
Është thënë e stërthënë në dhjetëra e qindra shkrime këto 9 vjet që qeverisja e kryeministrit Edi Rama është një qeverisje që me sukses futet në ato qeverisjet “fasadë”.
Imazhi, makiazhi, stukimi, injektimi, diversioni, kastetat e gatshme, prodhimi i pseudodebateve etj janë një sërë taktikash të përdorura këto vite, në shërbim të strategjisë së madhe: askush nuk mund të na kërkojë dot llogari për mënyrën si qeverisim për sa kohë kemi përballë “Armiq”.
Kështu ndodhi me pandeminë Covid19 për shembull. Një ditë të bukur e gjetëm kryeministrin Rama duke na bërë thirrje nga rrugët, nga ekrani, madje edhe nga “frigoriferi” siç ai e ka qejf ta përmendë, që të kishim kujdes se po përballeshim me një “Armik”. Dhe siç e dimë të gjithë pjesën tjetër, në kohë krizash qeverisë nuk mund t’i kërkosh llogari për vendime, ngjarje, fate njerëzish jashtë krizës.
Mirëpo sikur u bënë shumë kriza njëherësh. Përmbytjet, tërmeti, pandemia Covid19, zjarret. Dhe po t’i qëndrojmë logjikës që qeveria e këtyre krizave nuk ka patur mundësi të merret me çimka jashtë tyre do të ishte me vend të bënim një analizë të akullt për ato që ka bërë për zgjidhjen e vetë krizave.
Përmbytjet
Nuk ka gazetar në Shqipëri që nuk e ka përvetësuar artin e raportimit e shkrimit me përmbytjet. Ato ndodhin shpesh dhe kanë po të njëjtat efekte: njerëz që evakuuohen, banesa mbushur me ujë, banorë të izoluar në mungesë të ushqimeve, rrugë të bllokuara nga mungesa e kanalizimeve, mungesë planesh për zgjidhje afatgjata.
Kësaj i shtohet edhe “mumizimi” për pagesa dëmshpërblimesh ndaj banorësh që kanë patur fatin e keq të ndërtojnë në zonat që përmbyten më shumë: Shkodër, Lezhë, Fushë-Krujë etj.
Megjithatë ne të gjithëve na kujtohen stërkalat mbi trupin e Veliajt teksa i lëpinte qeni fytyrën por asnjë zgjidhje konkrete për banorët. Ah, na kujtohet edhe “Don Bosko” në Tiranë me liqenin sa herë binte shi. Pse, pse ndodh kjo? Mos vallë lufta e socialistëve s’ka qenë ndonjëherë me ujin po me imazhin?!

Tërmeti
Ju kujtohet që ne nuk kishim as qen për të nuhatur të mbijetuar në godina të rrënuara? Po puna e ekspertëve të huaj që bëri të mundur shpëtimin e jetëve në Thumanë?
Po të mos qe për ndihmën e Bashkimit Europian, Turqisë a donacioneve Rama thjesht do mbetej “lypsari më i gjatë në botë” dhe kaq. Madje edhe paratë e vëna në dispozicion në buxhetin që krijohet me taksat tona, dështoi t’i vinte në punë për rindërtimin, duke realizuar vetëm 8% sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Viti më pas qe elektoral, kështu që të dëmtuarit duhet të prisnin ca.
Covid19
Ju kujtohet një nga deklaratat më të vërteta të kryeministrit tonë se ishte “lypsari më i gjatë në botë”?
Propaganda me vaksinimin kësaj qeverie iu shkërmoq pas publikimit të kontratës që kishte me “Pfizer”-in, ndërsa kishte nisur të bënte show me vaksinimin e VIP-ave te stadiumi “Arena” duke rrahur gjoksin se kishte siguruar 500 mijë vaksina.
Rama arriti ta rimerrte veten duke siguruar kontrata përtej asaj me “Pfizer”-in, vetëm pasi propaganda iu përplas fytyrës. Sepse lufta e parë qe me kurimin e imazhit impotent të një qeverie që nuk po bënte asgjë për të siguruar vaksinat, deri sa Rama të nisej në New York për të nënshkruar marrëveshjen e parë, për të cilën mashtroi opinionin publik .

Problem gjithsesi mbetën mungesa e aftësisë kuruese në spitalet publike, rimbursimet e kostove për pacientët që janë kuruar individualisht si dhe shtimi i vdekjeve në fazat e para të pandemisë, përtej mungesës së transparencës për njerëz që po kalonin ankth për jetën e të afërmve. Imunizimi natyral duket se shpëtoi qytetarët.
Zjarret
Kulmi i menaxhimit të imazhit impotent arriti në gusht kur Rama mburrej me fuqinë e Bashkimit Europian për helikopterët e dërguar në shuarjen e zjarreve. Ashtu u mburr edhe ministri i Mbrojtjes pas tij, Niko Peleshi.

Ky i fundit u shndërrua në një “raportues nga terreni” për suksesin e misioneve të shuarjes së flakëve, kur në të vërtetë u panë gjithnjë zjarrfikës pa mjetet e duhura, që në dorë mbanin shkurre për të luftuar armikun real.

Kjo video tregon se në çfarë niveli katastrofal i kemi ne pajisjet që duhet të ndihmojnë heronjtë që futen mes flakëve.
Me më shumë se 15 ditë në flakë, Shqipëria vazhdoi të digjej. Po t’i hedhje një sy rajonit, Greqisë dhe Turqisë, kuptoje se zjarret rënë te ne po të kishin marrë trajtimin në kohën e duhur do ishin neutralizuar për bukuri.
Por kreu i Emergjencave “të Shkretuara” Civile në Shqipëri Haki Çako s’kishte patur mundësi se kishte qenë në një “eveniment familjar” para se të bënte thirrje te Forcat e Armatosura për të rrëmbyer lopata, kazma, motorsharra për të luftuar me armikun real, zjarrin.
*****
Eksponentët e PS-së? Nga ajo që pamë duket se luftën kryesore nuk e kanë as me ndalimin e ujit, as me zjarrin po as me rikuperimin e dëmeve të tërmetit a me uljen e fataliteteve e shpërblimin ekonomik të të dëmtuarëve nga Covid19.
Lufta për të rregulluar imazhin e tyre impotent prevalon ndaj asaj me armiqtë realë.
Impotenca zakonisht përdoret në komunikimet tona të përditshme në referim të paaftësisë për të kryer marrëdhënie seksuale por në këtë rast është përdorur brenda kuptimit të dytë: Mungesë e fuqisë; Paaftësi e një qeverisje që ka fituar mandatin e tretë.