndjehen ende si “trinçerat”, pra dhelprat tuaja.

Po, ata janë. Ne e dimë se Meksika është një nga vendet më të rrezikshme për gazetarët. Kështu që unë mund të shkoj të raportoj për Meksikën, të shkoj në konferencën e mëngjesit dhe t’i bëj pyetje Presidentit López Obrador dhe të kthehem në trincherën time. Kështu që, në një farë mënyre, jam i mbrojtur këtu në Miami. Pa atë trincherë, do të kishte qenë shumë më e rrezikshme të bëja të njëjtat pyetje.

Kam bërë paqe me faktin se jam nga dy vende. Unë kam jetuar më gjatë këtu në Shtetet e Bashkuara sesa në Meksikë, dhe megjithëse kam theks, besoj vërtet se jam pjesë e Shteteve të Bashkuara – dhe pjesë e Meksikës. E vetmja herë që duhet të zgjedh nëse jam nga Meksika apo Shtetet e Bashkuara është kur shkoj në qytetin e Meksikos dhe në aeroport kontrolloj linjat. Në atë moment më duhet të zgjedh nëse do të përdor një pasaportë meksikane, nëse linja është më e shkurtër, ose një pasaportë amerikane, nëse linja e të huajve është më e shkurtër.

Isabel Allende më tha se për një kohë të gjatë e pyetën nëse ishte kiliane apo amerikane. Dhe, pas 11 shtatorit, ajo e kuptoi se nuk duhej të zgjidhte më. Dhe sinqerisht mendoj se nuk duhet të zgjedh më. Por, duke thënë këtë, në ditët më të mira mund të them se jam nga të dy vendet, por në ditët më të këqija nuk kam vend. Shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara nuk më duan këtu, përfshirë Donald Trumpin, i cili më tha: “Kthehu në Univision”. Ai në të vërtetë donte të thoshte, “Kthehu në Meksikë”. Dhe kur jam në Meksikë, ose kur kritikoj Meksikën, ose çfarë po ndodh në politikë, ata thonë se jam tradhtar sepse u largova nga Meksika. Pra, në fund të fundit, e vetmja gjë që mund të zotëroj është fakti që jam emigrant.

Si mendoni për trashëgiminë tuaj?

Tezja e një miku thoshte: “Ai Ramosi është një preguntón” (Dikush që pyet me këmbëngulje). E kalova pjesën më të madhe të jetës sime duke bërë pyetje dhe mendoj se ideja për të vënë në pyetje pothuajse gjithçka është në rregull.

Intervistën origjinale e gjeni të publikuar tek The New Yorker

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11