
Dosja “Aruba” ka zhvillime të reja. Lajmi u bë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala në një intervistë në rubrikën “Opinion” në News24, ku bëri një analizë të thelluar të dosjeve më të bujshme të kësaj vere. Ndonëse për çështjen “Aruba” janë bërë vetëm goditjet e para, Lala u shpreh se po verifikohen jo vetëm takimet që janë bërë në ishullin e Arubës, por edhe në Majorka dhe vende të tjera, ku janë duke u analizuar të gjithë personazhet që kanë qenë pjësë e këtyre takimeve, për të parë implikimin e tyre.
“Një tjetër ngjarje e nxehtë që ne e kemi parë, por ka ende për të thënë është dosja “Aruba”, ku janë të përfshirë Artur Shehu, biznesmeni Ilir Shtufi, grupi “Koçeku” dhe grupi “Hamzai”, që padiskutim edhe dy nipërit e Mirit të Xhikes, që konsiderohen personazhe të rëndësishme. Kështu që, edhe Aruba do të ketë sërish zhvillime sepse është një çështje që janë bërë vetëm goditjet e para. Kur them “Aruba” bëhet fjalë për një sërë takimesh, jo vetëm në ishullin e Arubës, por edhe në Majorka dhe në vende të tjera, ku janë duke u analizuar të gjithë personazhet që kane qenë pjësë e këtyre takimeve, për të parë implikimin e tyre, ndoshta përfshin pastrim parash apo aktivitet kriminal.”

Sa i takon çështjes “Balluku”, Lala bën me dije se janë ushtruar kontrolle të posaçme në disa vila në jug të vendit, për të cilat dyshohet se janë pasuri të fshehura të ish-zëvendëskryeministres.
“Është kontrolluar po ashtu kompania “Atelier 4”, e cila dyshohet se ka bërë projektime ose dizajnin e brendshëm të këtyre vilave. Sipas prokurorëve ka dyshime të forta që janë pasuri të fshehura të Belinda Ballukut dhe nëse kjo provohet dhe shohet drejt një sekuestrimi të mundshëm, kjo e rëndon ndjeshëm pozitën e Ballukut.
Gazetarja Lala zbuloi se shtatori pritet të sjellë zhvillime sërish në radhën e socialistëve, ku këtë herë po verifikohet roli i një ish-ministrje, në lidhje me disa trasnferta të kryera jashtë vendit.
“Në radhët e zyrtarëve të lartë, kemi emrin e një ish-ministreje të Partisë Socialiste, e cila po verifikohet dhe po shihet roli i saj lidhur me disa transferta jashtë vendit, por për sa kohë nuk ka një rezultat konkret ende nuk mund të flas me emër. Mund t’ju them me siguri se është ndër hetimet më interesante sa i përket bashkëpunimit me autoritetet e huaja.”, tha gazetarja.
Klodiana Lala u ndal edhe te të rejat lidhur me çështjen “Veliaj”, duke bërë me dije se po verifikohen të gjitha udhëtimet që kryebashiaku ka bërë jashtë shtetit, si dhe nëse janë deklaruar shpenzimet për to. Sipas Lalës, Veliaj në 2 vite e gjysmë ka udhëtuar mbi 100 herë jashtë vendit.
“Prokurorët po vijojnë të hetojnë pasurinë e Erion Veliajt dhe kanë sekuestruar në fund të muajit korrik të gjitha hyrje-daljet e tij jashtë vendit, udhëtimet që ai ka kryer si kryetar i bashkisë apo si individ i thjeshtë. Kanë rezultuar mbi 100 udhëtime në dy vite e gjysmë, përafërsisht gjatë asaj periudhe nuk ka qenë për 1 vit në Shqipëri. Janë duke u verifikuar nëse këto udhëtime janë deklaruar siç e parashikon ligji, shpenzimet e kryera etj..



