
Ditën e sotme, botuesi i “Fokus Group”, Irfan Hysenbelliu, ka reaguar në një deklaratë për shtyp lidhur me atë se çfarë ka ndodhur mbi godinën dhe sinjalin e televizionit kombëtar “News 24”. Ai ka dënuar të gjitha veprimet që janë kryer deri më tani nga Policia e Shtetit dhe forcat ushtarake, të cilat sipas tij bllokuan hyrjen në ambientet e televizionit dhe ndërprenë me forcë sinjalin e televizionit pa asnjë paralajmërim dhe pa urdhër gjykate.
“Si botues i “Fokus Group”, i News24, Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport, Panorama Online dhe Gazeta Shqiptare Online, dënoj me forcë të gjitha veprimet e rënda, të paprecedenta dhe tërësisht të paligjshme që janë ndërmarrë ndaj Grupit tonë mediatik.”
Në deklaratën, Hysenbelliu thotë se nuk bëhet fjalë për një incident të zakonshëm, por për një shkelje, sipas tij, flagrante të lirisë së shtypit dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar, të cilën e konsideron si të drejtë themelore. Gjithashtu, i cilëson veprimet e deri më tanishme të organeve të shtetit si “akte brutale”, madje duke hedhur dhe pretendimet për mjete të paidentifikuara, të cilat janë futur në ambientet e televizionit dhe kanë marrë dokumenta konfidenciale dhe materiale me informacione, të cilat sipas tij lidhen me hetime për korrupsionin dhe abuzime me pushtetin.
Këto veprime, ende të paverifikuara, por gjithmonë sipas tij, hedhin poshtë jo vetëm punën e gazetarëve, që e cilëson si të ndershme dhe të palodhur nga ana e tyre, por madje edhe rrezikojnë jetën e tyre. Këto veprime, sipas tij, janë mesazhe të qarta “për çdo media që guxon të hetojë dhe të flasë dhe të publikojë të vërtetën.”
Në këtë deklaratë, ai ka lënë të kuptohet se televizioni “News 24” nuk do të mbyllet dhe se e vërteta, sipas tij, nuk do të zhduket, duke dhënë dhe një mesazh për të gjithë gazetarët e televizionit dhe grupit mediatik “Panorama”: “Mos u dorëzoni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj. Ne kemi raportuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe integritet dhe nuk do të lejojmë që dhuna apo presioni ta shuajë zërin tonë.”
Në fund, ai i ka bërë thirrje institucioneve të shtetit, të cilat i cilëson përgjegjëse për çfarë ka ndodhur deri më tani, të ndalojnë veprimet represive, sipas tij, të lejojnë gazetarët në punën e tyre dhe të rikthejnë sinjalin e televizionit. Gjithashtu, ka falënderuar organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare, gazetarët, partnerët mediatik dhe qytetarët për solidaritetin e treguar deri më tani dhe ka lënë një mesazh për të treguar se “News 24” do të vazhdojë punën me misionin, sipas tij, për të mos heshtur:
“News 24 do vazhdojë të jetë dritarja e së vërtetës, misioni ynë do të vazhdojë! Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të tërhiqemi.”
E mbyll reagimin e tij zyrtar Irfan Hysenbelliu


