
“Mendoj se nga sot, slogani më i gjetur i kësaj proteste është: ‘Po ti, nga cila anë e gardhit je?”, ish-deputetja socialiste Ledi Shamku ka reaguar pas shoqërimit në komisariat të aktivisteve Elsa Paja dhe Carrie Ann Morgan. Ato ishin në protestë, ndërsa janë marrë nga policia pas tensioneve të krijuara. Në një shënim në rrjete sociale, Shamku njofton se gjuhëtarja Morgan dhe artistja Paja janë mbajtur në komisariatin nr.3. “Carrie Ann Morgan, antropologe gjuhësore, kolegia ime, studiuese dhe shpirt i lirë, u arrestua sot gjatë protestës. Elsa Paja, artiste, ilustratore, mikja ime, një shpirt po aq i bukur sa vetë Vjosa-Narta që ajo mbron, u arrestua sot. Mendoj se nga sot, slogani më i gjetur i kësaj proteste është: ‘Po ti, nga cila anë e gardhit je?”, shkruan ajo.

Shamku paralajmëroi se do shkonte në komisariatin ku mbahen Morgan e Paja: “Shihemi për pak në Komisariatin nr. 3, ku mbahen të arrestuara Carrie dhe Elsa!” Qëndrimi i Shamkut vjen pasi policia mori të njohurat e saj të cilat protestonin kundër kryeut të qeverisë Edi Rama. Gjatë ditës së sotme policia iu përgjigj me gaz lotsjellës e ujë me piper protestuesve që sulmuan me vezë e domate makinat e deputetëve.



