Qeveria e djathtë italiane e prezantoi si shkopin magjik për emigrantët që mbërrijnë në brigjet e gadishullit Apenin, por marrëveshja me Shqipërinë për të eksportuar dhe përshpejtuar procesin e azilit ka ngecur në gjykatat e Italisë. Kritikët thonë se marrëveshja bie ndesh me të drejtën humanitare ndërkombëtare. Kur Nizam* filmoi udhëtimin me gomonen e mbushur plot me emigrantë, ndërsa nxitonte drejt Italisë, ai besonte se ky ishte fundi i udhëtimit të tij rraskapitës për në Perëndim.

Bojaxhiu 21-vjeçar nga Bangladeshi ngriti telefonin, fiksoi në kamera fytyrën e tij dhe më pas e rrotulloi atë, për të filmuar rreth 50 emigrantë të paketuar në varkën prej gome. Në videon e shkurtër, një burrë pas tij mbulon sytë me duar ndërsa duket sikur qan, ndërsa një tjetër buzëqesh dhe i rreh shpatullat. Kuverta e varkës që çan përmes Mesdheut është vetëm pak centimetra mbi ujë.

Ditë më vonë, Nizam e postoi klipin e shkurtër në TikTok. Një zë që iu mbivendos pamjeve dëgjohet të thotë në Urdu: “Përpara, erdhi koha jonë. Mos u shqetësoni, ne do të kthehemi së bashku.” Në shtëpi, në një fshat të vogël në rajonin e Madaripurit në Bangladesh, prindërit e Nizamit prisnin me ankth të rejat nga djali. E ëma dhe një nga tre motrat i mësuan Nizamit të lexonte, por në vend që të shkonte në shkollë, ai punoi që të ndihmonte familjen. Në mediat sociale ai shfaqi profilin e një djali çapkën, duke postuar video me syze dielli, flokë të krehur me kujdes dhe për të plotësuar stilin e shoqëroi pamjen me motoçikleta të marra hua. Në të vërtetë, jeta e tij nuk i ngjan kësaj shfaqjeje joshëse. Me babanë e moshuar në pamundësi për të punuar, Nizam ishte shtylla e vetme e familjes. “Familja jonë është shumë e varfër,” thotë ai. “Unë duhet të punoj.”

Të dëshpëruar, prindërit e tij mblodhën para, morën borxhe dhe shitën një copë toke për të paguar një trafikant të njohur në fshatin e tyre. Nizam u trafikua fillimisht përmes Indisë, më pas në Sri Lanka, Kuvajt dhe Egjipt. Dikur ai arriti në Libi, fillimisht në Bengazi dhe më pas në Tripoli, ku ra në duart e mafias lokale, që i bllokoi pasaportën dhe e burgosi për tre ditë. Ata e filmuan ndërsa e torturonin dhe videot ia dërguan familjes së bashku me kërkesën për haraç.

Nizam u la i lirë vetëm pasi prindërit paguan pengmarrësit. “Një natë na dërguan buzë detit dhe na hipën në varkë”, kujton Nizam. Gomonia që u nis nga porti libian i Zuaras iu drejtua Italisë. Varka ishte e tej mbushur dhe Nizam, që nuk di not, mendoi se do të mbytej. Por kur varka iu afrua ishullit italian të Lampedusës, një nga vend zbarkimet më të mëdha në Europë për azilkërkuesit, ai shpresoi se e keqja kishte kaluar.

E kishte gabim. Më shumë se 300 emigrantë u kapën në javët e fundit të janarit nga autoritetet italiane pasi u nisën nga portet e Libisë. Nizam ishte një prej tyre. Ai u transferua në një anije që ishte ankoruar 20 milje larg Lampeduzës dhe aty iu nënshtrua kontrolleve për shëndetin, moshën dhe kombësinë. Dyzet e nëntë prej tyre, përfshirë Nizamin, u informuan se do të dërgoheshin në kampet e emigrantëve në Shqipëri, për t’iu nënshtruar një procesi të përshpejtuar të trajtimit të kërkesave për azil sipas marrëveshjes midis Romës dhe Tiranës, e cila hyri në fuqi në fund të vitit të kaluar.

Skema është vlerësuar nga Komisioni Evropian – krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian – si një model i mundshëm për bllokun e vendeve anëtare për të kufizuar numrin e refugjatëve dhe emigrantëve që mbërrijnë në kufijtë e tyre. Por kritikët e quajnë këtë skemë çnjerëzore dhe në kundërshtim me legjislacionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Në Shqipëri, Nizam dhe emigrantët e tjerë kaluan një javë rraskapitëse mes dy qendrave, njëra në qytetin port të Shëngjinit dhe tjetra pranë aeroportit ushtarak në Gjadër, ndërsa plotësuan dokumentet dhe iu nënshtruan kontrolleve shëndetësore, intervistave dhe seancave gjyqësore. Gjashtë persona, të cilët u gjetën të mitur ose që u konsideruan vulnerabël pas kontrolleve paraprake, u dërguan menjëherë për në Itali. 43 të tjerët, përfshirë Nizamin, paraqitën kërkesa për azil, të cilat u refuzuan menjëherë duke i hapur rrugë dëbimit të tyre. Por para se të mund të ndodhte dëbimi, një gjykatë italiane ndërhyri duke vendosur për të tretën herë se emigrantët e nisur drejt Italisë nuk mund të mbaheshin ligjërisht në Shqipëri. Së bashku me të tjerët, Nizam u transportua më pas në një qendër pritjeje në Bari, Itali, ku tani pret rezultatin e shqyrtimit të apelimit të kërkesës së tij për azil.

Megjithatë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni është zotuar se nuk do të ndalet nga gjykatat. Të tjerë po ashtu janë të interesuar. Në shtator 2024, Meloni priti në Romë kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili u interesua për këtë iniciativë pasi më herët kishte deklaruar se një plan i ngjashëm britanik për të dërguar emigrantët në Ruanda ishte “i vdekur dhe i varrosur”. Një muaj më vonë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka shprehur mbështetje për qendrat e riatdhesimit jashtë BE-së, u bëri thirrje vendeve anëtare të nxjerrin “mësime nga protokolli Itali-Shqipëri”.

Shënim – Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Reporter.al”. Lexo artikullin e plotë “KËTU”.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10