
Nga Irena Beqiraj
Gjithë çfarë kam lexuar dëgjuar nga juristë, ekonomistë, gazetarë, politikanë këtë javë mund të përmblidhet në një fabul që me tregonte dikur një burrë i mençur edhe në një eksperiment të kryer në 1954: Në një pyll kafshët do të zgjidhnin drejtuesin. Pasi u menduan gjatë ja ofruan këtë punë ariut.
Faleminderit thotë ariu, por para se ta pranoj më duhet të flas me gruan. Arusha sapo e mori vesh ja kthen: “Ne kemi shtëpi, 6 muaj i kalojmë në gjumë. Për cfarë na duhet neve të drejtojmë? Pastaj, si mund të drejtojmë kur gjysmën e vitit nuk dalim nga guva jonë”? Ariu kokë varur refuzoi ofertën!
Kafshët e pyllit menduan për lejlekun. Ai është i ditur, jeton edhe jashtë pyllit ne diasporë, do të dijë të sjellë drejtim modern në pyllin tonë. I lumtur lejleku shkon pyet gruan. Në asnjë mënyrë, i thotë ajo. Ne një pjesë të mirë të kohës jemi në shtegëtim. Fëmijët tanë mund të mos kthehen më fare këtu. Për cilat arsye në botë ne duhet të lidhim jetën tonë me ketë pyll? Leljeku i zënë ngushtë nga arsyetimi pa asnjë të metë të gruas refuzon ofertën për të drejtuar pyllin.
Diku në heshtje priste me padurim majmuni, t’ja propozonin detyrën e drejtimit te pyllit.
Çasti erdhi…Për të mos rënë në sy për padurimin e tij, vendosi të sillet si ariu edhe lejleku. Falenderoi me përulje, por mori kohë pasi duhet të fliste edhe ai me familjen. Shkoi edhe i tha majmunkës propozimin e kafshëve të pyllit. E përse nuk the po direkt? – i kthehet majmunka. Por, vendosa të mendohem të të pyes edhe ty…fundja ketë bëri lejleku edhe ariu – u përgjigj majmuni. Po ku ke ti more idjot luksin të mendohesh, si ariu e lejleku. Fëmijët e tu të zhveshur zihen pemëve për një banane! Merr urgjent drejtimin e leri dënglat, të jetojë edhe unë një ditë si zonjë!
Eksperimenti i përket vitit 1954, Albert Hastorf psikolog në Universitetin e Dartmouth-it dhe Hadley Cantril homologu i tij në Universitetin Princeton, u kërkuan studentëve të tyre që të gjejnë gabimet dhe të vlerësojnë ashpërsinë e lojtarëve gjatë një ndeshjeje futbolli midis dy ekipeve të dy kolegjeve.
Ishte një lojë e ashpër, një qëndërmbrojtës kishte thyer këmbën. Studentët e Dartmouth prireshin të anashkalonin faullet e Dartmouthit, por ishin të shpejtë për të kapur mëkatet e lojtarëve të Princeton. Studentët e Princeton kishin prirje të kundërt. Studiuesit arritën në përfundimin se pavarësisht se u shfaqën të njëjtat pamje, studentët e Dartmouth dhe Princeton nuk panë të njëjtën ngjarje. Secili student kishte perceptimin e tij, të lidhur ngushtë me përkatësinë personale. Titulli që i vendosen studimit ishte “Ata panë të njejtën lojë” E ndërsa debati në dukje juridik, më shumë se juridik është politik i njëanshëm. Politika sot po kërkon një drejtësi me dy standarte ku “në të njëjtën lojë” disa trajtohen si te nënës e disa të njerkes. Ndaj argumenet që po hidhen në publik janë toksike, kontradiktore, aspak bindëse.
Ndaj konkluzioni socio ekonomik i fabulës së majmunit edhe eksperimentit nuk duhen anashkaluar:
1) Ndarja e politikës nga morali është arsyeja përse qëllimet e njerzve që i futen politikës janë të ndryshme, e nuk kanë asnjë lidhje me të mirën publike. Edhe në cdo rast nëse pas burrave/grave në drejtim ka gra/ burra ambicioz/e që ndikojnë vendimet, interesat personale do jenë parësore edhe të vetmet!
2) Në këtë debat shoqëria po shtyhet sërish të shfaqet sentimentalisht e ndjeshme ndaj “mosrespektimin” të ligjeve, duke e ftuar shoqërinë si gjithmonë të anashkalojë edhe mos vleresojë mungesën e moralit edhe ndershmërisë si themeli bazë i të drejtës shoqërore.


