
Fotot me Epsteinin bënë që ish-Zonja e parë e SHBA-ve, Hillary Clinton të reagonte gjatë seancës së pyetjeve në Komisionin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve. Asaj iu kërkua të sqarojë rrethanat në të cilat ndodhej i shoqi në një ambient të përbashkët me Epsteinin i cili u gjet pa jetë në burg i dënuar për akuza të rënda si trafiku apo abuzimi me fëmijët. Ajo u ngrit në këmbë gati të largohej pasi tha: “Unë mbarova”. Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe e shoqja, ish-Sekretarja Amerikan e Shtetit, Hillary Clinton kanë dhënë dëshmi të ndarë, edhe pse ata nuk janë akuzuar nga asnjë prej viktimave të Epsteinit. Të dy mohuan të kishin dijeni për krimet që Epsteini kishte kryer.
“BBC” në zbardhje të qëndrimit të Hillary Clinton për fotot e rrjedhura ku i shoqi duket në vaskë me ujë të nxehtë apo edhe “Pizzagate”, ka nxjerrë disa prej deklaratave të saj. Hillary Clinton ka goditur tavolinën me grusht pasi është informuar se kongresistja republikane Lauren Boebert pranoi se kishte shpërndarë një foto nga brenda sallës. Ajo por tha se kjo kishte ndodhur para fillimit të seancës. Fotoja e saj ishte shpërndarë në rrjetet sociale nga një influencues konservator. “Nuk ka rëndësi. Të gjithë po i zbatojmë të njëjtat rregulla.”-është shprehur ajo.

E pyetur për “Pizza Gate”, një rrjet pedofilie i lidhur me rrethin e brendshëm, Hillary Clinton nuk ka qenë e qartë. “Pizzagate ishte krejtësisht e sajuar. Ishte një akuzë e turpshme që përfundoi duke dëmtuar disa njerëz,” u përgjigj Clinton. Republikani, Eric Burlison e pyeti për premtimet që ajo kishte bërë kur ishte kandidate për presidente, ndërsa muajin e kaluar Donald Trump urdhëroi qeverinë amerikane të përgatiste publikimin e dosjeve për UFO-t dhe alienët. Sipas raportit të “BBC-së” ajo ende shpreson se dosja duhet bërë publike.

Pas Hilary Clinton ka folur edhe Bill Clinton, ish-president i SHBA-ve për foton ku duket i relaksuar në pishinë si pjesë e dosjeve “Epstein”. “Nuk mendoj se e kam ditur ndonjëherë që është bërë ajo foto,”- tha Clinton, duke shtuar se është “pothuajse i sigurt” se është realizuar në Brunei në fund të një udhëtimi të gjatë në Azi.

“BBC” citon Clintonin: “Sulltani i Bruneit ishte një njeri që e kisha njohur mirë gjatë tetë viteve të mia si president. Ai më tha: “Dua që të qëndroni në këtë hotel dhe shpresoj të përdorni pishinën”, kështu bëra. Pastaj dola dhe shkova në shtrat, i rraskapitur,” tha Clinton duke qeshur lehtë. Sipas Clintonit udhëheqësi i Bruneit i kishte ofruar ndihmë për “Clinton Global Initiative” dhe i kishte sugjeruar një hotel. “Qëndrova në vaskë për pesë minuta, ose sa ishte, dhe u ngrita e shkova të flija,” -tha ai dhe i pyetur nëse kishte ndodhur ndonjë aktivitet seksual atë natë ose me një person tjetër që duket në foto, ai u përgjigj jo dhe tundi kokën. “The Guardian” shkruan se në dëshminë e saj, Hillary Clinton akuzon republikanët për “ekspeditë peshkimi” në dëshminë për Epsteinin. Sipas saj seanca është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga veprimet e Trumpit.



