
Nga Irena Beqiraj
Ndërsa shëtit në shëtitoren bregdetare rreth 7 kilometra në Nicë të Francës, është letësisht e dallueshme se vija bregdetare është e mbushur me plazhe publike shumë të pastra e tek-tuk syri të zë ndonjë plazh privat.
Ndryshe nga çfarë sheh në Vlorë ku gjithë vija bregdetare është e mbushur me plazhe private edhe pranë kanaleve të ujrave të zeza gjen ndonjë plazh publik.
Ky ndryshim thelbësor në këto dy vija bregdetare nuk mund të mos më sillte ndërmend dy koncepte të rëndësishme ekonomike, transferimin e vlerës edhe krijimin e saj! Për jo ekonomistët një shembull klasik i transferimit të vlerës (megjithëse i paligjshëm) është e ashtuquajtura “Grabitja e Madhe”. Në vitin 1963, Bruce Reynolds dhe banda e tij prej 16 vetësh grabitën nga Posta Mbretërore Britanike 2.6 milionë paund. Në termat e sotëm, kjo shumë është rreth 60 milionë, ose 3.75 milionë paund për kokë. Ndërsa oferta argëtuese e krijuar më pas përmes filmave, apo librave të frymëzuara nga ky aksion spektakolar përfaqëson krijimin e vlerës.
Plazhet private janë po ashtu biznese ose mekanizma të cilat transferojnë vlera nga xhepat e qytetarëve, të cilët nuk mund të përdorin pronën e përbashkët pa paguar tek përdoruesit privatë të pronës publike të përzgjedhur nga bashkitë. Për më tepër duke lënë të pista e në mëshirë të fatit edhe ato pak hapësira bregdetare publike, bashkitë na detyrojnë të jemi klientë të plazheve të të përzgjedhurve të tyre, duke na drejtuar të paguajmë individë privatë të cilët bëjnë biznes mbi pronën publike.
Trasferimi i vlerave nga xhepat e qytetarëve tek një grup individësh avantazhi konkurues i të cilëve është se janë përzgjedhur nga bashkitë që të përdorin pronën e qytetarëve nuk ndryshon shumë nga “grabitja”. I vetmi ndryshim me “grabitjen” qëndron në faktin se transferimi i vlerave në këtë rast është i ligjshëm.
Përtej plazheve private në ekonominë tonë, mekanizmi i transferimit të vlerave ose “grabitja me ligj” është shumë i përhapur, mbizotërues dhe ka “zënë vendin” e krijimin të vlerës. Si në rastin e grabitjes së madhe, ka ardhur koha të bëjmë filma e të shkruajmë libra për ta përshkruar këtë mekanizëm. Kështu të paktën mund të krijojmë diçka, ndërkohë i japim kuptim dhe justifikimit “këto ndodhin edhe nëpër filma”.


