
Deputetja e PS-së Iris Luarasi ka reaguar për mesazhet kërcënuese që i janë dërguar aktores Egla Ceno, pas fjalës së mbajtur në protesën e 114-të në Tiranë, duke u solidarizuar me të. Mesazhet u publikuan nga vetë aktorja, e cila bën të ditur se rastin po e ndjekin organet kompetente, duke shtuar se nuk ka frikë as si grua, as si artiste dhe as si qytetare e këtij vendi, ndaj protesta e saj nuk do të ndalet. Teksa shpreh mbështjen për aktoren, Iris Luarasi shprehet se të njëjtën gjë ka përjetuar pak kohë më parë dhe e di shumë mirë ndjesinë e një nate pa gjumë, pas gjuhës së urrejtjes të lëshuar drejt saj.
“Sot jam me ty e ti nuk je vetëm. Ajo që të ka ndodhur ty nuk është gjuhë urrejtjeje që ka verbuar sytë e njerëzve. Duket urrejtja e paska këtë veti që ta merr aftësinë për të shikuar një qenie njerëzore përballë. E kthen gruan në objekt, kundërshtarin në armik, dhe kërcënimin me përdhunim në një “mënyrë të thuash një mendim”. Ky është pikërisht momenti kur një shoqëri humbet, kur pranon që trupi i një gruaje të bëhet terren për t’i shfryrë politikën”, shkruan deputetja.

Më tej, Luarasi shton se pikërisht këtë gjuhë urrejtjeje nuk duhet ta pranojnë dhe ta relativizojnë, sepse pas saj vjen dhuna reale. Ndaj ajo thekson fort rastet duhen denoncuar dhe pikërisht këtu qëndron forca e vërtetë.
“Këtë gjuhë nuk duhet ta pranojmë dhe mbi të gjitha nuk duhet ta relativizojmë. Çdo shprehje e tipit “e kërkoi vetë”, “ç’pret kur del në protestë”, apo “ishte shaka” është përpjekje për të relativizuar dhunën. Çdo shpjegim i tillë është një hap tjetër drejt normalizimit, dhe pas normalizimit vjen dhuna reale. Kërcënimi me përdhunim nuk është debat, nuk është mendim i lirë, është vepër. Pas dënimit të tij nuk vendoset kurrë një “por”. Të kërkojnë të ndjesh frikë, dhe në vend të kësaj ti zgjodhe të denoncosh. Kjo është forcë e vërtetë.
Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme politike, ku Egla Ceno proteston ndaj qeverisë, ndërsa Luarasi është deputete e forcës politike që drejton vendin, Iris Luarasi thotë se dinjiteti i një gruaje nuk pyet për anën ku qëndron, duke përfunduar: Jam me ty!


