
Irani sulmon bazat ushtarake amerikane në Katar e Irak. Reagimi vjen pasi SHBA-të goditën tre objektet bërthamore në Iran, Fordo, Natanz dhe Esfahan. “New York Times” njofton se Irani ka koordinuar sulmet me bazat amerikane. “Irani kishte për qëllim të ndërmerrte një kundërsulm simbolik ndaj SHBA-ve, por pa shkaktuar një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.”-shkruan “New York Times”.

“Reuters” citon një diplomat perëndimor i cili ka pranuar ekzistencën e një kërcënimi ndaj bazës ajrore Al-Ueid në Katar. Gazeta “The Wall Street Journal” raporton se Irani ka pozicionuar lëshues raketash në rajon, me qëllim të mundshëm për të goditur forcat amerikane. Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit deklaron se ka lëshuar aq raketa sa numri i bombave që hodhën SHBA-të gjatë sulmit.

Pas sulmit Katari njofton se sistemi antiraketor ka kapur raketat duke mos lejuar të ketë viktima apo të plagosur. “CNN” konfirmon se Katari ka paralajmëriar t’i kundërpërgjigjet Iranit. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari shkruan në platfomën “X” se Shteti i Katarit rezervon të drejtën për të reaguar drejtpërdrejt në mënyrë proporcionale ndaj natyrës dhe përmasave të këtij agresioni. Ai siguron se baza ishte evakuuar më parë në përputhje me masat e sigurisë dhe ato parandaluese

Pasi doli në media me një deklaratë për sulmet amerikane mbi Iran, presidenti amerikan Donald Trump, shefi i Shtabit të Përbashkët Dan Caine dhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth ka ndjekur hakmarrjen iraniane sot ndaj bazave ushtarake në Katar e Irak nga “Situation Room”, konfirmon ”CNBC”.

Pas Katarit, edhe në Bahreini janë dëgjuar sirenat e alarmit. Hapësira ajrore e Bahreinit është mbyllur për shkak të frikës nga sulme të mundshme. Edhe Kuvajti detyrohet të marrë të njëjtat masa sigurie pas përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit. “Al Jazeera” raporton se grupi aleat i Iranit në Irak ka kërcënuar trupat amerikane në vend, të cilat janë pjesë e një misioni ndërkombëtar për të luftuar ISIS-in.



