
Takimi që nisi me një shenjë “okay” nga presidenti amerikan Donald Trump dhe një buzëqeshje asnjanëse të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, përfundoi me një shtrëngim duarsh dhe sinjaleve për paqe. Sipas propozimeve të Trumpit (nëse pranohen nga të dyja palët), lufta mes Izraelit e Palestinës mbaron për 72 orë. Sipas “BBC” Netanyahu ka pranuar të gjitha pikat, ndërsa Hamasi, i shpallur organizatë terroriste, ende nuk ka reaguar. Luftimet e ashpra disavjeçare bashkë me humbje në jetë njerëzish kanë sjellë trazira në rajon duke shkaktuar ndarje të thella gjeopolitike. Një pjesë e madhe e Evropës doli kundër kursit të Izraelit, ndërsa luftimet e bombardimet nuk kanë kursyer askënd dhe Gaza vijon të përballet me kushte ekstreme urie deri në fatalitet. Fundi i operacioneve ushtarake nënkupton paralelisht edhe lirimin e të paktën 20 pengjeve izraelite të gjalla dhe dhjetëra të tjerëve që kanë humbur jetën dhe anasjelltas me të burgosurit palestinezë gjatë luftime.

Çfarë kërkon plani i paqes?
Hapi i parë strategjik për të pushuar luftimet është tërheqja në vijën për të cilën është rënë dakort, kohë që do u shërbejë palëve të bëjnë këmbimin e pengjeve ku nuk do ketë asnjë sulm dhe linjat e betejës do mbeten të ngrira brenda një afati 72-orësh. “Sapo të lirohen të gjithë pengjet, Izraeli do lirojë 250 të burgosur me burgim të përjetshëm plus 1700 banorë të Gazës që u ndaluan pas 7 tetorit 2023, duke përfshirë të gjithë fëmijët dhe gratë e ndaluar në atë kontekst. Për çdo peng izraelit, mbetjet e të cilit lirohen, Izraeli do lirojë mbetjet e 15 banorëve të vdekur të Gazës.-shkruan “Ynet”.

Pika tjetër lidhet me amnistinë e Hamasit dhe sigurimi i lëvizjes nëse do duan të largohen nga Gaza, si edhe shpërndarja e ndihmave humanitare për banorët, rehabilitim i infrastrukturës, hapja e furrave të bukës, sistemi i rrugëve të dëmtuara nga bombardimet, uji, energjia elektrike dhe kanalizimet. Për shërbimet publike është menduar të ngrihet një komitet palestinez jopolitik, teknokrat për ofrimin e shërbimeve komunitare nën drejtimin e një strukture të re ndërkombëtare të quajtur “Bordi i Paqes” nën e drejtimin e presidentit amerikan Donald Trump dhe anëtarë të tjerë shtetesh, ku bën pjesë edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair me qëllimin rindërtimin e vendit. Plani bazohet në një propozim të Trumpit në vitin 2020 dhe i rifreksuar nga një modifikim saudito-francez për rikthimin organizativ të shtetit sërish që mund të marrë kontrollin e Gazës dhe tërheqjen e investimeve. Gaza shihet në plan si një zonë ku do zbatohen tarifa dhe norma qasjeje të negociueshme edhe me ekonomi të tjera në botë.



