
Autoritet raportojnë se ndërtimi i autostradës Thumanë-Kashar, ka kushtuar mbi 330 milionë euro, 62 milionë euro më shumë se vlera e parashikuar në kontratën koncesionare. Në bazë të kësaj shifre, ndërtimi për 1 kilometër të kësaj rruge llogaritet të ketë kushtuar 15.8 milion euro.
Një tjetër shqetësim është ndryshimi i papritur i modelit financiar të projektit. Sipas studimit të ri të Fizibilitetit, norma e kthimit të investimit është rritur nga 7.6% në 8.11%, duke çuar vlerën totale të investimit nga 445 milionë euro në 1.3 miliardë euro për 35 vitet e ardhshme. Ky ndryshim i kushtuar koncesionarëve ka ngjallur dyshime për mundësinë e abuzimeve me fondet publike, pasi fitimet e palëve private janë rritur ndjeshëm, ndërsa qytetarët do të paguajnë tarifat për kalimin në këtë autostradë.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se kompania koncesionare “G2 Infra” ka raportuar shpenzime të ulëta, përkundër vlerës së lartë të investimeve, duke ngritur dyshime të forta nga ekpertët për abuzime të mundshme me fondet dhe për manipulime me dokumentet financiare.
Projekti i një miliard eurove

Ende e papërfunduar tërësisht, autostrada Thumanë-Kashar, u hap për qarkullimin e automjeteve në fund të qershorit 2024. Prej datës 4 janar në këtë segment ka nisur aplikimi i tarifave të kalimit. Autoveturat të klasifikuara si kategoria 2 do të paguajnë 2.5 euro, kategoria 3 ku përfshihen kamionët e autobusët do të tarifohen me 6.25 euro dhe 1.75 euro është tarifa për mjetet e lehta të llojit motoçikleta.
Ideja për ndërtimin e një autostrade që do të dublonte një pjesë të rrugës së vjetër Fushë Krujë-Thumanë dhe atë të aeroportit të Tiranës lindi 7 vjet më parë, pas prezantimit të programit “One Billion Investment” nga kabineti i dytë i socialistëve që sapo kishte fituar zgjedhjet. Projekti parashikonte angazhimin 1 miliard eurove kapital të kompanive private për të investuar para të tyre në infrastrukturë rrugore dhe aeroporte, investime që pasi të kalonin 30% të vlerës të kostos së projektit, do të paguheshin nga shteti me këste për 13 vjet. Firmat në këtë rast do të kishin përgjegjësinë edhe të mirëmbajtjes së rrugës, bashkë me projektimin, zbatimin dhe dorëzimin në fund të veprës për palën shtetërore. Pjesë e propozimeve të pakërkuara për programin “One Billion Project Financing” ishte dhe ndërtimi i një autostrade me gjatësi 20.8 kilometra që do të lidhte Thumanën me Kasharin, aks që më pas do të vijohej me rrugë të tjera pjesë të “Korridorit Blu” siç është segmenti Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier.
Pasi mori bonusin 8.5 pikë nga Këshilli i Ministrave në mars të vitit 2018 pas një oferte të pakërkuar që kishte dorëzuar më parë, kompania Gener 2 u shpall fituese në garën e hapur për ndërtimin e këtij segmenti, por kontrata përfundimtare nuk u nënshkrua dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) anulloi fondet në janar të vitit 2019. Firma më pas fitoi të drejtën në Gjykatën Administrative të Apelit për të detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që të përcillte propozimin për lidhjen e kontratës në qeveri. Të dhënat e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se kontrata e re u nënshkrua duke dalë jashtë termave të referencës së tenderit pasi u zgjat në kohë dhe modeli i financimit u ndryshua në pagesa direkte për qytetarët nga kosto buxhetore.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha në një kërkesë për informacion se vlera e investimit e dorëzuar nga kompania koncesionare është 330 milion euro, por ky raportim nuk është bërë pranë ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve. MIE refuzoi të vendosë në dispozicion të Shteg situacionet e dorëzuara nga koncesionari dhe pas një vendimi detyrues të Komisionerit për të Drejtën e Informimit për të dhënë dokumentacionin. Në shkelje të kontratës ministria nuk ka përzgjedhur ende Inxhinierin e Pavarur, por vetëm supervizorë të përkohshëm, emrat e të cilëve sërish u refuzuan të jepeshin në mënyrë që të kontaktoheshin nga “shteg.org”. Sipas vlerave që janë raportuar në bilancet e firmës koncesionare të ngritur për zbatimin e kontratës së koncesionit “G2 Infra”, shpenzimet totale për vitin 2022 janë 12 mijë euro, ndërsa për vitin 2023 nuk e kalojnë vlerën 20 mijë euro. MIE nuk iu përgjigj as kërkesës së “shteg.org”, nëse vlera e deklaruar e investimeve për aksin Thumanë-Kashar është bërë nga kompania koncesionare “G2 Infra”, ndërsa vetë kompania nuk komentoi asnjë nga këto çështje.
Misteri i vlerës së investimit
Kontrata koncesionare e miratuar në maj të vitit 2022 nga Këshilli i Ministrave, specifikon se vlera e investimeve kapitale për punimet në segmentin Thumanë-Kashar duhet të jetë 224.3 milion euro pa tvsh, ç’ka do t’i takonte një shume totale me tvsh prej 268 milion euro, ndërsa në vitin e 16-të parashikohet një rinvestim sa 70% e kostos së punimeve.
Në miratimin e kontratës finale nga Këshilli i Ministrave mungon modeli financiar i koncesionit bashkë me Studimin e Fizibilitetit, aneks që dhe pse gjendet bashkëlidhur, rezulton vetëm një faqe e bardhë e firmosur dhe vulosur nga palët. Studimi i ri është ai që do të përcaktonte modelin financiar, vlerën e investimit, riinvestimin dhe interesin që përllogarit koncesionari për paratë e investuara në këtë vepër. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk iu përgjigj një kërkesë për informacion nga “shteg.org” për të vënë në dispozicion Studimin e ri të Fizibilitetit dhe pas një ankese te Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit u mjaftua duke thënë se “Studimi është miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me shkresën nr. 2391/3 prot., datë 10.03.2022”. Ministria e Financave po ashtu refuzoi të japë Studimin e ri të Fizibilitetit edhe pas vendimi të Komisionerit për të Drejtën e Informimit i cili i la afat deri më 30 janar 2025.
Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Shteg.org”. Lexo KËTU artikullin e plotë.


