
Gjatë protestës së thirrur këtë të hënë nga “Lëvizja Bashkë” lidhur me ngjarjen ku u përfshi një efektiv policie dhe djali i binzesmenit Samir Mane ka ndodhur një përplasje midis drejtuesit së partisë “Shqipëria Bëhet”, ku shkak është bërë një mikrofon për të cilin Adriatik Lapaj tentoi ta merrte për të mbajtur fjalën e tij. Edhe pse midis partive të reja është diskutuar shpeshherë nëse do ketë një bashkëpunim për zgjedhjet e ardhshme, kjo nuk u pasqyrua në protestën e mbajtur ku sipas drejtuesve të partisë ishin mbledhur për një kauzë të njëjtë. Por përkundrazi, kjo përplasje ishte dhe një tregues pasigurie që mund të ketë shoqëria për partitë e reja dhe këtë dyshim e faktoi vetë Qori ku u shpreh se ky provokim i ka shërbyer Samir Manes, Edi Ramës dhe gjithë qeverisë.
Pasi anëtari i “Lëvizjes Bashkë” Redi Muçi nuk e lejoi Lapaj-n të mbante fjalën si dhe si dhe i bëri thirrje policisë të mirëmenaxhojë protestën duke akuzuar se po kërkohet prishja e saj. Lapaj u dëbua nga protestat me brohorimat “Të prishësh protestën do të thotë që paguhesh nga Samir Mane!” “Të prishësh protestën do thotë që po bën lojën e Samir Manes!” Pas kësaj përplasje të dy drejtuesit e partive kanë reaguar.
Akuza e Qorit
Qori akuzoi Lapaj-n se u përpoq të merrte fjalën pa respektuar listën e mbarëvajtjes së protestës edhe pse u paralajmërua disa herë,ai përsëri nuk u bind. “Pas thirrjeve të shumta kundër oligarkisë dhe qeverisë, nisën fjalimet. Unë e kam regjistruar emrin të katërtin. Pas fjalimit tim ia jap mikrofonin drejtuesit të protestës, pedagogut Redi Muçi. Kur kthej kokën shoh që në majë të podiumit të Lëvizjes BASHKË – në protestën e thirrur më parë se kushdo tjetër nga Lëvizja BASHKË dhe për të cilën Lëvizja BASHKË kishte marrë edhe lejen në polici – kishte mbirë Adriatik Lapaj dhe po kërkonte të merrte me forcë mikrofonin. Redi Muçi me qytetari po i thoshte se në protestë flitet me radhë dhe kushdo që do të flasë duhet të shënojë më parë emrin në listë dhe të presë radhën. Kështu që mjaftonte të respektonte rregullat dhe radhën dhe do t’i jepej fjala sa të donte.”

Ndërsa shton se në ndihmë të Lapaj-s erdhën dhe disa djem që shtynin dhe ofendonin. “Ku hante pykë nga argumentet dhe qytetaria gjeli në majë të podiumit?! Ku donte t’ia dinte ai se radhën për të folur e kishte ish-minatori pensionist Qani Shino?! O i hapej rruga, siç iu hap rruga të birit të Samir Manes, o do bënte skandal. Për të zaptuar foltoren i erdhën në ndihmë edhe ca djem trupmëdhenj që shtynin e shanin vajza, djem e pleq që kërkonin vendosjen e rregullit në protestë”-shkruan Qori.
Akuza e Lapajt
Për këtë përplasje ka reaguar dhe Lapaj duke arsyetuar se fillimisht ka qenë partia “Lëvizja Bashkë” që është ankuar pse nuk bashkoheshin në thirrjet e tyre. “Unë dhe ne u shtrimë dorën e bashkëpunimit për mbi 8 muaj. Ata ankoheshin pse nuk shkoja në protestat e tyre. Sot shkova me ekipin tim në protestën tonë që ishte paralel me protestën e tyre. Nuk ishin dakord që të flisja në protestën për jetën, protestën e secilit prej nesh. Duhej biletë sipas tyre. Komunistët e rinj nuk kanë hequr dorë nga veset e Enver Hoxhës.”– shkruan Lapaj.

Lidhur me këtë përplasje ka reaguar dhe partia “Nisma Thurje”, drejtuesi Endrit Shabani, sipas të cilit Lapaj është dhunuar nga partia e Qorit. “Sapo ndodhi një ngjarje shumë e shëmtuar ku Adriatik Lapaj u dhunua nga drejtuesit e “Lëvizjes Bashkë”, duke filluar që nga Arlind Qori dhe drejtuesit e tjerë, të cilët përveçse e larguan me dhunë nga protesta, i bënin thirrje policisë që ta merrte zvarrë. Tani kjo është e papranueshme. E para sepse ku mentaliteti ku djegim Shqipërinë për karrierën e këtij njeriu, është mentalitet i politikës së vjetër. E dyta ideja që ka pronar kauzash, pronar çështjes, se këtë çështje e kam zënë unë dhe asnjë tjetër nuk duhet të flasi dhe luftojë do të thotë që këta nuk duan ta zgjidhin problemin.”
Kjo përplasje mori vëmendje në hapësirën digjitale shqiptare, ku përdorues të mediave, personazhe publike ose dhe të panjohura komentonin se situata e krijuar ka dëmtuar dy partitë e vogla. “Për një mikrofon, po sikur të jenë në pushtet?!”, është sinteza e komenteve.
Ditë më parë Qori kritikoi TV Klan dhe Top Channel për mbylljen e dyerve dhe censurimin e hapësirës për të por nuk kaluan shumë ditë kur po hapësira publike u bllokua nga vetë ai.


