

Gazetarja Esiona Konomi ka realizuar një dokumentar për Euronews Albania, dedikuar debatit të famshëm mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qoses.
Konomi thotë se të dy ata “ishin sundues të mendimit. Që polemizuan herë si pak të të tjerë, me tezat antropologjike e politike, e herë si gjithë të tjerët, kur kaluan tek personalja. Ata nxitën debatin e parë dhe të vetëm intelektual të atij lloji.”
Në dokumentarin me titull “Jemi të krishterë apo myslimanë? Si u grindën Qose dhe Kadare”, Konomi ka pyetur studiues, shkrimtarë dhe njohës të medias, të cilët kanë dhënë mendimin e tyre mbi debatin e dy intelektualëve shqiptarë.
Ata janë: Fatos Kongoli, Veton Surroi, Blendi Fevziu, Fatos Tarifa, Namik Dokle, Enver Bytyçi, Aleksandër Çipa, Erald Kapri, Fahri Balliu, Lutfi Dervishi dhe Ndriçim Kulla.
Mendimet e Kadaresë në librin “Identiteti europian i shqiptarëve” për t’u rikthyer tek origjina kristiane evropiane duke zhbërë ndikimet e pushtimit shumëshekullor turk, për Qosen ishin thirrje për të ndërruar fe, si një mobilizim politik të krishterimit.
Qose nuk do të kursehej e t’i quante tezat e Kadaresë, raciste. Ai do e sfidonte Kadarenë, të vendosur në Paris, si luftëtar i krishtërimit, se çfarë kish qenë dikur, kur bashkëjetoi me sukses me sistemin diktatorial.
Kadare nga ana tjetër e fajësonte Qosen, se po e ndante “identitetin evropian” të shqiptarëve në “identitet mysliman” dhe në “identitet të krishterë”.
Në debatet mes tyre, Kadare e Qosja gati-gati e etiketonin njëri-tjetrin, si kalorës të Perëndimit apo të Lindjes.
Për më shumë ndiqni këtu dokumentarin e plotë.


