
Nga Indrit Vokshi
Lulzim Basha tek Xhafo në “Log” paska thënë se është në negociata me Shabanin për të hyrë në zgjedhje bashkarisht. Ky Shabani paska reaguar publikisht duke thënë “Ska asnjë shans të futem në zgjedhje bashkë me Bashën”. Që Luli me Shabanin kanë negociuar për koalicion, kjo dihet. E di kushdo që ka dy gram informacion. “Maskaralliku” këtu është tek ky Shabani. E dini pse? Edhe nëse Luli ka thënë publikisht atë që s’duhet ta thoshte, pra që kemi negociatë, ky shumë mirë mund të kishte shkruar se kam negociuar me Lulin, nuk më ka dalë llogaria politike, nuk do ketë koalicion, normale kjo kudo në politikë. Shikojeni me vëmendje reagimin, nuk ka thënë se nuk kanë pasur asnjë negociatë, ka thënë se nuk ka asnjë shans që të shkojmë në zgjedhje bashkë. Pra Luli ka pasur të drejtë kur ka thënë kam negociata, as ky vetë s’po e mohon.
Këta edhe negociojnë “pazarin” privatisht, por publikisht bëjnë parimorin e pakompromisin, të rreptë që gjoja s’merremi me “klasën e vjetër”. Nëse nuk merren, pse negociojnë me klasën e vjetër? Le që vetë ky Shabani, kishte deklaruar në Top News se Lulzim Bashën e veçoj, nuk e fus me treshen Rama, Berisha, Meta. Pse e ka veçuar? Sepse kanë qenë në negociata. E nuk ka asgjë të keqe, mua do më ishte krijuar respekt nëse një politikan i ri në këtë rast, Shabani ulet, negocion me një politikan karriere si Basha. Fundja Bashën, pak e vranë Berisha me Metën, pak vrau veten me sjellje krejt të pandershme me bashkëpunëtorët, mirëpo gjithsesi s’mund ta quash se po negocion me halabak pazari që u dashka të të vijë turp. Biznesmen politik, puna e vet, por s’ka ndonjë gjë për turp.
Nuk kam asnjë interes në këtë çështje, këtë të “Thurjes” as e njoh hiç. Me Lulin, dihet puna, jemi kundërkolegë, na ndajnë vlerat dhe parimet. Ai është euro-atlantik me vlerat e demokracive perëndimore, kurse unë euro-aziatik, pro diktaturave dhe interesave personale për karrige. Ndarja është e qartë, ndarje civilizimesh, filozofia liberal perëndimore, përballë filozofisë bukëdhanëse. Atëherë çfarë dua që reagoj? Kot, pasi kur shoh disa nga “të rinjtë e të nesërmes”, nis më merr malli për Gramoz Ruçin, Servet Pëllumbin, Jemin Gjanën, Tom Doshin & Co. Kishin çfarë kishin, skuthin se bënë kurrë, tepër seriozë tek ajo ç’ka besonin. Ka qenë mirë stazhi i partisë asokohe se të kaliste.


